Raporti i ngjarjeve, 24 dhjetor 2025

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasit:
-H. B., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë automjeti është përplasur me bordurën anësorë të rrugës “Pavarësia”. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale;
-E. D., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. B., 48 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasin H. M., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kunatës së tij. Punohet për kapjen e 45-vjeçarit.

Dje, kallëzuan shtetasit:
-S. S., banues në Durrës, se ishte larguar nga banesa, në mbrëmje, babai i tij, shtetasi A. S., 51 vjeç. Punohet për gjetjen e 51-vjeçarit;
-E. M., se ishte mashtruar në rrjete sociale, mbi blerjen e një mjeti për ngarkim, për llogari të subjektit ku është përgjegjës. Punohet për kapjen e autorit/ëve të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 43 vjeç, banues në fshatin Peshqesh, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me send të fortë, një shtetas 58 vjeç.

Dje, në lagjen “Gurra”, këmbësorja, shtetasja K. P., 70 vjeçe, është dëmtuar lehtë, nga një automjet me drejtues ende të paidentifikuar, i cili më pas, është larguar nga vendi i aksidentit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/es;

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Shkaktoi aksident, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ndërkohë që ishte në kërkim, i dënuar me burgim, ndalohet 32-vjeçari.

I ndaluari, para 3 vjetësh, lëshoi fatura fiktive te subjekti tregtar që administronte, me qëllim shmangien e TVSh-së.

Subjekti i 32-vjeçarit dhe 12 të tjera, duke shmangur detyrimin tatimor, i shkaktuan shtetit, 300 000 000 lekë dëm.

Menjëherë pas njoftimit për një aksident rrugor, në Sukth, ku një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet procedurale të nevojshme. Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dyte ishte 1.29 mg/l.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vitin 2022, ky shtetas ka administruar një subjekt, për llogari të të cilit janë lëshuar fatura fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Nga aksidenti u dëmtua lehtë, pasagjeri në automjetin që drejtonte 32-vjeçari.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. D. u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., pasi dyshohet se në një rrjet social ka postuar një video me shprehje fyese dhe denigruese ndaj shtetases J. I.;
•po punohet për shoqërimin e shtetasit J. L., pasi dyshohet se ka kanosur, nëpërmjet një rrjeti social, një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
•arrestuan shtetasin D. M., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur, për shkak të detyrës, një punonjës të Policisë Rrugore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur, pasi dyshohet se ka dëmtuar derën e banesës së shtetasit I. K. dhe më pas e ka goditur me grushte;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. Sh., pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me send të fortë shtetasin B. G., si dhe ka dëmtuar disa pajisje të lokalit të tij;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. D., pasi u konstatua duke hedhur fishekzjarrë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. C., pasi ka kundërshtuar punonjësin e policisë për shkak të detyrës, gjatë vendosjes së një mase administrative;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin L. B., pasi ka kanosur me fjalë shtetasin I. Ç.;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasit A. S. dhe K. B., pasi dyshohet se shtetasi A. S., nëpërmjet mashtrimit, i ka shitur një apartament shtetasit K. B., apartament i cili dyshohet se është përfituar edhe nga një shtetas tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
•arrestuan shtetasin Sh. K., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë disa vegla pune në magazinën e shtetasit A. Sh.. Gjatë tentativës për t’u larguar, i ka shkaktuar dëmtime të lehta në dorë këtij shtetasi;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit M. S., 40 vjeç dhe L. K., 51 vjeçe, pasi M. S., për motive të dobëta, ka goditur shtetasin Ç. V., ndërsa L. K. ka kanosur bashkëshorten e tij;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. K. dhe M. C., pasi dyshohet se për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me shtetasin E. C.;
•po punohet për shoqërimin e një shtetasi të mitur, i dyshuar si autor i vjedhjes së dy marketeve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. B., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. M., pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatës së tij;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasen Xh. F., pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në kompaninë ku ishte e punësuar;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Sh. D., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasen R. C.;
•po punohet për shoqërimin e shtetasit P. Z., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin F. D..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
•arrestuan shtetasin N. S., 43 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. H., pasi për motive pronësie ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. R., pasi dyshohet se ka përndjekur, nëpërmjet telefonit, një shtetase;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin F. Th., pasi për motive të dobëta ka goditur me shpullë shtetasin E. Sh..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:
•arrestuan shtetasin E. N., 56 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
•arrestuan shtetasin V. V., 28 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me hyrjen e një banese; si pasojë janë dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve;
•arrestuan shtetasin J. P., 61 vjeç, pasi me autobusin që drejtonte ka përplasur këmbësoren F. V., 87 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;
•arrestuan shtetasin L. D., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Gjatë 48 orëve të fundit kanë kallëzuar:
•shtetasja B. L., se shtetas të paidentifikuar kanë hapur një profil fals në emër të një shkolle. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve;
•shtetasi M. V., se i kanë vjedhur motomjetin. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit;
•në spital ka humbur jetën shtetasi italian M. E., 54 vjeç. Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale;
•shtetasi S. B., se është larguar nga banesa vëllai i tij, shtetasi Xh. B.. Po punohet për gjetjen e tij;
•shtetasi P. M., se është larguar nga banesa djali i tij, shtetasi A. M., 30 vjeç, banues në Krujë. Po punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin A. B., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. G., 41 vjeç, pasi ka prishur qetësinë publike duke hedhur kapsolla. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën disa pako me kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. D., 62 vjeç, pasi në aksin rrugor “Qafë Thanë-Librazhd”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin N. H., 67 vjeç, këmbësor, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Black Scale”.

Sekuestrohen rreth 51 kg Cannabis Sativa, të ndarë në 48 pako, me qëllim trafikimin në Greqi.

Arrestohet 30-vjeçari që transportonte lëndën, fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas (njëri prej tyre, vëllai i të arrestuarit), bashkëpunëtorë për këtë rast, dyshohet me rolet organizator dhe ndihmës.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Black Scale”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi N. P., 30 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. P., 38 vjeç (vëllai i shtetasit N. P.), banues në fshatin Rusan, D. C., 41 vjeç, banues në Sarandë dhe Sh. A., 30 vjeç, banues në Tepelenë.

30-vjeçari u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, duke transportuar me automjet tip “Nissan”, 48 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 51 kilogramë e 25 gramë), me qëllim trafikimin në Greqi.
Shtetasi N. P. e kishte fshehur lëndën narkotike tek shasia e automjetit, në një hapësirë të improvizuar.

Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga strukturat hetimore të DVP Gjirokastër, në drejtimin e prokurorit të gatshëm dhe në bashkëpunim me strukturat e DVKM Gjirokastër dhe me ato të DVP Vlorë, dyshohet se 3 shtetasit e shpallur në kërkim, në rolet organizator dhe ndihmës, kanë bashkëpunuar me 30-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Nissan” dhe me 3 celularë të të arrestuarit.

Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetime me qëllim individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Korçë

U kap në flagrancë duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, arrestohet 49-vjeçari.

Procedohet penalisht 1 doganier i PKK Kapshticë, pasi dyshohet se nuk ka kryer procedurat për zhdoganimin e mallrave.

Sekuestrohen mallrat dhe automjeti me të cilin transportoheshin.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 6, Korçë, automjetin me drejtues shtetasin V. T. Gjatë kontrollit në automjet, janë gjetur veshje të ndryshme pa faturat përkatëse, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast:
-u arrestua në flagrancë shtetasi V. T., 49 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. M., 40 vjeç, banues në Pogradec, doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, pasi dyshohet se nuk ka kryer detyrën për të kontrolluar automjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Vijojnë kontrollet në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Sekuestrohen 44 kuti me lëndë piroteknike që u gjetën gjatë kontrollit në një dyqan në qytetin e Shkodrës.

Procedohet penalisht pronarja e dyqanit.

Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit, është goditur një rast i shitjes së këtyre lëndëve, në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”.

Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetases S. P. u gjetën 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. P.

Kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:
•proceduan penalisht shtetasin E. I., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur kunatin e tij, shtetasin E. E., 24 vjeç, banues në Vlorë, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
•shpallën në kërkim shtetasit R. Ll., 67 vjeç dhe A. Ll., 29 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Treblov, pasi më datë 22.12.2025, në fshatin Treblov, kanë shkuar në banesën e shtetasit K. Ll., 65 vjeç dhe kanë ushtruar dhunë fizike dhe me sende të forta ndaj tij. Punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/ Operacione të njëpasnjëshme nga strukturat e DVP Shkodër për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.

Finalizohet faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët 4”. Shkon në 7 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura në kuadër të këtij operacioni.

Kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, arrestohet në flagrancë një 22-vjeçar nga Vau i Dejës.

Në pranga edhe 1 punonjës i OSHEE-së, ndërsa 2 punonjës të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.

Sekuestrohen 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

Në këtë kuadër u organizua dhe u finalizua faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës.

Në vijim të operacionit u ndalua edhe shtetasi R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. U., 50 vjeç, dhe Gj. T., 59 vjeç, të dy banues në Velipojë dhe punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Nga kontrollet në një ambient (banesë), në Velipojë, të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë të kësaj lënde të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 4 celularë.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit R. V., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 llamba dhe një përforcues grushti.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen K. Ç., 62 vjeçe, banuese në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariati të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. D., 47 vjeç, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar një sipërfaqe toke.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. N., 28 vjeç, banues në Përmet, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.