Raporti i ngjarjeve, 27 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë/Informacion shtesë

Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme për shpalljen në kërkim të shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se më datë 26.08.2024, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç, ju bëjmë me dije se:

Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Arrestohen 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin E. V., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë, te Pazari i Ri.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan një të mitur 15 vjeç, dhe po punojnë për kapjen e dy bashkëmoshatarëve të tij, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë vjedhur sende të ndryshme dhe shuma parash në tre biznese të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit:

-R. S., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;

-J. B., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

-A. K., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, është përplasur me një automjet tip “Fiat”, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale;

-E. S., 39 vjeç, dhe A. H., 36 vjeç, pasi ditën e djeshme, te mbikalimi i Kasharit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë shkaktuar një aksident me dëme materiale, kanë tentuar të ndryshojnë vendin e ngjarjes me qëllim përfitimin monetar nga kompanitë e sigurimeve, duke fshehur të vërtetën dhe duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 84 dhe 278/1 të Kodit Penal pasi më datë 26.08.2024, rreth orës 21:30, në Rrugën  e Dibrës, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se ka kanosur me armë zjarri shtetasin R. G., 32 vjeç, banues në Tiranë. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Port, Durrës

Fshehu në automjetin tip “Porsche Cayenne”, të shpallur në kërkim nga Interpol Bern, 24 070 euro që t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, procedohet penalisht shtetasi italian.

Sekuestrohen automjeti dhe shuma e eurove.

Në vijim të kontrolleve intensive që po kryhen me metoda bashkëkohore, në pikën e kalimit kufitar Port, Durrës, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Shqipërisë, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip “Porsche Cayenne”, me drejtues shtetasin italian M. A..

Nga verifikimet rezultoi se automjeti që drejtonte ky shtetas, ishte në kërkim nga Interpol Bern, Zvicër, ndërsa nga kontrolli në automjet, u gjetën të fshehura 24 070 euro, të cilat shtetasi M. A. synonte t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjit në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto paligjshmëri, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin italian M. A., 54 vjeç. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin dhe shumën e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 117 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 84 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. Për 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 4 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 21 raste të krimeve ekonomike- me 22 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 11 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 25 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të shpërdorimit të detyrave. Për njërin prej tyre vijojnë hetimet për të përcaktuar autorësinë, ndërsa për rastin tjetër është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas;

-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike, kalimit të kundërligjshëm të kufirit, posedimit të produkteve të rrezikshme për shëndetin, marrjes së padrejtë të fëmijës, përvetësimit të mallrave të vjedhura dhe veprimeve të dhunshme gjatë aktiviteteve sportive, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas janë vënë në pranga për veprat penale “Mashtrimi në sigurime” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Për raste të mëparshme të veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas që kanë qenë të shpallur në kërkim.

Kanë ndodhur 8 aksidente rrugore, me 15 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.