Raporti i ngjarjeve, 27 mars 2026
Qarku Korçë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Gorica”.
Operacioni i zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të DVP Korçë dhe Policisë Kufitare, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 37 pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë, vihen në pranga 2 shtetas grekë.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e DVP Korçë në bashkëpunim me DVKM Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë finalizuan operacionin e koduar “Gorica”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit grekë:
-Th. K., 48 vjeç dhe A. M., 34 vjeçe, banues në Greqi.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një automjet me targa greke do të trafikonte drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion final Greqinë, një sasi me lëndë narkotike, janë organizuar shërbimet e Policisë të cilat bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar dhe u vunë në ndjekje të tij.
Automjeti me drejtues 48-vjeçarin dhe pasagjere shtetasen A. M., u paraqit në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Goricë dhe gjatë procedurave të kontrollit kufitar mbi bazën e analizës së riskut, automjeti u kalua për kontroll në vijën e dytë. Nga dyshimet e krijuara, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore, kaluan këtë automjet për kontroll më të detajuar në skaner, ku si rezultat u gjetën të fshehura, në një vend të krijuar posaçërisht në pjesën e poshtme të mjetit, 37 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 34 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, nga strukturat e policisë u arrestuan në flagrancë dy shtetasit grekë të lartpërmendur për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 34 kg me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë eurosh.
Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Gaminator”.
Zbulohet në Fushë Arrëz, një lokal ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit.
Sekuestrohen 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë.
Arrestohet në flagrancë një 30-vjeçar, punonjës i lokalit.
Shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar si organizatorë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksionit të Mbështetjes Operacionale Hetimore të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gaminator”.
Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetin e Fushë Arrëzit, u konstatua se në ambientet e një lokali zhvillohej aktiviteti i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit;
-u shpallën në kërkim shtetasit I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Gjatë kontrollit në lokal, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
DVP Kukës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-L V. M., 44 vjeç, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa leje nga organet kompetente;
-P. B., 69 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Shishtavec, me qëllim djegien e barishteve dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pylli.
Specialistët e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet pas disa javësh hetime, operacioni i koduar “Midnight”.
Shiste Kokainë në qytetin e Durrësit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në dhjetëra doza me qëllim shitjen, që iu gjet të arrestuarit, automjeti dhe celulari i tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, si rezultat i punës hetimore të kryer për disa javë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacionin e koduar “Midnight”. Gjatë operacionit u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. K., 36 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën atij, një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë të ndarë në 60 doza, me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas shiste Kokainë në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, shtetasi B. O., 36 vjeç, banues në Durrës. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, nisi procedimi penal për këtë shtetas.
Materialet procedurale për këto dy raste iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë
Vijon operacioni i koduar “Stolen line”.
Sekuestrohet 1 automjet me vlerë rreth 250 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 34-vjeçari që dyshohet se ka trafikuar automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u sekuestrua 1 automjet tip “Mercedes-Benz AMG G63”, me vlerë rreth 250 000 euro, pasi nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Nga veprimet hetimore u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 34 vjeç, i cili dyshohet se e ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Punohet për kapjen e 34-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin K. K., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike punojnë për shoqërimin e shtetasit Y. K, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe kanosur në anë të rrjeteve sociale shtetasen R. K.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen M. T, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nuses së djalit të saj;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur një tjetër shtetas të mitur;
-punohet për shoqërimin e shtetasit V. Gj, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa sende me vlerë në banesën e shtetases L. C.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin Xh. F., 35 vjeç, pasi gjatë muajit mars dyshohet se ka kryer 3 vjedhje. Gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis;
-ndaluan shtetasin F. H., 30 vjeç, pasi dyshohet se në menyrë të vazhdueshme ka kanosur shtetasin K. K dhe familjarët e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. T, pasi ka kallëzuar shtetasja K. S, se ish-bashkëshorti i saj, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka marrë djalin e tyre pa e njoftuar;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. D, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar kanë kanosur shtetasit R. L dhe A. L, për motive të dobëta. Punohet për kapjen e shtetasit E. D dhe sqarimin e rrethanave të rastit;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. T, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur shtetasin A. Ç. Punohet për kapjen e shtetasit O. T dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. Ç dhe A. Sh, pasi për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Xh, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka kanosur shtetasen K. R.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. S dhe T. D, pasi për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas kapën e ndaluan shtetasin Rr. K., 29 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale “Drejtim i automjetit në menyrë të parregullt;
-arrestuan shtetasin L. S., 48 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M, pasi dje, në Rrugën e Arbërit, ka humbur kontrollin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. M dhe pasagjeri i tij të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
-Më datë 25.03.2026, është çuar për mjekim shtetasja B. M, e cila aksidentalisht është dëmtuar në këmbë, gjatë punës në një subjekt. Pas marrjes së mjekimit, ajo kaloi në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
DVP Dibër
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj rasteve të shitjes së lëndëve narkotike.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një shtetas që shiste lëndë narkotike kokainë në ambientet e lokalit të tij.
Sekuestrohen sasi të lëndës narkotike kokainë, të ndara në doza gati për shitje, si dhe një shumë parash.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në qytetin e Bulqizës, kanë organizuar punën dhe si rezultat, kanë ushtruar kontroll të befasishëm në këtë ambient.
Gjatë kontrollit fizik dhe në ambientet e lokalit të këtij shtetasi, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. P., 20 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan shtetasin P. B., 25 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-G. B., 51 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-E. K., 57 vjeç, banues në Fier, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. K., 66 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka marrë disa orendi shtëpiake, nga banesa ku ka jetuar me qira, me pretendimin se janë të tijat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. K., 42 vjeçe, banuese në fshatin Demiraj, pasi gjatë kontrollit në subjektin tregtar që ajo administronte, u gjetën dhe u sekuestruan pije alkoolike të dyshuara të kontrabanduara, si dhe rezultoi se nuk lëshonte kuponë tatimor. Gjithashtu, u procedua penalisht bashkëshorti i saj, shtetasi P. K., 54 vjeç, banues në fshatin Demiraj, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë kontrollit në këtë subjekt;
-E. N., 35 vjeç, banues në fshatin Prekal, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, i janë gjetur dhe sekuestruar 13 900 euro, për të cilat nuk dispononte asnjë dokument mbi origjinën apo burimin e tyre;
-I. Rr., 34 vjeç, banues në Shkodër, pasi në lokalin që ai administronte, në lagjen “Vasil Shanto”, është konstatuar se kishte një punonjëse të pasiguruar në organet tatimore.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 18 vjeç, banues në Laç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për dy raste:
-dje, në sheshin “Parrucë”, shtetasi E. M., 29 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin L. D., 47 vjeç, banues në Shkodër, i cili po lëvizte me biçikletë. Shtetasi L. D. mori ndihmën mjekësorëe dhe u largua në banesë;
-mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Shkodër-Velipojë”, shtetasi H. C., 57 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi H. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-shpallën në kërkim shtetasin L. A., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi është konfliktuar fizikisht me shtetasin J. O., 20 vjeç, banues në Shkodër, për motive të dobëta. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi B. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin që kishte në përdorim, me të cilin qarkullonte shtetasi J. O., u gjet dhe u sekuestrua një fishek luftarak;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Z. K., 64 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Bardhaj, është gjetur i braktisur një motomjet pa targa, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. Gj., 56 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Nënshat, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në një stallë bagëtish me konstruksion metalik, në pronësi të shtetasit L. K., 46 vjeç. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Informacion paraprak – Rreth orës 09:10, në unazën përëndimore, automjeti me drejtues shtetasin F. L. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin M. N.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasja M. N., pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin M. N., e cila po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Po kryhen veprimet procedurale me drejtuesit e automjeteve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 53 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi kanë kallëzuar shtetasit:
-G. R., se disa ditë më parë, e ka fyer shtetasi Th. Dh., 33 vjeç, banues në Vlorë;
-T. Xh., se e ka fyer kunati i saj, shtetasi T. Xh., 53 vjeç, banues në fshatin Risili.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasit M. P., 45 vjeç dhe M. Gj., 45 vjeç, banues në Sarandë, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.
Qarku Durrës
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi gjatë kontrolit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. H., 21 vjeç. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën shtetasin R. K., 42 vjeç, banues në Arapaj, i cili ishte në kërkim policor pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij. Pas komunikimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., banues në Përmet, pasi dyshohet se ka vjedhur 2 bagëti të imëta, në lagjen nr. 15, Durrës.
Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. L., 22 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. A., 42 vjeçe, banuese në Gjirokastër, pasi ka braktisur me deklaratë, në maternitetin e spitalit të Gjirokastrës, foshnjën që e ka lindur më datë 21.03.2026.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin K. H. alias J. H., 38 vjeç, banues në Memaliaj, pasi dyshohet se dje, ka vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit Sh. I., në fshatin Hormovë. Punohet për kapjen e 38-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. T., 36 vjeç dhe A. T., 41 vjeç, të dy banues në Përmet, vëllezër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, në Lagjen e Re, kanë ndaluar dhe kanë goditur me sende të forta automjetin që drejtohej nga shtetasi A. Q., 19 vjeç, banues në Përmet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. T., 20 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-G. P., 47 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur një mjek, për shkak të detyrës, në ambientet e spitalit të Pogradecit;
-K. K. dhe P. V., banues në Pogradec, pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në banesat e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-H. G., 68 vjeç, banues në fshatin Mesmal, Maliq, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur me fjalë një 62-vjeçar;
-E. K., 27 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi u kap në qytetin e Maliqit, duke transportuar me automjet, dru të prera pa leje. Sasia e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. N., 44 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrollit në subjektin (tabakino) në pronësi të tij, u gjetën pije të ndryshme dhe cigare elektronike të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. N., 36 vjeç, banues në Lezhë, pasi posedonte pa leje, një armë sportive (pistoletë zhurmuese) me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-A. B., 45 vjeç dhe F. Sh., 39 vjeç, pasi më datë 26.03.2026, rreth orës 09:00, në qytetin e Lezhës, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Si posojë u dëmtua lehtë shtetasi A. B., i cili mori mjekim në spital dhe u largua në banesë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, ku u përplasën automjeti me drejtuese shtetasen I. B. me motomjetin me drejtues shtetasin Z. B., 69 vjeç, banues në Vaun e Dejës, bëjmë me dije se shërbimet e Policisë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Z. B., pasi rezultoi se e drejtonte motomjetin pa targë, në efektin e alkoolit.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.03.2026, për shpalljen në kërkim të shtetasit Gj. P., 25 vjeç, banues në Lezhë, i cili dyshohet se është përfshirë në një aksident rrugor në Lezhë dhe është larguar pa njoftuar Policinë, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë bërë të mundur kapjen e tij. Pas konsultimit me Prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
