Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Komisariati i Policisë Berat ndaloi shtetasit e shpallur në kërkim V. Z., 18 vjeç dhe O. Z., 18 vjeç, të dy banues në Berat, pasi dyshohet se më datë 15.10.2024, kanë vjedhur në një banesë në lagjen “Uznovë”, 2 televizorë dhe vegla pune.
Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., banues në fshatin Kutalli, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa leje nga autoritetet kompetente.
Stacioni i Policisë Poliçan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. F., 41 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë punës në subjektin për përpunimin e gurit që administron ky shtetas, është dëmtuar aksidentalisht, me mjetin e punës (pirun), shtetasi F. T., 58 vjeç. Punonjësi, shtetasi F. T., pasi ka marrë ndihmë mjekësore, është larguar në banesë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin R. Zh., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ndaluan shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisaritin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit Sh. Q., 60 vjeç, dhe F. Q., 64 vjeç, të dy banues në Shish Tufinë, pasi dyshohet se për motive pronësie janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit F. Q., një kosore, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, si dhe për shtetasin E. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 18:50, në një lokal në rrugën “Fitnete Rexha”, ka goditur me grusht, në kokë, shtetasin R. F., 43 vjeç. 43-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisaritin e Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin Gj. L., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike. 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste. 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike. Për njërin rast vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësise penale, përgjegjësin/it.
-nga 1 rast i veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprave penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, janë kapur dhe ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, është kapur dhe ndaluar.
1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, është kapur dhe ndaluar.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.