Raporti i ngjarjeve, 26 qershor 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 116 shtetas, konkretisht: 34 shtetas janë vënë në pranga, 70 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë arrestuar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 15 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të vetëgjyqësisë, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 2 raste të falsifikimit, trafikimit të mjeteve motorike dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, secili me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 2 shtetas janë arrestuar;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të pastrimit të parave me burime të dyshuara kriminale. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë dhe ngacmimit seksual, me nga 1 shtetas të arrestuar;

-1 rast i korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës, me 1 shtetas të arrestuar;

-1 rast i braktisjes së fëmijës së mitur, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i krimeve kibernetike, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, goditjes për shkak të detyrës dhe dhunimit të banesës, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe përndjekje, janë kapur.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

 

-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, mbi aksidentin rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e qarkullimit rrugor kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 41 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 shtetas të moshave 10, 11 dhe 12 vjeç, të cilët aktualisht janë në spital, në kujdesin e mjekëve.

 

Specialistët qarkullimit rrugor arrestuan gjithashtu shtetasit:

-A. T., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-A. B., 44 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje.

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve:

-arrestuan shtetasit M. B., 28 vjeç dhe E. B., 39 vjeç, sepse 28-vjeçarit shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi Kokaine, ndërsa shtetasi tjetër lëvizte bashkë me të, me një motomjet që e drejtonte pa leje;

-arrestuan shtetasin J. K., 33 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën një sasi Heroine.

Lëndët narkotike u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-R. Gj., 46 vjeç, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur një 41-vjeçar;

-R. K., 26 vjeçe, pasi ka kallëzuar një shtetase, se nuk është paraqitur në një seancë gjyqësore, gjatë se cilës 26-vjeçarja duhej ta përfaqësonte në cilësinë e avokates. Punohet për verifikimin e rrethanave të rastit;

-A. H., 41 vjeç, pasi iu gjet në banesë, një biçikletë e kallëzuar e vjedhur në Zvicër. Vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe autorësinë e vjedhjes.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:

-kapën shtetasin e shpallur në kërkim E. K., 37 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. I., 29 vjeç dhe A. K., 52 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. R., 22 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 28-vjeçar;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. B., 34 vjeçe, A. K., 27 vjeçe dhe H. O., 34 vjeç, pasi ka kallëzuar shtetasi që i kishte punësuar për rikonstruktim të banesës, se ata i kanë dëmtuar pajisjet.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:

-arrestuan shtetasit P. B., 66 vjeç dhe M. B., 27 vjeçe, si dhe shtetasit G. B., 26 vjeç dhe Gj. B., 59 vjeç, pjesëtarë të 2 familjeve, pasi dyshohet se janë konfliktuar për motive pronësie. Gjatë konfliktit, 26-vjeçari ka dëmtuar me mjet prerës, shtetasit P. B. dhe M. B., të cilët janë në kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. K., 19 vjeç, J. K., 19 vjeç dhe A. S., 22 vjeç, si dhe për dy 16-vjeçarë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar me sende të forta, me njëri-tjetrin.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:

-vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”, O. N., 36 vjeç;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen Xh. N., 27 vjeçe, pasi dyshohet se ka hapur një llogari false në rrjete sociale, nëpërmjet së cilës ka fyer një 32-vjeçare.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E. A., 24 vjeç dhe G. A., 29 vjeç, vëllezër, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, me familjen fqinje, në fshatin Vishnje, kanë dëmtuar lehtë, me send të fortë (gur), në këmbë, vajzën 15-vjeçare të kësaj familjeje. Ata gjithashtu kanë goditur punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale dhe shoqërimit në Komisariat;

-A. T., 50 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.

 

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për shtetasin M. K. që u gjet i pajetë në sipërfaqen e një depoje në ndërtim, në fshatin Zheje, bëjmë me dije se:

specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin E. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i punimeve në depon ku ishte i punësuar rojë shtetasi M. K., 60 vjeç, banues në Mamurras.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:

-arrestuan në flagrancë shtetasin D. Ll., 41 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, pasi në Shëngjin, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë shtetasi D. Ll.;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Vlorë dhe Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. L., 26 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në fshatin Dhërmi, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;

-E. P., 34 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Sarandë, iu gjetën dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 3 doza me lëndë narkotike të llojit cannabis.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:

-arrestuan shtetasin A. Z., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 25.06.2025, është konstatuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

-nisën procedimin penal për shtetasin E. J., 33 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, e cila është ndjerë e dhunuar psikologjikisht dhe e kërcënuar pas një mosmarrëveshjeje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:

-I. B., 28 vjeç, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi F. S., se është goditur me grusht.

-E. V., 40 vjeç, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. K., se është goditur me grusht.

-Th. Ll., 61 vjeç dhe I. Ll., 53 vjeçe, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasi A. Ll., 63 vjeç, se është ofenduar dhe goditur me gurë nga këta shtetas. Gjithashtu, shtetasja I. Ll., gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së detyrës.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:

-Ç. K., 56 vjeç, banues në Ksamil, pasi më datë 24.06.2025, në Ksamil, ka goditur me grushte dhe sende të forta, për shkak të detyrës, 3 punonjës të ndërmarrjes “Ujësjellës Kanalizime Sarandë”. Gjithashtu, nisi procedimi penal edhe për 3 punonjësit E. S., 36 vjeç, E. M., 35 vjeç dhe K. D., 40 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se dhe këta shtetas gjatë konfliktit e kanë goditur me grushte shtetasin Ç. K.

 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin B. Sh., 22 vjeç, banues në Londër, pasi duke drejtuar automjetin në Ksamil, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin rrethues të një banese. Pas testit të alkoolit, rezultoi në gjendje të dehur.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin G. Th., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. M., 22 vjeç, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. A., 22 vjeç dhe S. A., 27 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Shërbimet e Policisë, pasi kanë marrë njoftim për një konflikt verbal mes disa shtetasve, në lagjen “Qemal Stafa”, kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar shtetasit A. A. dhe S. A., të cilët i kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. M., 25 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin B. Ll., 53 vjeç, për motive të dobëta.

 

Cërrik/Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.06.2025, për largimin nga banesa, të shtetases M. H., 66 vjeçe, banuese në Cërrik, me probleme të shëndetit mendor, informojmë se kjo shtetase u gjet dhe iu dorëzua familjarëve, në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Cërrik/Më datë 25.06.2025, në aksin rrugor “Cërrik-Belsh”, dyshohet se për shkak të një defekti në motor, ka rënë zjarr në automjetin me drejtues shtetasin malazez L. L., 46 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:

-arrestuan në flagrancë shtetasin S. T., 65 vjeç, banues në fshatin Sheq Musalalaj, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. H., 44 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. L., 52 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka kallëzuar një shtetas se e kanos në lidhje me pagesën për një sipërfaqe toke.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E.V., 40 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se ka goditur me grusht një 25-vjeçar, për motive të dobëta.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B.T., 57 vjeç, dhe H.G., 64 vjeç, banues në Dibër, pasi janë kapur duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

 

Shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-T.Ll., 23 vjeç, banues në fshatin Rrenxë, pasi dje, në aksin rrugor “Peshkopi-Maqellarë”, teksa drejtonte automjetin e tij, ka humbur kontrollin dhe  është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A.R., 35 vjeç.  Si pasojë mbeti i i lënduar lehtë, 35-vjeçari dhe pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët pasi morën ndihmë mjekësore, u larguan për në banesë.

-një 15-vjeçar, banues në Mat, pasi duke drejtuar motomjetin, dyshohet se për shkak të një manovre të gabuar, motomjeti është përplasur me një automjet të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetaset P. Z., 32 vjeçe dhe Sh. S., 69 vjeçe, banuese në Korçë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë një 44- vjeçareje, kartën e identitetit, dhe e kanë përdorur për të marrë një kredi bankare në një institucion financiar.

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasen S. L., 22 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi gjatë kontrollit në automjetin e saj, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

 

Devoll/Më datë 25.06.2025, në fshatin Hoçisht, shtetasi Z. K., 82 vjeç, duke rregulluar antenën e televizorit, në banesën e tij, aksidentalisht ka rënë nga shkallët dhe për pasojë ka humbur jetën.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur:

-një 17-vjeçar, pasi dje, në aksin rrugor “Pukë-Qelëz”, motomjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin B. K., 52 vjeç, banues në fshatin Qelëz;

-një 16-vjeçar, pasi dje, në aksin rrugor “Shkodër-Velipojë”, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se për shkak të një manovre të gabuar, motomjeti është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. S., 33 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 16-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. P., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kushëririt të tij.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Fushë Arrëz referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin U. O., 69 vjeç, banues në Fushë Arrëz, pasi ka kanosur një 69-vjeçar, për motive të dobëta.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. A., 64 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, një shtetase 15 vjeçe.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. B., 41 vjeç, banues në Fier, pasi ka dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Durrës

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. Gj., 38 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 26 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, pasi rreth orës 06:30, në lagjen nr. 4, Durrës, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin Q. L., 80 vjeç, banues në Durrës, këmbësor, i cili për pasojë ka humbur jetën.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.