Raporti i ngjarjeve, 27.01.2026

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Zvicra, 1 shtetas i akuzuar nga GJKKO-ja, si pjesëtar i një grupi kriminal.

Ai dyshohet se për një periudhë 4-vjeçare, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e 2 vëllezërve.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, u finalizua procedura për ekstradimin nga Zvicra në Shqipëri, të shtetasit:

-J. K., 37 vjeç, lindur në Shkodër.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës dhjetor 2020-maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e vëllezërve D. B. dhe V. B..

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për ndalimin e shtetasit G. B., 30 vjeç, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset e huaja, M. H., S. N. dhe T. V., pasi dyshohet se secila ushtronte prostitucion, në 2 apartamente të marra me qira.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. S., pasi dyshohet se ka ndërhyrë në llogarinë në rrjet social, të një subjekti privat;
-shpallën në kërkim shtetasin D. S., pasi dyshohet se ka ndërhyrë në llogarinë në rrjet social, të një shtetaseje. Punohet për kapjen e shtetasit D. S.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare shpallën në kërkim shtetasit Sh. S. dhe A. Q., pasi dyshohet se nuk kanë kthyer 2 automjete që kanë marrë me qira. Punohet për kapjen e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy të mitur, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. Xh., pasi dyshohet se ka qëlluar me shpullë dhe ka kanosur, një të mitur;
-G. K., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasin K. M.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 shpallën në kërkim shtetasin Xh. C., pasi dyshohet se ka mashtruar pronarin e një automjeti që ka marrë, duke mos ia kthyer. Punohet për kapjen e shtetasit Xh. C., dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-E. M., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-J. I., 29 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Më datë 26.01.2026:
-kallëzoi shtetasja K. L., se në rrjete sociale, kanë hapur një llogari false, me gjenealitetet dhe fotografi të saj. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ëve të rastit;
-kallëzoi shtetasi I. Z., se nëpërmjet një llogarie false në rrjete sociale, i janë dërguar mesazhe fyese. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ëve të rastit;
-kallëzoi shtetasi M. P., 46 vjeç, se ishte goditur me grushte, nga shtetas të panjohur prej tij. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave;
-është çuar për mjekim, në spital, shtetasi S. E., 35 vjeç, pasi dyshohet se aksidentalisht i ka plasur në dorë, 1 kapsollë;
-në Rrugën e Kavajës, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur këmbësoren, shtetasen S. M., 79 vjeçe, dhe më pas është larguar. 79-vjeçarja është në kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Shkon në 4 numri i drejtuesve të automjeteve që drejtojnë automjete në gjendje të dehur dhe nën ndikimin e alkoolit dhe kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore.

Ofroi 100 euro për të mos kryer testin e alkoolit, procedohet penalisht 35-vjeçari.

Nga testi rezultoi se e drejtonte automjetin në ndikimin e alkoolit (masa 0.46 mg/l).

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, gjatë monitorimit të qarkullimit, me objektiv identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, në aksin rrugor “Ura e Dajlanit – Shkozet”, konstatuan shtetasin D. K., që dyshohej se drejtonte automjetin në ndikimin e alkoolit.

Punonjësit e Policisë Rrugore i kanë komunikuar drejtuesit të automjetit se do t’i nënshtrohej kryerjes së testit të alkoolit.

Në atë moment, shtetasi D. K. ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, duke iu ofruar 100 euro për të shmangur kryerjen e testit të alkoolit.

Nga kryerja e testit rezultoi se e drejtonte automjetin në ndikimin e alkoolit, në masën 0.46 mg/l.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për shtetasin D. K., 35 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Catch 2”, në vijim të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim:
✅njëri, i dënuar me burgim, për futje të sendeve të ndaluara, në IEVP;
✅tjetri, i dënuar me burgim, për mashtrim.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë kësaj faze të operacionit “Catch” që ka si objektiv lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të kërkuar, kapën 2 shtetas të dënuar me burgim. Konkretisht:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 vunë në pranga shtetasin M. K., 43 vjeç, të dënuar nga Gjykata e Durrësit, me 1 vit e gjysmë burgim, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimit me burgim”. 43-vjeçari iu dorëzua DVP Durrës, për veprime të metejshme;

-shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, vunë në pranga shtetasin A. B., 60 vjeç, të dënuar me rreth 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. Ç., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 18, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

-M. M., 42 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;

-J. L., 20 vjeç dhe H. L., 42 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 10, Korçë, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me shtetasin R. M., 65 vjeç, banues në Korçë, i cili pas mjekimit në spital ështe larguar për në banesë;

-K. S., 19 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, nëpërmjet telefonit shtetasin B. C;

-J. Ll., 63 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 10, Korçë, dyshohet se ka goditur fizikisht shtetasin J. T., për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për vënien në pranga të shtetasit S. D., 36 vjeç, banues në Durrës, të cilit i duhet të vuajë 9 muaj dhe 16 ditë burgim, nga dënimi i marrë për trafikim të lëndëve narkotike.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-B. R., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi rreth orës 22:30 të datës 26.01.2026, me automjetin që drejtonte në aksin rrugor “Shijak–Katund Sukth”, ka përplasur këmbësorin, shtetasin G. M., 73 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën;
-S. K., 42 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-S. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur, në lagjen nr. 14, është përplasur me një automjet. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte në fshatin Gjepalaj, dhe si pasojë, motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtua lehtë, pasagjeri në motomjet, shtetasi P. G..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Xh. Ç., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
-Xh. K., 18 vjeçe dhe për një 17-vjeçare, të dyja banuese në Rrogozhinë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëra-tjetrën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin K. K., 43 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. P., 65 vjeç dhe Q. C., 33 vjeç, pasi drejtonin pa leje drejtimi, motomjete pa targa.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. C., 20 vjeç, banues në Fier, pasi shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. B., 39 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier, pasi ka kallëzuar ish-bashkëshortja e tij, se ai ka kaluar afatet e vendosura nga Gjykata, për mbajtjen e fëmijës së tyre.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë ka kallëzuar shtetasja E. T., 38 vjeçe, administratore e një magazine në fshatin Karbunarë, se është vjedhur një shumë parash në magazinë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja D. H., informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen, drejtuesin e kamionit, shtetasin Sh. K., 38 vjeç, banues në Gramsh. Ky shtetas dhe pasagjerja, shtetasja A. B., 39 vjeçe, që u dëmtua nga aksidenti, vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. O., 22 vjeç dhe E. K., 43 vjeç, pasi janë konfliktuar me 2 shtetas të tjerë, për motive të dobëta.

Ka kallëzuar shtetasja E. H., 58 vjeçe, banuese në Elbasan, se është larguar nga banesa ku jetonte e vetme, e afërmja e saj, shtetasja S. B., 62 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Lezhë

Armë zjarri e sportive, municion luftarak, kokainë, kanabis, ambiente të përshtatura për kultivimin të kanabisit, fara kanabisi dhe qindra bimë kanabisi të kultivuara.

Finalizohet operacioni i koduar “Second floor”.

Zbulohen në një objekt trekatësh në fshatin Rrilë, 4 ambiente të përshtatura për kultvimin e bimëve narkotike dhe tharjen e tyre, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Sekuestrohen 8.8 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë, 960 fidanë dhe 850 fara kanabisi, 106 llamba elektrike, 180 gramë Kokainë, 3 armë zjarri, 2 armë sportive, 1 automjet dhe 4 celularë.

Nga hetimet dyshohet se kjo veprimtari kriminale kryhej prej disa muajsh.

Kapen në flagrancë në këto ambiente dhe vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir).

Vihet në pranga dhe 1 punonjës i OSHEE-së, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Vihen në hetim 4 punonjës të tjerë të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit te Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionit e siguruara për një rast të kultvimit të bimëve narkotike, në një objekt në fshatin Rrilë, kanë organizuar operacionin e koduar “Second floor”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në objektin 3-katësh dhe kanë kontstatuar se në katin e dytë të këtij objekti, ishin pështatur 4 ambiente për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, dhe për tharjen e tyre, me qëllim përgatitjen për shitje. Nga verifikimet rezultoi se në këtë objekt kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në këtë ambient dhe kanë arrestuar shtetasit:

-A. Gj., 57 vjeç dhe A. GJ., 22 vjeç, babë e bir, të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve për rastin:
-u arrestua shtetasi Gj. D., 59 vjeç, punonjës i OSHEE-së, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe si bashkëpunëtor për kultivimin e bimëve narkotike;
-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 punonjës të OSHEE-së, shtetasit M. P., A. Gj., E. R dhe O. T., të dyshuar për shpërdorim detyre.

Nga kontrolli i kryer në katin e dytë të objektit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të mbjellë në kubikë, 850 fara të dyshuara narkotike kanabis, 106 llamba me transistor që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike;
-1 armë zjarri automatik me dy krehra me fishekë, 1 pistoletë sportive me fishekë, 1 automjet dhe 4 celularë.

Nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 180 gramë lendë e dyshuar narkotike Kokainë, 1 pistoletë me mulli, 1 armë zjarri pushkë dhe 1 armë sportive.

Nga hetimet dyshohet se kjo veprimtari kriminale kryhej prej disa muajsh. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të saj dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet proceduralë do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
A. C., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka dëmtuar derën e banesës së një 46-vjeçareje, me pretendimim se ajo nuk i kishte dhënë pagesën për punimet që ai kishte kryer në këtë banesë;
M. H., banuese në Gjirokastër, pasi qeni që ajo mbante, ka sulmuar një 44-vjeçar, i cili është dëmtuar lehtë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. F., 63 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën 40 kuti me medikamente mjekësore dhe produkte ushqimore, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin M. Xh., 48 vjeç, banues në Vlorë, për drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori në
lidhje me një ngjarje aksidentale, ku i mituri M. M., 16 vjeç, banues në Vlorë, gjatë drejtimit të monopatinës ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar dhe si pasojë ka mbetur i demtuar dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 45 vjeç, banues në Himarë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij, K. M., 78 vjeç, dhe F. M., 80 vjeçe.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit F. A., 50 vjeç, banues në Kuçovë dhe A. C., 53 vjeç, banues në Greqi, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Gramsh, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike, ka shqetësuar një shtetase 36 vjeçe.

Dje, kallëzoi një shtetase 53 vjeçe, se në rrjete sociale, postoheshin fotografi të saj, më mbishkrime fyese. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin H. A., 73 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kallëzuar shtetasi G. A., 72 vjeç, banues në Shkodër, se 73-vjeçari ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij dhe e ka kanosur, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 55 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike të vjedhura”, pasi më datë 26.01.2026, ky shtetas është paraqitur në PKK Muriqan, në hyrje të RSh-së, me një automjet i cili nga verifikimet rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit/Finalizohet faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, lokalizohet dhe kapet në Tiranë, 52-vjeçari.

52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm).

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tri vrasje.

Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut.

Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.

PKK Rinas

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”.

Goditet një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, nga Shqipëria në Itali.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Vihet në pranga një 30-vjeçar shqiptar, rezident në Itali.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas vijojnë punën intensive për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe zbatimin e procedurave të kontrollit në kufi, me fokus parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara me qëllim parandalimin e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria në Itali.

Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në dalje të Shqipërisë, dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.