Raporti i ngjarjeve, 26 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Elbasan

I kërkuar nga Policia e Elbasanit, në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Tempulli 2”,  kapet në PKK Kapshticë, 34-vjeçari.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan ndaloi dhe vuri në pranga shtetasin E. S., 34 vjeç, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.  

34-vjeçari u ndalua në PKK Kapshticë, si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë Kufitare të kësaj pike kalimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Vijon megaoperacioni kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar.

I dënuar me 15 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, kapet dhe vihet në pranga 64-vjeçari.

Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, është kapur në Kapshticë, në hyrje, dhe është vënë në pranga shtetasi Pëllumb Braçe, 64 vjeç. 

Gjykata e Durrësit e ka dënuar këtë shtetas, me 15 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, sepse në vitin 2010, ka përvetësuar me anë të mashtrimit, një shumë të konsiderueshme parash. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

Policia Kufitare, në bashkëpunim me DVP Shkodër, goditi një rast të falsifikimit të letrave me vlerë.

Për këtë rast u arrestuan shtetasit italianë R. M., 44 vjeç dhe C. S., 49 vjeç.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Hani i Hotit, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një rast i falsifikimit të letrave me vlerë.

Në  dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit R. M. dhe C. S., në bagazhin e të cilit janë gjetur 2 pako me çeqe të dyshuara të falsifikuara, me vlerë 2000 dollarë secili (vlera totale 1 milion dollarë).

Çeqet e padeklaruara u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin, 1700 euro, vulat dhe 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Divjakë

Pas kallëzimit për vjedhjen e 2 televizorëve në një banesë, Policia identifikon 2 autorët.      

Vihet në pranga njëri prej tyre, shtetasi D. C., 22 vjeç, dhe procedohet penalisht tjetri, 16 vjeç.            

Vihet në pranga edhe shtetasi S. Gj., 25 vjeç, pasi ka blerë 2 televizorët, duke patur dijeni që ishin të vjedhur.                     

2 televizorët e vjedhur u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë

Posedonte rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin, arrestohet 26-vjeçari.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional antidrogë “Tempulli 2”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë finalizoi operacionin e koduar “Zona”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. B. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një qese me rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte siguruar me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste- 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për një tentativë për vrasje me armë zjarri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për krime në këtë fushë dhe për falsifikim, është ndaluar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, me nga 2 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-1 rast i veprës penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Përndjekja”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Dhunimi i banesës”, “Ngacmimi seksual” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, është kapur.

Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 2 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.