Raporti i ngjarjeve, 24 qershor 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 74 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 6 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste. 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste. 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje. 2 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të prishjes së qetësisë publike. 1 shtetas është arrestuar dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzimit të krimit. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të përndjekjes. 2 shtetas janë shpallur në kërkim;

-1 rast i përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. 1 shtetas është shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i vetëgjyqësisë, moskallëzimit të krimit, shpërdorimit të detyrës, trafikimit të mjeteve motorike, goditjes për shkak të detyrës, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, braktisjes së fëmijës së mitur dhe mosdhënies së mjeteve për jetesë, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetase është arrestuar, 1 shtetase është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për implikim në prostitucion.

1 shtetas i kërkuar për plagosje të rëndë me dashje, goditje për shkak të detyrës dhe heqje të paligjshme të lirisë, është kapur.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 9 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe :

-arrestuan shtetasin A. Sh., 37 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, pasi më datë 23.06.2025, është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke tentuar të vjedhë një automjet tip “Benz”.

-shpallën në kërkim shtetasin L. S., 52 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë, pasi më datë 23.06.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu komshiun e tij, shtetasin F. K.

-nisen procedimin penal për shtetasin A. Gj., 58 vjeç, banues në Fier, pasi më datë 23.06.2025, te Ura e Mifolit, Vlorë, për motive të dobëta, ka dëmtuar xhamin e një autobusi si dhe ka kanosur me fjalë drejtuesin e këtij mjeti.

-nisen procedimin penal për shtetasen N. M., 37 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, pasi dyshohet se ka hyrë në automjetin e shtetasit B. M., ku i ka vjedhur disa dokumente, si dhe nuk iu bind urdhrave të punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar gjatë shoqërimit.

 

Po këta specialistë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 20.06.2025, në lagjen “Pavarësia 3”, gjatë një konflikti të çastit, shtetasi G. S. ka goditur me pëllëmbë shtetasin K. B.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin M. B., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi B. D., 37 vjeç, banues në Lezhë, se më datë 23.06.2025, në vendin e quajtur Livadh, Himarë, ky shtetas, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, e kanë goditur me grushte dhe me një send të fortë metalik. Vijon puna për kapjen e tij dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin D. B., 23 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 23.06.2025, në lagjen nr. 4, Sarandë, është konfliktuar dhe ka goditur me mjet prerës shtetasin D. L., 47 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar.

 

Materialet iu referuan Prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:

-ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim S. C., 38 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës, më datë 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, sepse dyshohet se në ambientet e lokalit të tij, ka goditur me sende të forta, një punonjëse të OShEE-së që kishte shkuar në këtë subjekt, për të parë matësin e energjisë elektrike;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. L., 50 vjeç dhe S. L., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, njëri-tjetrin.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. D., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 38-vjeçar;

-shpallën në kërkim shtetasin B. A., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur ish-bashkëshorten e tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Punohet për kapjen e 35-vjeçarit.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 34 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 44-vjeçar.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. M., 49 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:

-arrestuan shtetasin A. K., 53 vjeç, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka dhunuar xhaxhanë e tij;

-arrestuan shtetasin A. M., 65 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ditën e djeshme, 65-vjeçari ka njoftuar shërbimet spitalore, se kishte gjetur të pajetë, në një objekt në pronësi të tij, shtetasin që kishte punësuar për të kryer punime në këtë objekt, H. H., 58 vjeç, banues në Gramsh. Paraprakisht dyshohet se 58-vjeçari e ka humbur jetën gjatë procesit të punës në këtë objekt. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen hetime për të sqaruar dhe për të dokumentuar rrethanat e rastit;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. D., 35 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 26-vjeçare.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:

-arrestuan shtetasin A. R., 53 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-arrestuan shtetasin E. D., 37 vjeç, pasi ka dëmtuar lehtë me mjet prerës, në dorë, bashkëjetuesen e tij, pasi ka dhunuar atë dhe vëllanë e saj. Kësaj shtetaseje iu plotësua urdhri i mbrojtjes.

 

Specialistët e qarkullimit rrugor:

-arrestuan shtetasit E. P., 33 vjeç dhe E. S., 22 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjëndje të dehur;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 50 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin që drejtonte shtetasi A. G. që është dëmtuar dhe aktualisht është në kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 18 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar motomjetin pa targë, që drejtonte;

-shpallën në kërkim shtetasin G. D., 44 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin që drejtonte shtetasi E. A., dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi E. A. ka marrë ndihmë mjekësore dhe është larguar në banesë. Punohet për kapjen e 44-vjeçarit.

 

Ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasi B. H. se ka konstatuar mungesën e 2 elektromotorëve, në ambientet e subjektit ku është i punësuar si mirëmbajtës. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

 

Ditën e djeshme, në fshatin Zall-Dajt, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasin B. D.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.

 

Rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, te “Brryli”, dyshohet se si pasojë e një defekti në sistemin elektrik, ka marrë flakë automjeti me drejtues shtetasin D. B.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.

 

Informacion paraprak/Rreth orës 10:35, në rrugën “Egnatia”, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia e pallatit ku banonte shtetasja B. Xh., rreth 88 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën. Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave të rastit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-E. T., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Fier, drejtues të një autobusi, pasi në PKK Kakavijë, në dalje, gjatë kontrollit në autobus, u gjetën tri dokumente të ndryshme të shtetit çek, të dyshuara të falsifikuara;

-J. P., 62 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull, pasi në PKK Kakavijë, në dalje, gjatë kontrollit në çantë, iu gjetën 12 000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në fshatin Limar, pasi me vetëgjyqësi i ka prishur stanin e bagëtive, shtetasit H. Sh., 47 vjeç, banues në Këlcyrë.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 22.06.2025, në lagjen “Manalat”, është vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit T. S., 67 vjeç. Punohet për identifikimin e autorit/ëve.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Q., 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat:

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 63 vjeç, banues në Berat, pasi ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe ka goditur me grusht, për shkak të detyrës, drejtorin e stacionit të shërbimit zjarrfikës, që kishte shkuar në vendngjarje, bashkë me punonjës të këtij shërbimi, për të fikur zjarrin;

-shpallën në kërkim shtetasin L. G., 34 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë produkte, në një supermarket. Punohet për kapjen e 34-vjeçarit.

 

Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Sh., 19 vjeçe, banuese në Dibër, pasi ka kallëzuar ish-bashkëjetuesi i saj, se ka braktisur fëmijën e tyre.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, për shtetasit:

-B. B., 31 vjeç, banues në Tropojë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Qafë Morinë-Tropojë”, duke transportuar me furgon, orendi shtëpiake, pa faturë blerjeje, të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar nga Kosova;

-V. D., pasi u konstatua duke transportuar pajisje ndërtimi, pa faturë blerjeje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., pasi u konstatua duke ndërtuar një objekt, pa leje.

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. B., pasi në aksin “Kukës-Morinë”, në fshatin Bardhoc, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë drejtuesja e automjetit dhe vajza e saj, pasagjere.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 21 vjeç, banues në Ishull Lezhë, pasi u konstatua në Shëngjin, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. D., 22 vjeç, banues në Kurbin dhe E. R., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, një automjet të vjedhur. Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për rastin.

 

Më datë 23.06.2025, shtetasi L. Z., 61 vjeç, banues në Kurbin, ka kallëzuar se ka konstatuar automjetin e tij që e kishte parkuar afër banesës, me dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga përplasja me një automjet tjetër. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-J. Ç., 60 vjeç, banues në fshatin Vinçan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi;

-M. Gj., 71 vjeç, banues në fshatin Goricë e Madhe, pasi dyshohet si autori i zjarrvënies në një sipërfaqe toke me bimësi, në fshatin Goricë e Madhe, më datë 22.06.2025;

-Dh. B., 49 vjeçe, pasi dyshohet se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes të caktuar në favor të vjehrrës së saj, duke i shkuar në banesë dhe duke e kanosur me fjalë.

 

Gjithashtu, këta specialistë kanë referuar materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasja I. R., 25 vjeçe, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të saj të mitur.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokuroi ku filloi procedimi penal për shtetasit:

-B. Q., 55 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, pasi me automjetin që drejtonte dyshohet se ka përplasur shtetasen K. Zh., 68 vjeçe, këmbësore, e cila po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën;

-J. B., 28 vjeç, banues në Çërravë, pasi automjeti që drejtonte është përplasur më një automjet tjetër. Si pasojë është dëmtuar lehtë 28-vjeçari.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit U. L., 57 vjeç, dhe G. Xh., 69 vjeç, banues në Bilisht, pasi nga kontrolli i kryer në kamionin me drejtues shtetasin U. L. dhe në pronësi të subjektit tregtar të shtetasit G. Xh., shërbimet e Policisë konstatuan një sasi më të madhe malli (aksesorë mobilierie) se ajo që ishte deklaruar në faturat tatimore.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan marerialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 47 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Durrës, pasi dyshohet se ka qëlluar në ajër, me armë gjahu çifte, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, banues në Shijak, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin H. T., 50 vjeç, banues në Shijak.

 

Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasja S. Xh., 59 vjeçe, banuese në Durrës, se ka humbur kontaktet me vëllanë e saj, shtetasin F. H., 75 vjeç, banues në Durrës. Po punohet për gjetjen e tij.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Durrës

 

Dyshohet se plagosi me armë zjarri 21-vjeçarin, Policia identifikon 36-vjeçarin dhe po punon për kapjen e tij.

 

Në orët e para të mëngjesit, në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim, shtetasi L. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës, me dëmtime në këmbë, të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri. Ai po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Nga hetimet dyshohet se autori i plagosjes është shtetasi Sh. D., 36 vjeç, banues në Golem. Po punohet për kapjen e tij dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

 

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Qukës-Prrenjas”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja F. M., 73 vjeçe, këmbësore, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin P. K., 62 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

 

Gjithashtu, këta specialistë:

-arrestuan në flagrancë shtetasit K. S. dhe A. Ç., pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 23 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin J. Ll., 60 vjeç. Për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi J. Ll..

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit D. Sh., 41 vjeç, S. K., 38 vjeç, E. Sh., 37 vjeç, O. T., 50 vjeç dhe E. T., 44 vjeç, pasi rreth 03:00, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në gjendje të dehur, kanë prishur qetësinë publike dhe kanë shqetësuar banorët.

 

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për një shtetas të moshuar që u konstatua i mbytur në lumin Shkumbin, informojmë se u bë i mundur identifikimi i shtetasit I. J., 78 vjeç, banues në lagjen “Skëndërbej”. Ky shtetas sipas deklarimeve të familjarëve, vuante nga skleroza.

 

Më datë 23.06.2025, është dërguar në spital, për mjekim, shtetasja N. R., 70 vjeçe, e cila pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë, në spitalin e Traumës. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo shtetase është vetëhelmuar me fotoksinë, në kushte të rënduara psikologjike.

 

Gramsh/ Më datë 23.06.2025, në lagjen “Sporti”, dyshohet se për shkak të rrjedhjes së gazit nga bombola që përdorej për gatim, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. K., 74 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

 

Cërrik/Më datë 23.06.2025, ka kallëzuar shtetasi O. H., 40 vjeç, se më datë 19.06.2025, është larguar nga banesa, nëna e tij shtetasja M. H., 66 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga sëmundje të shëndetit mendor. Po punohet për gjetjen e shtetases M. H..

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

 

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë, shtetasin H..B., 35 vjeç, banues në fshatin Sinë, pasi teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja e automjeteve ka patur vetëm dëme materiale.

 

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar,  banues në Dibër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E.N., 46 vjeç, banues në Angli,  S.N., 40 vjeç, banues në Amerikë, pasi dyshohet se kanë kanosur me fjalë një 50-vjeçar.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër- Muriqan”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin L. H., 52 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. B., 70 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit e automjeteve.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. G., 68 vjeç, banues në Velipojë, pasi kishte zënë një hapësirë në plazh publik, në Velipojë, duke vënë pa lejen përkatëse, disa lojëra për pushuesit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;

-T. M., 58 vjeçe, banuese në fshatin Baks-Rrjoll, pasi është kapur duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.