Raporti i ngjarjeve, 23 korrik 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 154 shtetas, konkretisht: 29 shtetas janë vënë në pranga, 109 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 4 prej tyre, në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 10 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 12 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 24 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-12 raste të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të shpërdorimit të detyrave. 4 shtetas janë arrestuar dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të pengimit të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 2 shtetas të arrestuar;

-2 raste të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është kërkuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të dhunimit të banesës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i përndjekjes dhe i falsifikimit, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i armëmbajtjes pa leje, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i vetëgjyqësisë, përvetësimi i sendeve të vjedhura, neglizhenca në trajtimin mjekësor dhe moskallëzimi i krimit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, të kërkuar përkatësisht për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike ose për armëmbajtje pa leje dhe sigurimi i mjeteve për vjedhje.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave ka humbur jetën 1 shtetas dhe janë dëmtuar 7 të tjerë.

Janë kryer 14 vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëra prej tyre me autor/e të paidentifikuar. Për rastet e tjera 5 shtetas janë arrestuar dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:

-arrestuan në flagrancë shtetasin K. M., 42 vjeç, banues në Levan, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi automjeti që drejtonte, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi H. K., 32 vjeç. Si pasojë, 2 shtetasit u dëmtuan lehtë dhe pasi morën asistencë mjekësore, u larguan në banesa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-E. S., 38 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se nuk ka paguar çmimin e automjetit që ka blerë;

-A. P., 34 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë, pasi zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturina, ka dëmtuar disa rrënjë ulliri të një shtetasi tjetër;

-L. B., 48 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër:

-arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. Sh., 45 vjeç, banues në Kash, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen K. Sh., 43 vjeçe, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur në një subjekt;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. Xh., 30 vjeç, banues në Mallakastër, pasi nuk ka qenë i pranishëm në magazinën ku ishte i punësuar si rojë, në momentin që në këtë ambient ka rënë zjarr dhe si pasojë, janë djegur 12 pajisje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-M. T., 42 vjeç, banues në Divjakë, pasi në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka shkuar te banesa ku jeton djali i tij, i cili është i pajisur me urdhër mbrojtjeje nga 42-vjeçari;

-H. B., 46 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Shëngjin:

-arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 21 vjeç, banues në Rrëshen, pasi është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Lezhës;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. P., 47 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka kallëzuar shtetasi I. D., 38 vjeç, banues në Laç, se 47-vjeçari e ka kanosur në rrugë, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-N. D., 72 vjeç, banues në fshatin Gjormë, pasi kishte ndërtuar pa leje, një garazh me strukturë betoni, në lagjen nr. 1, Laç. Objekti është shembur nga IKMT;

-Gj. B., 55 vjeç, banues në Mamurras, pasi dyshohet se ka ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij dhe e ka kanosur atë, për motive pronësie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në vendin e quajtur “Mali i Kuq”, njësia administrative Milot, 2 parcela në të cilat ishin kultivuar 86 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të zjarrit. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Rrëshen, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin G. N., 24 vjeç, banues në Rrëshen, për motive të dobëta.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. D., 25 vjeç, banues në Prizren, pasi është konstatuar duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. M., 20 vjeç, banues në Tepelenë, pasi dyshohet se ka kanosur një 36-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. E., 33 vjeç, banues në fshatin Lab-Martalloz, pasi dyshohet se është konfliktuar fizikisht, me një 62-vjeçar, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

Më datë 22.07.2025:

-është gjetur pa shenja jete, në zonën e pyllëzuar të fshatit Alipostivan, shtetasi G. H., 59 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se e ka humbur jetën si pasojë e vetëplagosjes aksidentale, në këmbë, me armën e gjahut artizanale që përdorte për gjueti. Në drejtimin e Prokurorisë, një grup i posaçëm hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore, rrethanat e rastit;

-në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavijë”, shtetasi H. K., 24 vjeç, banues në fshatin Hormovë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 24-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale të këtij rasti iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. K., 28 vjeçe, banuese në Berat, pasi ka kallëzuar një 26-vjeçar, se e ka mashtruar për shlyerjen e një kredie që ai ka marrë me mirëbesim, për llogari të saj. Punohet për verifikimin e kallëzimit.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. B., 65 vjeçe, banuese në Dimal, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta (gurë), një shtetas 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasen L. B., 53 vjeçe, banuese në fshatin Kërrnajë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë shpallën në kërkim shtetasit Gj. P., 29 vjeç, V. P., 40 vjeç, dhe F. N., 20 vjeç, banues në fshatin Peraj, pasi dyshohet se kanë djegur automjetin në përdorim nga shtetasi B. G. Punohet për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. M., 40 vjeç, rezident në Britaninë e Madhe, pasi ka kallëzuar shtetasi A. H., se 40-vjeçari e ka kanosur për shkak të një borxhi që i ka vëllai i tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. K., 33 vjeç, banues në Kukës, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar automjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. D., pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-A. H., 43 vjeç dhe A. B., 53 vjeç, pasi në pronat përkatëse, u konstatuan duke kryer punime ndërtimi, pa leje;

-M. B., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së djalit të saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Informacion paraprak

Në rrugën “Tomorr Domi”, automjeti me drejtues shtetasin K. M., ka aksidentuar shtetasit Xh. H., 58 vjeç dhe H. Q., 68 vjeçe, këmbësorë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi K. M., u shoqërua në polici për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin rrethanave të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shëngjin-Velipojë”, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 21 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Specialistët e Policisë Kufitare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin egjiptian M. Sh., 65 vjeç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në spitalin e Pukës, është paraqitur për mjekim, shtetasi M. M., 55 vjeç, banues në Mamurras, i cili ishte dëmtuar në dorë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas  është dëmtuar gjatë punës në minierën e bakrit, në fshatin Kimëz, Pukë. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës, për mjekim të specializuar, dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit R. V., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 58 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasja E. K., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, me pretendimin se këta shtetas kanë shitur përsëri banesën që ajo zotëron në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit M. G., 61 vjeç dhe M. P., 48 vjeçe, banuese të dy në fshatin Lukovë, pasi dyshohet se për motive pronësie janë konfliktuar fizikisht me shtetasin R. T., 63 vjeç, banues në Tiranë, si dhe i kanë thyer xhamin e automjetit në pronësinë e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit B. K., 40 vjeç dhe F. S., 42 vjeçe, banuese të dy në Sarandë, pasi ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasja R. M., 45 vjeçe, banuese në Athinë, Greqi, se më datë 21.07.2025, në lagjen nr. 1, Sarandë, këta shtetas, për motive të dobëta, e kanë goditur në fytyrë dhe në kokë.

Në Komisariatin e Policisë Vlorë, më datë 22.07.2025, ka bërë kallëzim shtetasja D. Z., se i është larguar nga banesa vajza e saj e mitur, 14 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1:

-arrestuan shtetasin E. Z., 52 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 53 vjeç, pasi në rrugën “3 vëllëzërit Kondi” ka përshtatur banesën e tij private, për të ofruar shërbime gomisterie, në kundërshtim me ligjin;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. B, S. M, J. B dhe E. B, pasi ndaj tyre ka kallëzuar shtetasja E. Gj, se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë marrë disa sende pa paguar në dyqanin ku punonin;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 37 vjeç, pasi në rrugën “Arkitekt Kasemi” nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor duke i penguar ata gjatë ushtrimit të detyrës;

-shpallën në kërkim shtetasin A. M., 29 vjeç, pasi ndaj tij ka kallëzuar shtetasja Xh. L, se ky shtetas e përndjek në menyrë të vazhdueshme. Punohet për kapjen e tij.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2:

-arrestuan shtetasin e mitur 17 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;

-shpallën në kërkim shtetasin F. K., 31 vjeç dhe O. K., 30 vjeç, pasi me datë 21.07.2025, rreth orës 22:30, në Rrugën e Kavajës, tek kompleksi “Delijorgji” dyshohet për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte dyshohet dhe me sende të forta shtetasit E. K dhe L. K, të cilët pas marrjes së asistencës mjekësore u larguan për në banesë. Punohet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4:

-arrestuan shtetasin E. L., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së tij, e cila pasi mori mjekim në spital, kaloi për në banesë;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. Z, pasi ka thyer urdhërin e mbrojtjes dhe ka kanosur djali e tij;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset E. Th., 31 vjeçë dhe A. Th., 28 vjeçe, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë goditur një 38-vjeçare.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin E. M., 41 vjeç, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, për shkak të detyrës.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin K. T., 32 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët e qarkullimit rrugor:

-arrestuan shtetasin K. A., 20 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin e motomjetin dhe si pasojë ka goditur një automjet të parkuar. Nga përplasja është dëmtuar 46-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Dje, kallëzuan shtetasit:

-F. Gj., 38 vjeçe, se i është larguar nga banesa vajza e saj e mitur 15 vjeçe, banuese në Paskuqan. Punohet për gjetjen e saj;

-Gj. A., 40 vjeç, se me datë 21.07.2025, i është larguar nga banesa nëna e tij shtetasja A. A., 75 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Klocë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

-A. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerë;

-A. B., 23 vjeç, banues në Zvicër, pasi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë 23-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. P., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje; dhe për 16-vjeçar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:

-H. R., 62 vjeçe dhe Q. R., 64 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, pasi dyshohet se kanë kanosur një 36-vjeçar, për motive të dobëta;

-F. L., 53 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje;

-A. H., 42 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar. Nga kontrolli në banesën e 42-vjeçarit nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. H., 48 vjeç, banues në Devoll, pasi dyshohet se nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për kontroll në automjetin e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin I. K., 55 vjeç, banues në Tiranë,  pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, nga pakujdesia, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve eshtë djegur një sipërfaqe toke rreth 2 ha me bimësi. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte duke kryer punime ndërtimi, pa leje, në banesë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. Xh., 56 vjeç, banues në Bilisht, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Pogradec/Më datë 22.07.2025, në lagjen nr.3, dyshohet se për shkak të rrjedhjes së gazit nga një bombol, aksidentalisht ka rënë zjarr në kioskën e shtetases L. M., 72 vjeçe. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

Korçë/Më datë 22.07.2025, shtetasi S. L., 68 vjeç, ka tentuar të vetëvritet, duke dëmtuar damarët e dorës, me mjet prerës. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rezikut për jetën.

Korçë/Më datë 22.07.2025, në lagjen nr. 6, shtetasi J. K., 73 vjeç, dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave dhe nga përhapja e flakëve është djegur një kasolle me tendë druri, në pronësi të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Korçë/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, shtetasi B. D., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

Nga aksidenti është dëmtuar shtetasja R. D., rreth 66 vjeçe, pasagjere në automjet, e cila po merr mjekim në spital, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariat, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.