Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Karaburun, Vlorë
Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Force i dhanë ndihmë 2 shtetasve që kishin mbetur në det pasi e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues skaf që kishte pësuar defekt.
Pas dhënies ndihmë, nga verifikimi i kryer rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues skaf nuk dispononte dokumentacionin e duhur në bordin e mjetit, ndaj për këtë shkelje u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë.
Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë mori njoftim se një mjet lundrues skaf, me 2 shtetas në bord, kishte pësuar defekt, dhe shtetasit po rrezikoheshin prej dallgëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare të cilat iu shkuan në ndihmë 2 shtetasve të cilët ndodheshin 3 milje përballë gjirit të Bristanit, Karaburun.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar me mjetet e Policisë Kufitare, mjetin lundrues skaf, së bashku me shtetasit në bord, në SPK Triport. Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte dokumentacionin e duhur në bordin e mjetit, prandaj ai u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë. Gjithashtu, nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT u ushtrua kontroll në bord, por nuk u gjetën sende të kundërligjshme.
Cërrik/Reagimi i Policisë menjëherë pas kallëzimit të një shtetaseje, parandalon ngjarje të mundshme kriminale në një familje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku”. Sekuestrohen 2 kallëpe tritoli, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë).
Dhunoi bashkëjetuesen dhe fëmijën e saj të mitur, si dhe i kanosi ata për jetën, arrestohet 45-vjeçari.
Arrestohet dhe babai i 45-vjeçarit, pasi iu gjetën në banesë lëndë plasëse, armë dhe municion.
Menjëherë pas kallëzimit të një shtetaseje, se ajo dhe fëmija i saj i mitur, dhunoheshin dhe kanoseshin për jetën, nga bashkëjetuesi i saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku”, kanë mundësuar kapjen dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti, shtetasit V. K., 45 vjeç.
Gjatë këtij operacioni është vënë në pranga dhe babai i 45-vjeçarit, shtetasi Z. K., 71 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën dhe në automjetin e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 2 kallëpe tritoli, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë).
Me qëllim trajtimin e plotë të këtij rasti, kallëzueses dhe fëmijës së saj të mitur iu janë plotësuar kërkesëpaditë për urdhra të mbrojtjes së menjëhershme dhe janë dërguar në qendrën sociale “Forumi i Gruas”, Elbasan, për të marrë asistencën e nevojshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë/Në zbatim të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”.
Akuzohen se plagosën rëndë një shtetas, rreth 1 vit më parë, në Mirditë, duke e goditur atë me sende të forta, për motive të dobëta, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas (vëllezër).
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe me FSK-në, finalizoi operacionin e koduar “Brothers”. Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan shtetasit në kërkim:
E. M., 36 vjeç, M. M., 33 vjeç dhe L. M., 29 vjeç (vëllezër), banues në Thirrë, Mirditë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar këtyre shtetasve masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, pasi dyshohet se më datë 12.05.2023, në Fan, Mirditë, kanë goditur me sende të forta shtetasin B. N., për motive të dobëta.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Durrës/Nis plani operacional policor i koduar “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave në plazhe, të zëna në kundërshtim me ligjin.
Nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në 3 plazhe, u evidentuan 4 raste të zënies së hapësirave publike me çadra dhe shezlongë dhe 4 raste të ndërtimeve pa leje të beach bar-eve.
Procedohen penalisht 7 shtetas, përgjegjës për këto paligjshmëri.
Sekuestrohen 52 çadra dhe 106 shezlongë të vënë pa leje.
Me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, nga subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike gjatë sezonit turistik, në zonën bregdetare të qarkut Durrës, Komisariati i Policisë Durrës inicioi planin operacional policor të koduar “Plazh i lirë”. Nga kontrollet dhe verfikimet në subjekte të ndryshme në 3 plazhe, u konstatuan dhe u goditën 8 raste të paligjshmërive kundër mjedisit dhe atyre financiare, raste për të cilat u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit:
-A. Gj., pasi kishte vënë 32 shezlongë dhe 16 çadra, pa leje, në plazhin “Porti i Gjermanit”;
-E. Sh., 32 vjeç, pasi kishte vënë 48 shezlongë dhe 24 çadra dhe kishte ndërtuar një beach bar, pa leje, në plazhin në lagjen nr.1;
-F. K., 46 vjeç, pasi kishte vënë 18 shezlongë dhe 8 çadra, pa leje, në plazhin në lagjen nr. 1;
-F. D., 30 vjeç, pasi kishte vënë 8 shezglonë dhe 4 çadra, pa leje, në plazhin në lagjen nr. 1;
-F. M., pasi kishte ndërtuar një beach bar, pa leje, në plazhin në lagjen nr.1;
-D. V., 55 vjeç, pasi kishte ndërtuar një beach bar, pa leje, në plazhin e Kallmit;
-T. H., pasi kishte ndërtuar një beach bar, pa leje, në plazhin “Porti i Gjermanit”.
Plani operacional “Plazh i lirë” vijon intensivisht.
Kapshticë, Korçë
I dënuar nga autoritetet turke, me 10 vjet e 2 muaj burgim, për prodhim dhe shitje të narkotikëve, kapet nga Policia Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 50-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas masave për të shtuara për përballimin e fluksit, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk:
Mehmet Akman, 50 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Holandë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lartë e Stambollit, e ka dënuar me 10 vjet e 2 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal turk.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit, në Turqi.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste. Për 8 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë proceduar penalisht 3 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste- 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomike- me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas i shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, është ndaluar, ndërsa për rastet e tjera, 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-nga 2 raste të veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vetëgjyqësia” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i ushtrimit të prostitucionit, me 2 shtetase të shpallura në kërkim;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë ende të paidentifikuar;
-nga 1 rast i fyerjes dhe keqtrajtimit të të miturit, me 3 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.