Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 140 shtetas, konkretisht: 33 shtetas janë vënë në pranga, 101 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 5 prej tyre, në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë arrestuar.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 34 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 35 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-12 raste të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të vetëgjyqësisë. 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike. Njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, keqtrajtimit të të miturit, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, shpërdorimit të detyrës dhe ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i kërkuar për largim të të burgosurit nga vendi i qendrimit, është ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për marrëdhënie seksuale me shtetas të pazotë për t’u mbrojtur, është ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për moskallëzim të krimit dhe përkrahje të autorit të krimit, është ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës, është ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për dëmtime të tjera me dashje dhe fyerje, është ndaluar.
Janë arrestuar 3 shtetas që dyshohet se janë implikuar në prostitucion.
Janë arrestuar 2 shtetas, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitura” dhe “Prostitucioni”.
Kanë ndodhur 12 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 6 shtetas dhe janë dëmtuar 16.
Janë kryer 21 vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. 10 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin B. V., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. D., 66 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në aksin rrugor “Kakavije-Gjirokastër”, automjeti që drejtonte, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi D. P., 32 vjeç, banues në Zvicër. Nga aksidenti janë dëmtuar 66-vjeçari dhe një pasagjere në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Ditën e djeshme, si pasojë e një vatre zjarri në fshatin Ballaban, janë djegur disa pemë frutore në pronësi të shtetasit G. V.. Në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur në rrjete sociale, ish-bashkëjetuesen e tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan shtetasin A. M., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka përndjekur ish të dashurën e tij, si dhe i ka dëmtuar asaj, automjetin;
-arrestuan shtetasit D. H., 18 vjeç dhe P. L., 18 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi dyshohet se kanë vjedhur veshje në një dyqan;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. M., 58 vjeç, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit M. Q..
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-vunë në pranga shtetasin J. N., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases E. M., 20 vjeçe, dhe nënës së saj. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 20-vjeçaren, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj 33-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Xh. L., 65 vjeç dhe Xh. B., 34 vjeçe, pasi dyshohet se shtetasi Xh. L., me vetëgjyqësi, ka hequr karrige në lokalin në administrim të 34-vjeçares. Në vijim të verifikimeve rezultoi se kjo shtetase e kishte zënë hapësirën publike në funksion të biznesit që administronte, pa leje. Në bashkëpunim me shërbimet e IMT-së, u lirua hapësira e zënë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M., 20 vjeç dhe A. L., 23 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin H. T., 25 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”;
-arrestuan shtetasin Gj. P., 48 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. D., 45 vjeç, me detyrë Kryetar i Asamblesë së Banorëve të një pallati, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, nuk i ka dhënë akses në përdorimin e ashensorit, një banoreje të pallatit. Gjithashtu, ai dyshohet se ka punësuar pa e regjistruar, administratorin e këtij pallati;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Z., 35 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, një 32-vjeçar.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin G. H., 32 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata, për vjedhje.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 67 vjeç, pasi u shfaq në një video të postuar në rrjete sociale, duke goditur me një send të fortë, një shtetase.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin S. R., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjëndje të dehur.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-R. K., 26 vjeç dhe R. B., 24 vjeç, pasi u konstatuan duke drejtuar automjetet, pa leje;
-K. B., 32 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjëndje të dehur.
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për largimin nga banesa, të 2 shtetaseve, ju informojmë se ato janë gjetur dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Më datë 23.07.2025:
-është çuar për mjekim, shtetasja F. K., 49 vjeçe, e cila dyshohet se ka konsumuar mbidozë medikamentesh, në banesën e saj. Aktualisht, ajo është në kujdesin e mjekëve. Punohet për dokumentimim e rrethanave të rastit;
-është dëmtuar aksidentalisht, gjatë punës në një kantier ndërtimi, në rrugën “Emin Duraku”, shtetasi T. H., 37 vjeç. Pas marrjes së asistencës mjekësore, ai kaloi në banesë.
-Informacion paraprak/Më datë 24.07.2025, në Rrugën e Dibrës, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një marketi, ka plasur një fikse zjarri. Si pasojë është dëmtuar punonjësi i marketit shtetasi A. C., rreth 30 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin V. Z., 21 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi, dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës thikë. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. T., 22 vjeç, pasagjer në automjet, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 55 vjeç, banues në fshatin Vranisht, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babit të tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin M. D., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-K. N., 44 vjeç, banues në fshatin Leshnjë, pasi për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë një 55-vjeçar;
-B. M., 70 vjeç, dhe M. M., 44 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se i kanë zaptuar një sipërfaqe toke një 52-vjeçari;
-I. D., 61 vjeç, banues në fshatin Voskop, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë një 55-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit O. M., 19 vjeç, dhe M. M., 19 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kapën duke transportuar një sasi lënde drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin “Korçë-Ersekë”, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. D., 66 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, për shtetasin K. T., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi automjeti që drejtonte është përplasur më një motomjet. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar lehtë shtetasi N. M., 28 vjeç, pasagjer në motomjet.
Korçë/Më datë 23.07.2025, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 4, ka rënë zjarr në një sipërfaqe toke më bimësi, dyshohet për shkak të një një shkëndije elektrike në një shtyllë të tensionit të mesëm, që ishte rrëzuar.
Devoll/Më datë 23.07.2025, rreth orës 12:30, ka humbur jetën në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi A. G., 86 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. S., 24 vjeç, pasi ka goditur me send prej druri shtetasin A. P., 59 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 37 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. M., 36 vjeç, banues në Elbasan, pasi dje, në rrugën “Kozmo Naska”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetasit H. Q., 68 vjeçe dhe N. H., 58 vjeç, këmbësorë, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasit H. Q. dhe N. H. janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;
-S. Sh., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. T., 76 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin S. L., 62 vjeç, këmbësor, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. Y., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. T., 65 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar kanalin vaditës në fshatin Bujqës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.