Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Red Light 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Rinas.
Arrestohet një 38-vjeçare, shtetase kineze, e implikuar në veprimtarinë kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
DVP Tiranë
Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” u finalizua operacioni policor i koduar “Location”.
Kapet dhe ndalohet një 34-vjeçare e dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetaseje në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e saj përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat u kap dhe ndalua shtetasja A. Xh., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Vijon me intensitet megaoperacioni “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Asgjësohen 361 bimë kanabis
Kujdesej për bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Trush, në mes të një parcele me misër, si rezultat i monitorimit me dron, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 67-vjeçari.
Asgjësohen nëpërmjet djegies 215 bimë kanabis që ishin kultivuar nga 67 vjeçari.
Ndërkohë monitorimi ka vijuar dhe në territorin e njësisë administrative Pult. Gjatë monitorimit u konstatuan të kultivuara dhe u asgjësuan 146 bimë kanabis.
Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër” shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit me patrulla toksore dhe duke përdorur dronë për monitorim ajror, në njësinë Administrative Bërdicë, në fshatin Trush, kanë konstatuar se në mës të një parcele me misër ishin kultivuar bimë kanabis.
Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 67 vjeç, banues në fshatin Trush, i cili po kujdesej për 215 bimë narkotike, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të territorin me dron në njësinë administrative Pult, u gjetën dhe u asgjësuan 146 bimë kanabis.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Krorëz, Himarë
Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Komisariati i Policisë Himarë ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në plazhin “Krorëz”.
Procedohen penalisht 12 shtetas, të cilët zaptuan hapësirën publike duke ndërtuar pa leje 12 objekte të përshtatura si lokale/beach bar, nga ku ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë, duke fshehur të ardhurat dhe shmangur taksat.
Sekuestrohen 300 çadra dhe 480 shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 12 shtetas: B. I., 34 vjeç, A. L., 34 vjeç, V. A., 34 vjeç, A. I., 71 vjeç, I. H., 51 vjeç, E. R., 52 vjeç, A. K., 62 vjeç, Dh. M., 51 vjeç, A. T., 44 vjeç, A. R., 68 vjeç, Dh. K., 69 vjeç dhe M. V., 25 vjeç, të gjithë banues në Sarandë.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar, në mënyrë të paligjshme nga këta shtetas, 12 struktura druri të ndërtuara pa leje, si dhe 300 çadra dhe 480 shezlongë të vendosura, të cilat janë hequr, duke liruar hapësirën publike në plazhin “Krorëz”.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte me fushë veprimtarie lokal/beach bar, ofroheshin shërbime dhe produkte pa lëshuar kupona tatimorë.
Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.
Sarandë
Vodhi me dhunë një shumë parash nga automjeti i një shtetaseje, falë reagimit në kohë, Policia ka vënë në pranga 61-vjeçarin.
Policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar dy shtetas që prishën qetësinë publike dhe shkaktuan një konflikt të dhunshëm në ambientet e një hoteli në Sarandë.
Komisariati i Policisë Sarandë arrestoi shtetasin F. M., 61 vjeç, banues në Pogradec, pasi ditën e djeshme, në lagjen nr. 2, Sarandë, ka vjedhur me dhunë një shumë parash dhe një USB nga automjeti i një shtetaseje dhe është larguar me vrap. Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, 61-vjeçari është identifikuar dhe arrestuar.
Po ky komisariat arrestoi shtetasit L. I., 19 vjeç, banues në Sarandë dhe shtetasin francez D. T., 19 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, për motive të dobëta, në ambientet e një hoteli në lagjen nr. 2, Sarandë, janë konfliktuar fizikisht me dy shtetas të tjerë francezë, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në ambientet e hotelit.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shkodër
Kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit “Vllaznia-Tirana”, vihen në pranga 4 shtetas.
Procedohet penalisht një 30-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë zhvillimit të ndeshjes, ka hedhur lëndë piroteknike.
Në përfundim të veprimeve procedurale dhe hetimore, të kryera menjëherë pas ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “Vllaznia-Tirana”, mbrëmjen e djeshme, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku gjatë eventit sportiv, u hodhën lëndë piroteknike dhe u kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi në stadium, Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve të shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike;
-proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, shtetasin M. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
PKK Muriqan
Tentuan të dilnin nga Shqipëria, me lëndë narkotike me vete, vihen në pranga 3 shtetas kosovarë.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike cannabis sativa, automjeti me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 3 celularët e tyre.
Në vijim të punës intensive që po kryhet nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve në kufi, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjeti me drejtues shtetasin K. H. dhe me pasagjerë shtetasit L. Sh. dhe F. S..
Gjatë kontrollit në këtë automjet, u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve kosovarë L. Sh., 20 vjeç, K. H., 20 vjeç dhe F. S., 20 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës
Kanosën me armë pneumatike, një shtetas, për motive konkurrence, procedohen penalisht 2 shtetas (babë e bir).
Gjatë kontrolleve në banesë atyre iu gjetën arma pneumatike dhe 1 mjet prerës (thikë).
Pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 58-vjeçari, se ishte kanosur me armë pneumatike, nga 2 shtetas, për motive konkurrence në fushën e transportit me varka të turistëve nga/për te lumi i Shalës, Komisariati i Policisë Vau i Dejës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, për autorët e dyshuar të rastit, shtetasit K. N., 55 vjeç dhe R. N., 24 vjeç, babë e bir.
Nga kontrollet në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën pneumatike me të cilën dyshohet se u krye kanosja dhe 1 mjet prerës (thikë), që posedoheshin pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Kavajë
Tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, për të mos u ndëshkuar administrativisht, për drejtim të një automjeti me fuqi më të lartë motorike se sa i lejohej, procedohet penalisht 19-vjeçari.
Gjithashtu, ky shtetas u ndëshkua administrativisht për shkeljen e kryer, me 12 000 lekë dhe me pezullim të lejes së drejtimit, për 6 muaj.
Në vijim të monitorimit të akseve rrugore të rrethit, me qëllim parandalimin e aksidenteve, shërbimet e Policisë Rrugore të Kavajës kanë ndaluar për verifikime automjetin me drejtues shtetasin K. S.. Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas, i pajisur rishtazi me leje drejtimi, po drejtonte një automjet me fuqi motorike më të lartë se ajo e parashikuar nga Kodi Rrugor, për periudhën fillestare të vlefshmërisë së lejes së drejtimi.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për shkeljen, shtetasi K. S. iu ka ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, 2000 lekë, që të mos u ndëshkonte administrativisht.
Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin K. S., 19 vjeç, banues në fshatin Ndroq, Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa për shkeljen e kryer ky shtetas u ndëshkua me masa administrative, 12 000 lekë dhe me pezullim të lejes së drejtimit, për 6 muaj, në bazë të neneve 117/1/4, 123/3 dhe 123/5 të Kodit Rrugor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kapshticë/Goditet një rast i kontrabandës së medikamenteve.
Arrestohet në flagrancë 36-vjeçari që tentoi të kontrabandonte në Shqipëri, medikamente për të cilat kërkohet licencë.
Sekuestrohen 50 pako me medikamente.
Në vijim të punës së intesifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kapështicë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, një autobus. Gjatë kontrollit në pjesën frigoriferike të autobusit u gjetën 5 paketime me medikamente (në total 50 pako), të pashoqëruara me faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. S., 36 vjeç, banues në Pogradec, pasagjer në këtë autobus, i cili dyshohet se posedonte sasinë e medikamenteve për të cilat kërkohet licencë nga organet kompetente.
50 pakot medikamente u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 239 shtetas, konkretisht: 71 shtetas janë vënë në pranga, 147 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 21 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 26 raste. 10 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 28 raste, njëri prej tyre me njërin nga autorët të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 8 shtetas janë vënë në pranga, 9 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 9 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 2 raste, njëri prej të cilave me autorë të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 16 raste, 5 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 25 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 21 raste- 12 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 36 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-6 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-3 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të njoftimit të rremë në organet e rendit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shpërdorimit të detyrave, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i falsifikimit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Fyerja” dhe “Moskallëzimi i krimit”, me 4 shtetas në total të proceduar në gjendje të lirë.
Si rezultat i punës së strukturave të Policisë në qarqe, të kryer në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, janë ndaluar:
-3 shtetas për krime ekonomike;
-2 shtetase për vepra penale në fushën e prostitucionit;
-1 shtetas për falsifikim;
-1 shtetas për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
-1 shtetas për largim të të burgosurit nga vendi i qendrimit;
-1 shtetas për futje të sendeve të ndaluara në IEVP;
-1 shtetas për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike;
-1 shtetas për përndjekje.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 22 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 26 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 59 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 21 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 39 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.