Raporti i ngjarjeve, 23 dhjetor 2025

DVP Vlorë

Finalizohet operacioni i koduar “Victim”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Zbulohet në lagjen “Pavarësia”, një apartament i marrë me qira, ku shfrytëzohej për prostitucion, një shtetase kineze.

Identifikohen 3 shtetas kinezë, bashkëpunëtorë për këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 prej tyre, tjetri shpallet në kërkim.

Procedohen penalisht shtetasja kineze që ushtronte prostitucion dhe një shtetas tjetër.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion.

Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në një apartament në lagjen “Pavarësia”, të cilin e kishin marrë më qira, për këtë qëllim.

Shtetasja kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.

Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., pasi dyshohet se në një rrjet social ka postuar një video me shprehje fyese dhe denigruese ndaj shtetases J. I.;
•po punohet për shoqërimin e shtetasit J. L., pasi dyshohet se ka kanosur, nëpërmjet një rrjeti social, një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
•arrestuan shtetasin D. M., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur, për shkak të detyrës, një punonjës të Policisë Rrugore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur, pasi dyshohet se ka dëmtuar derën e banesës së shtetasit I. K. dhe më pas e ka goditur me grushte;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. Sh., pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me send të fortë shtetasin B. G., si dhe ka dëmtuar disa pajisje të lokalit të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
•arrestuan shtetasin Sh. K., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë disa vegla pune në magazinën e shtetasit A. Sh. Gjatë tentativës për t’u larguar, 36-vjeçari i ka shkaktuar dëmtime të lehta në dorë shtetasit A. Sh.;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit M. S., 40 vjeç dhe L. K., 51 vjeçe, pasi 40-vjeçari, për motive të dobëta, ka goditur shtetasin Ç. V., ndërsa shtetasja L. K. ka kanosur bashkëshorten e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. B., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. M., pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatës së tij;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasen Xh. F., pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në kompaninë ku ishte e punësuar;
•po punohet për shoqërimin e shtetasit P. Z., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin F. D.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. R., pasi dyshohet se ka përndjekur, nëpërmjet telefonit, një shtetase;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin F. Th., pasi për motive të dobëta ka goditur me shpullë shtetasin E. Sh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:
•arrestuan shtetasin E. N., 56 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, më datë 22.12.2025, shtetasja B. L. ka kallëzuar se shtetas të paidentifikuar kanë hapur një profil fals në emrin e një shkolle. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. Xh., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin J. J., 18 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tezes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në fshatin Kapshticë, pasi dyshohet se në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka shkuar në banesë dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-A. M., banues në fshatin Vloçisht, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-K. A., 38 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, pasi dyshohet se i ka vjedhur 10 shpendë, shtetasit N. M.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës), për shtetasin E. A., 84 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, pasi dyshohet se ka kanosur me pistoletë sportive, punonjësit e njësisë administrative Libonik, për motive të dobëta. Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një armë gjahu çifte të cilën e posedonte me lejen përkatëse, një gjerdan me fishekë, dy karikatorë pistolete, 3 mjete prerëse (thika), disa krehra pushke dhe sasi municionesh të kalibrave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një shtetas 16 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Më datë 22.12.2025, në Komisariatin e Policisë Pogradec, ka kallëzuar shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Korçë, se më datë 07.12.2025, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij, në aksin rrugor “Qafë Plloçë-Qukës”, afër fshatit Pleshisht, e kanë kanosur dy shtetas. Po kryhen veprimet hetimore mbi këtë kallëzim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë ndaluan shtetasin J. D., 22 vjeç, banues në Roskovec, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. G.(D.), 44 vjeç, dhe dy 16-vjeçarë.

Këta shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe kanë dëmtuar portën e Stacionit të Policisë Roskovec, ku po kryheshin veprimet procedurale për një konflikt ndërmjet një 24-vjeçari dhe njërit prej 16 vjeçarëve.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin pa targa, me drejtues shtetasin K. D., 63 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 43 vjeç, banues në fshatin Kraps, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Fier/Pasditen e djeshme, në fshatin Poçem, ka humbur jetën, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi F. G., 68 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan vunë në pranga shtetasin L. K., 32 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të kryer 9 muaj e 20 ditë burgim.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. Xh., 21 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-D. S., 67 vjeç, pasi ka prerë dru, në kundërshtim me ligjin, në vendin e quajtur “Qafa e Rënxës”;
-L. D., 39 vjeç, Ç. K., 38 vjeç dhe E. K., 42 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Elbasan/Dje, në lagjen “5 Maji”, ka humbur jetën në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasja H. W., 20 vjeçe, lindur në një shtet në jug të Azisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, në përfundim të veprimeve procedurale, arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 42 vjeç, banues në fshatin Veliqot, pasi dyshohet se përplasi me automjet, shtetasin B. B., 40 vjeç, banues në fshatin Memaj, i cili për pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. G., 57 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi në aksin rrugor “NSHN-Zinxhira”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjeri në automjet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin F. G., 60 vjeç, banues në fshatin Fushëbardhë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. L., 20 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se organizonte lojëra fati të paligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. H., 61 vjeçe, banuese në fshatin Mashkullorë, pasi gjatë kontrollit në lokalin e saj u gjetën mallra të dyshuara të kontrabanduara.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. H., pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. Sh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Autorësia”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.

Mesnatën e datës 16 tetor 2025, kanosi me armë zjarri, një shtetas, lokalizohet dhe kapet 31-vjeçari (shtetas me precedent penal).

Si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë informative, për vendndodhjen e autorit të dyshuar të kanosjes me armë zjarri, të shtetasit B. H., kryer për motive të dobëta, rreth mesnatës së datës 16.10.2025, në rrugë, në fshatin Fllakë, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, finalizuan operacionin “Autorësia”.

Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua, u kap dhe u ndalua autori i dyshuar i rastit, shtetasi G. G., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 01.11.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe I. D., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 22.12.2025, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Nartës, ku këta shtetas ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos, gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë, me fokus lirimin e hapësirave publike, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Drejtorit të IMT në Bashkinë Vlorë, shtetasit D. K., 33 vjeç. Menjëherë pas konstatimit të sulmit fizik, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme, por këta shtetas kanë vijuar dhunën fizike edhe ndaj punonjësve të Policisë, duke iu shkaktuar dëmtime trupore. Gjatë kësaj kohe, njëri prej punonjësve të Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, me qëllim zbrapsjen e sulmit nga tre autorët, pa shkaktuar lëndime. Punonjësit e Policisë aktualisht ndodhen të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 22.12.2025, në Borsh, shtetasi D. H., 44 vjeç, banues në fshatin Borsh, gjatë kohës që ishte duke kryer punime me skrep në kantierin e një firme private, në pronësi të vëllait të tij, aksidentalisht i ka rënë një gur nga kova në kabinën e skrepit, duke e dëmtuar në këmbë. Ky shtetas u transportua në Spitalin e Traumës, Tiranë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe:

• arrestuan shtetasin E. I., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi në lagjen nr. 3, Sarandë, ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

• nisën procedimin penal për një shtetas të mitur 15 vjeç, pasi më datë 22.12.2025, në vendin e quajtur Lukovë, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një automjet me drejtues shtetasin S. B., 52 vjeç, banues në Sarandë. Si pasojë e aksidentit, i mituri ka mbetur i dëmtuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin K.B., 36 vjeç, banues në Burrel, pasi, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një automjet tjetër në lëvizje, me drejtues shtetasin H.M. Nga përplasja e automjeteve janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Si rezultat i hetimeve të kryera mbi plagosjen me mjet prerës (thikë), të shtetasit F. S., dyshohet për motive të dobëta, më datë 21.12.2025, në ambientet e një subjekti në fshatin Shkallnur, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit identifikuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin A. K., 46 vjeç, banues në Tiranë. Punohet intensivisht për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasen G. Xh., 28 vjeçe, banuese në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 48 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ndaj djalit të tyre të mitur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. C., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 61-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare shpallën në kërkim shtetasin E. A., 30 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka mashtruar një të afërme të tij, duke mos i kthyer një shumë eurosh të marra borxh. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku pas konsultimit me Prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasit D. Sh., 37 vjeç dhe B. M., 35 vjeç, të dy banues në Kavajë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar shtetasin R. A..

Të njëjtët specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. K., 45 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kushëririt të tij;
-B. S., 49 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me send të fortë, një 35-vjeçar.

Në vijim të informacionit të datës 19.12.2025, mbi largimin nga banesa të shtetases M. Sh., 59 vjeçe, informojmë se dje, u paraqitur në Komisariat, djali i saj, i cili deklaroi se 59-vjeçarja ishte kthyer në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Vrrith, Pukë, pasi dyshohet se ka thyer xhamin e derës së një dyqani, në Ishull Lezhë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. M., 33 vjeç, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, ka humbur jetën, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi P. N., 64 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.

Lezhë/Dje, ka kallëzuar shtetasi Z. C., se është mashtruar në rrjete sociale, për dhënien e një shume parash, nga një shtetas që është prezantuar si vëllai i tij. Vijojnë hetimet për rastin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 11 shtetas. Arrestohen 4 prej tyre, procedohen penalisht 7 të tjerët.

Procedohet penalisht dhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

Gjatë tubimit u dëmtuan 3 punonjës policie.

Më datë 22.12.2025, rreth orës 18:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.