Raporti i ngjarjeve, 28 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Stacioni i Policisë Roskovec ndaloi shtetasit e shpallur në kërkim:

-A. T., 28 vjeçe, banuese në fshatin Marinëz, pasi duke dalë jashtë banese, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për krime në fushën e narkotikëve;

-M. Rr., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme, dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar në dorë, me mjet prerës (thikë), motrën e tij 16 vjeçe.

Komisariati i Policisë Divjakë shpalli në kërkim shtetasin R. K., 35 vjeç, si dhe procedoi penalisht vjehërrin e tij shtetasin F. D., 66 vjeç, dhe shtetasen N. G., 63 vjeçe, të 3 banues në fshatin Karavasta e Re. Këta shtetas janë konfliktuar midis tyre për një tokë publike me pretendimin se e kanë në pronësi. Shtetasi i shpallur në kërkim R. K., gjatë konfliktit dyshohet të ketë kanosur me armë zjarri shtetasen N. G.. Po punohet për kapjen e tij.

Policia Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. Xh., 48 vjeç, banues në fshatin Petovë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër

Finalizohet nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër dhe Reparti Special “RENEA”, operacioni policor i koduar “Plani”.

Lokalizohet në Memaliaj, kapet dhe vihet në pranga një 45-vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje.

Gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas që strehonte në banesë, në Memaliaj, të kërkuarin.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas tjetër, të cilit bazuar në inteligjencën policore, iu krye kontroll në banesë, ku iu gjetën armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Strukturat e Hetimit të Krimit të DVP Gjirokastër, bazuar në inteligjencën policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për vrasje dhe të një shtetasi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA”, operacionin policor të koduar “Plani”.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K., Policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim E. B alias A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P..

Në vijim të veprimeve proceduarale, Seksioni për  Hetimin e Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., 42 vjeç, i cili ka strehuar shtetasin në kërkim.

Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon.

Laç, Kurbin

U kap në flagrancë në lokal, teksa vinte baste sportive, me celular, arrestohet 32-vjeçari dhe i sekuestrohet celulari.

Shpallet në kërkim administratori i lokalit, i cili dyshohet se e kishte vënë ambientin, në dispozicion të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në Laç, luheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, Komisariati i Policisë Kurbin ka ndërhyrë menjëherë në këtë ambient, dhë ka arrestuar në flagrancë, duke vënë bastë sportive, me celular, shtetasin F. K., 32 vjeç, banues në Laç.

Gjithashtu, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim, administratorin e lokalit, shtetasin J. B. alias J. Ll., 44 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Punohet për kapjen e 44-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “R 8”.

Bëri kallëzim të rremë, për qëllime përfitimi, për vjedhjen e një automjeti tip “Audi” të cilin e kishte marrë me qira në Gjermani, arrestohet autori i dyshuar.

Arrestohet gjithashtu 38-vjeçari që mori automjetin dhe shpallet në kërkim pronari i banesës ku u gjet i parkuar automjeti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R 8”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. E., 39 vjeç, banues në Gjermani, dhe E. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit J. H., 20 vjeç, banues në Prush.

Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip “Audi”, në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ja kanë vjedhur në afërsit të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.

Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.

Vijon puna për kapjen e shtetasit J. H., i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizon operacionin policor të koduar “Operacionalja 14”.

Lokalizohet në Fier dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 48-vjeçar i dënuar në Itali, më 9 vjet burgim, për •pjesëmarrje në organizatë kriminale, •armëmbajtje pa leje, •trafikim narkotikësh dhe •shfrytëzim për prostitucion.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 14”, kapi në Fier dhe vuri në pranga shtetasin Altin Stopani alias Erion Veliu, 48 vjeç, i lindur në Fier.

Në vitin 2012, autoritetet gjyqësore në Itali e kanë dënuar këtë shtetas me 9 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje, trafikim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim për prostitucion, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.

 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 7 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve ekonomike, me 2 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 17 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 18 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kibernetike, me autorë të paidentifikuar;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përndjekja”, “Fyerja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht 2 për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin” dhe 1 shtetas për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.