Raporti i ngjarjeve, 27 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Tiranë

Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, u finalizua nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Catch”.

Kapet dhe ndalohet një 55-vjeçar i dënuar me 1 vit burgim, për dhunë në familje.

Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në Allias, u kap shtetasi Xh. M., 55 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Fier/ Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest me burg”, për 1 shtetas të dyshuar për vrasje.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Fier ka ekzekutuar masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata e Fierit për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, për shtetasin K. G., 33 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. G., (aktualisht person në kërkim), dyshohet se kanë vrarë për motive të dobëta shtetasin E. J.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. G.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lushnjë

Vodhi një shumë parash dhe një DVR, në një karburant, identifikohet dhe arrestohet 33-vjeçari.

Sekuestrohen shuma e parave dhe DVR-ja.

Komisariati i Policisë Lushnjë, pas marrjes së njoftimit se në në një karburant, një shtetas kishte vjedhur një shumë parash dhe një pajisje DVR, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i punës së shpejtë hetimore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

Xh. Xh., 33 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të datës 26.09.2024, ka vjedhur në një karburant në Lushnjë, një shumë parash dhe një DVR, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshne penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin P. B., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nuses së djalit të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin K. K., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 7 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin L. H., alias L. M., 32 vjeç, banues në Vorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin Sh. S., 60 vjeç, pasi në bulevardin “Nënë Tereza”, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Y. N. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motomjetit ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 14 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre, në raste kultivimi, me autorë të paidentifikuar, ndërsa 4 rastet e tjera, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste. 2 shtetas janë ndaluar, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, 2 prej tyre, me autorë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste. 1 shtetas është arrestuar në flagrancë dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Prishja e qetësisë publike”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Fyerja”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Për raste të mëparshme:

-është ndaluar 1 shtetas për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

-është identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëra prej tyre me autor të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.