Raporti i ngjarjeve, 26 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër

Gjatë muajit qershor, vodhi në një banesë dhe tentoi të vidhte në 3 banesa të tjera, kapet dhe arrestohet 46-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, për të identifikuar dhe arrestuar autorin e disa vjedhjeve/tentativave për vjedhje në banesa të ndryshme, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

G. B., 46 vjeç, banues në Laç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 46-vjeçari, gjatë muajit qershor 2024, ka vjedhur në banesën e shtetasit E. D., si dhe ka tentuar të vjedhë në 3 banesa të tjera, në Shkodër, Shirokë dhe Muriqan.

Punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi G. B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Coffe seeds”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.

U arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, arrestuan shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasve E. T., 30 vjeç, M. T., 33 vjeç, A. Ç., 33 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, dhe A. S., 33 vjeç.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Golem dhe Rrogozhinë/Policia identifikon dhe vë në pranga dy autorë të dyshuar të zjarrvënieve mesditën e djeshme.

Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore dhe sipërfaqe pyjore, në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Forcës së Sigurisë Kombëtare, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, mundësoi neutralizimin e flakëve dhe shpëtimin e banesave.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të menjëhershme, të kryera nga shërbimet e Policisë  me qëllim përcaktimin e autorësisë së 2 rasteve të zjarrvënies në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj, të ndodhura mesditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore;

-Z. S., 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.

Neutralizimi i flakëve dhe shpëtimi i banesave janë bërë të mundur si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre të Forcës së Sigurisë Kombëtare, me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia e Shtetit apelon sërish për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Komisariati i Policisë Cërrik arrestoi në flagrancë shtetasin S. S., 46 vjeç, banues në Cërrik, pasi u kap në flagrancë brenda rrethimit të varrezave, me një çantë me disa materiale relike që dyshohet se kanë qenë të vendosura nëpër varre.

Komisariati i Policisë Gramsh arrestoi në flagrancë shtetasin E. S., 36 vjeç, banues në Gramsh, pasi ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij dhe dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të.

Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin S. K., 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, automjeti që ky shtetas e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin O. A., 27 vjeç, duke shkaktuar dëme materiale.

Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. E., 48 vjeç, banues në Cërrik, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Tynel”, nga kamioni i ngarkuar me materiale inerte, që ky shtetas drejtonte, kanë rënë në rrugë, disa materiale, dhe si pasojë është ndotur ajri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, është vënë në pranga 1 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 15 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të vënë në pranga, 6 shtetas të shpallur në kërkim dhe 13 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të vetëgjyqësisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të prishjes së qetësisë publike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i shfrytëzimit/ushtrimit të prostitucionit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Dhunimi i varreve” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Vepra të turpshme”, “Ngacmimi seksual”, “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.