Raporti i ngjarjeve, 23 maj 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 111 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 78 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është ndaluar dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje. 2 shtetas është ndaluar, 3 shtetas janë arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:
-3 raste të falsifikimit, 3 raste të mosbindjes ndaj udhrave të punonjësve të Policisë dhe 3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve. Secili rast me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të fyerjes dhe 2 raste të pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale. Secili rast me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të përndjekjes. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të vetëgjyqësisë. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave të turpshme, me 1 shtetas të arrestuar;
-nga 1 rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i njoftimit të rremë në organet e rendit, përvetësimit të sendeve të vjedhura, kanosjes për shkak të detyrës, shpifjes dhe shpërdorimit të detyrës, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

3 shtetas janë vënë në pranga, për veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Ngacmimi seksual” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 23 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 12 shtetas janë vënë në pranga dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.