Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
PKK Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pakot”.
Kishte fshehur në trup dhe çantë, 88 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, arrestohet në hyrje të Shqipërisë, 34-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve, në kamionin që drejtonte ky shtetas u gjetën 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara.
Sekuestrohen paratë dhe malli.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, kamioni që drejtonte 34-vjeçari. Nga kontrollet, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Mat/Vijojnë operacionet policore të njëpasnjëshme kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “End”.
Kujdesej për bimet që kishte kultivuar, Policia kap në flagrancë dhe vë në pranga 33-vjeçarin.
Asgjësohen nëpërmjet djegies dhjetëra bimë narkotike.
Procedohet penalisht për shpërdorim të detyrës, kryetari i fshatit Rreth Baz.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera kundër kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Mat finalizoi operacionin policor të koduar “End”. Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Rreth Baz, i cili u kap në flagrancë teksa kujdesej për bimët narkotike që kishte mbjellë në pyllin e fshatit ku banonte.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. D., kryetar i fshatit Rreth Baz.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, të angazhuara maksimalisht për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kasaforta”.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e një shume parash në kasafortën e një marketi, në Rrugën e Dibrës.
Identifikohen dhe arrestohen 2 autorët e dyshuar të vjedhjes.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që u gjet në banesën e njërit prej tyre.
Sekuestrohen edhe një pjesë e parave të dyshuara të vjedhura dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se dy shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë parash në kasafortën e biznesit të tij, në Rrugën e Dibrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Kasaforta”, u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasi R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal, si dhe shtetasi A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune intensive, në funksion të hetimeve të një procedimi penal, i cili ndiqej me metoda speciale të hetimit, pas analizës të interceptimeve të impulseve dhe qelizave elektronike, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, parashikuar nga neni 117/2/3 i Kodit Penal.
Ky shtetas, në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, kryesisht në rrjetet sociale “Instagram” dhe “WhatsApp”, dyshohet se ka administruar dhe shpërndarë pamje sensitive në formë videoje me përmbajtje pornografike me të mitur.
Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular smartphone me të cilin është kryer kjo veprimtari, i cili do t’i nënshtrohet një ekspertimi të detajuar kibernetik.
Hetimet për këtë procedim vazhdojnë me qëllim identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 28 shtetas janë vënë në pranga, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, janë vënë në pranga 6 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të krimeve kibernetike. Njëri rast me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Ngacmimi seksual”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është ndaluar për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
1 shtetas është ndaluar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ngacmimi seksual”.
1 shtetase është ndaluar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
1 shtetas është ndaluar për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.