Raporti i ngjarjeve, 28, 29 janar 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Luxury Cars”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të automjeteve. Identifikohen 2 shtetas italianë (vëllezër) që trafikonin nga Italia në Shqipëri, automjete luksoze të vjedhura. Arrestohet njëri prej tyre, procedohet penalisht tjetri. Sekuestrohen 2 automjete (“Audi Q3” dhe “BMW X6”, prodhime të viteve të fundit), me vlerë rreth 150 000 euro.    Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në bazë të informacioneve se dy shtetas ishin të përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të automjeteve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Luxury Cars”. Në kuadër të operacionit është arrestuar shtetasi italian D. S., 37 vjeç, banues në Itali, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. S., banues në Itali. Nga hetimet ka rezultuar se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura, kryesisht në Itali. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, tip “Audi Q3” dhe “BMW X6”, prodhime të viteve të fundit, me vlerë rreth 150 000 euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për të zbardhur raste të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 200 shtetas, konkretisht: 53 shtetas janë vënë në pranga, 136 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 22 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 17 raste. 14 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 15 raste, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 14 raste – 5 shtetas janë vënë në pranga, 2 janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit me dhunë të urdhrave të punonjësve të Policisë – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 raste i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të thyerjes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 të shpallur në kërkim;

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas kanë humbur jetën dhe 7 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 25 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.