Raporti i ngjarjeve, 27 mars 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 76 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 11 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është arrestuar dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-8 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 4 shtetas të arrestuar dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të moskallëzimit të krimeve, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i mbajtjes pa të drejtë të uniformës dhe largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me nga 1 shtetas të arrestuar;

-nga 1 rast i përndjekjes dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike, kalimit të kundërligjshëm të kufirit, vetëgjyqësisë, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, përvetësimit të sendeve të vjedhura, peshkimit të ndaluar, veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, njoftimit të rremë në organet e rendit dhe kallëzimit të rremë, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.