Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë/Parandalohet përshkallëzimi i dhunës në një familje.
Ushtruan dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, për motive të dobëta, vihen në pranga babai, vëllai dhe i fejuari i saj.
Sekuestrohen 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, që i posedonte babai, në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se një 29-vjeçare ishte dhunuar nga familjarët e saj, për motive të dobëta, në banesë, kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar shtetasit: A. B., 60 vjeç (babai), E. B., 26 vjeç (vëllai) dhe A. J., 34 vjeç (i fejuari). Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta, këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 11”.
Kapet në Durrës, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i akuzuar në Spanjë, për vrasje, në kuadër të grupit kriminal.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 11”, lokalizoi në lagjen nr. 13, Durrës, kapi dhe vuri në pranga shtetasin:
A. M., 49 vjeç, i lindur në Durrës.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Orgivas, Spanjë,në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, kryer në kuadër të grupit kriminal.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Spanjë, për të finalizuar ekstradimin e 49-vjeçarit, në Spanjë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomiko Financiar i DVP Fier, referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. I., 33 vjeçe, banuese në Fier, pasi në subjektin në pronësi të saj (servis celularësh), janë gjetur dhe sekuestruar 14 celularë që kjo shtetase i dispononte pa faturë blerjeje, dhe dyshohet të jenë të kontrabanduara.
Policia Rrugore:
-arrestoi shtetasin B. S., 36 vjeç, banues në fshatin Hamil, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 45 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur biçiklistin, shtetasin S. H., i cili pasi mori mjekim në spital, u largua për në banesë.
Komisariati i Policisë Mallakastër referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Z., 62 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Departamenti i Policisë Kufitare/Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare dhe i atyre të Njësisë Policore Detare, për sigurinë e pushuesve.
Përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 16 mjete lundruese.
Mjetet e bllokuara: 12 jet ski, 2 skafë dhe 2 gomone.
7 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 7 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 2 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.
6 prej mjeteve lundruese të bllokuara, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë.
Drejtuesit e 10 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masa administrative 10 000 – 20 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të vijojnë të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasin A. A., 53 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, Maliq, pasi dyshohet se ka përndjekur një 38-vjeçare.
Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetas të mitur, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur dy kamera sigurie në një objekt ndërtimi, në fshatin Leshnicë.
Më datë 21.06.2024, në fshatin Strelcë, Maliq, në tokën bujqësore të shtetasit Gj. S., 56 vjeç, është djegur një mullar me bazë ushqimore për bagëtitë. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
DVP Elbasan
Vijon intensivisht puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
Si rezultat i hetimeve, identifikohet një tjetër autor i implikuar në një vrasje, të ndodhur në vitin 2009.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për këtë ngjarje janë arrestuar 4 shtetas, njëri prej të cilëve është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
I ekstraduari nga Anglia i lokalizuar falë informacionit që dispononte DVP Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminalë, si edhe shkëmbimit në kohë të informacionit me autoritetet ligjzbatuese angleze.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., F. Sh. (të arrestuar) dhe D. H., (i ekstraduar nga Anglia 2 muaj më parë), kanë vrarë shtetasin R. R., në vitin 2009, në Elbasan.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë intensivisht punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Vlorë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Vihet në pranga një 27-vjeçar grek, të cilit iu gjet në banesë sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin grek D. M., 27 vjeç, banues në Gjermani.
Gjatë kontrollit në banesën ku ky shtetas qëndronte, shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë narkotike cannabis, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen kryesisht në lokalet e natës, në qytetin e Vlorës.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin B. D., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë ndaj-ish të dashurës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin E. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj-ish të fejuarës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan shtetasin S. T., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin G. U., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
-F. T., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi motomjetin;
-Y. K., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në “Mullet”, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip “Benz”, është përplasur me automjetin tip “Golf”, me drejtues shtetasin I. Xh., 42 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar dy pasagjeret që ndodheshin në automjetin tip “Golf”, 10 dhe 15 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Policia e Shtetit/Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, në kuadër të megaoperacionit kombëtar anticannabis të koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve, gjenden në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Shkodër, dhe asgjësohen në total 5396 fidanë dhe bimë cannabis sativa.
Identifikohen 3 shtetas, autorë të rasteve të kultivimit në Lezhë dhe në Elbasan. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, kryetarët e fshatrave Gëziq dhe Vinjoll, në qarkun Lezhë, 2 inspektorë pyjesh të zonave, si dhe kryetari i fshatit Bodin, në Elbasan.
Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Territor i pastër”, janë goditur disa raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë zbuluar në pyllin e fshatit Gëziq, një hapësirë që ishte përshtatuar për kultivimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 500 fidanë cannabisi në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, të cilët u asgjësuan nga Policia. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u vu në pranga shtetasi M. Gj., 35 vjeç dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi P. Gj., 32 vjeç. Gjithashtu, për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin Gj. B., 63 vjeç, kryetar i fshatit Gëziq dhe për shtetasin P. Ç., 65 vjeç, specialist pyjesh për zonën e Gëziqit.
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë gjetur në territorin e fshatit Vinjoll, Kurbin, 288 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vinjoll, shtetasin I. B., 52 vjeç dhe për shtetasin M. Gj., 36 vjeç, inpektor pyjesh në fshatin Vinjoll.
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa. Për këtë rast, u arrestua autori i dyshuar, shtetasi F. B., 44 vjeç. Gjithashtu, u proceduan penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës, dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.
-shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal, 4167 fidanë dhe 412 bimë narkotike cannabis sativa.
Strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Shkodër, Lezhë dhe Elbasan, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Departamenti i Policisë Kufitare
Intensifikohet puna e shërbimeve të Policisë Kufitare, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes, si dhe për të parandaluar krimet në kufi dhe lëvizjen ilegale të shtetasve të shpallur në kërkim.
-PKK Hani i Hotit/Ndalohet në dalje, një 35-vjeçar i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, në Spanjë, për vjedhje në banesa.
-PKK Port, Durrës/Tentoi të dilte nga Shqipëria, me leje qëndrimi false, arrestohet 47-vjeçari turk.
Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të vendit, të mbështetura në analizat e riskut dhe në punën e inteligjencës policore, shërbimet e Policisë Kufitare vunë në pranga 2 shtetas, konkretisht:
-në PKK Hani i Hotit, në dalje, u ndalua shtetasi K. N. (M.), 35 vjeç, sepse pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga autoritetet në Spanjë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.
-në PKK Port, Durrës, u dalje, u arrestua në flagrancë shtetasi turk Y. A., 47 vjeç, pasi nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi se posedonte një leje qëndrimi në Francë, të dyshuar të falsifikuar. Dokumenti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të Shkodrës dhe Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria e Policisë Rrugore
Shërbimet e Policisë Rrugore, vijojnë monitorimin intensiv të qarkullimit në të gjtiha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Monitorimi po kryhet me mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë dhe radarë automatikë, si dhe dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe së fundi dhe teleskopë për të evidentuar përdoruesit e celularit dhe shkelësit e rregullave të tjera të qarkullimit.
Njëkohësisht, janë shtuar patrullat e lëvizshme, të mbështetura nga patrullat e përgjithshme dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, pasi në të gjitha akset rrugore dhe veçanërisht në zonat bregdetare, ka fluks të lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.
Si rezultat, gjatë kësaj jave:
-janë pezulluar 114 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 42 drejtues mjetesh, nga këta 29 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vënë 27 191 masa administrative, nga këto:
* 7333 për shpejtësi tej normave të lejuara;
* 1713 për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
* 1440 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
* 3143 për parakalime të gabuara.
* 876 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
* 256 për manovra të rrezikshme në rrugë;
* 298 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
* 10009 për parkim të gabuar;
* 2123 për shkelje të tjera.
Gjithashtu, gjatë javës së ardhshme, shërbimet e Policisë Rrugore do të vijojnë intesivisht monitorimet në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike bashkëkohore që ka në dispozicion, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për përdorim të rrugëve alternative, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe akset nacionale.
Gjithashtu drejtuesit e kamionëve të zbatojnë me rigorozitet kufizimet e lëvizjes, gjatë fundjavës dhe festave zyrtare.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 202 shtetas, konkretisht: 49 shtetas janë vënë në pranga, 138 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 15 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 21 raste të kultivimit të bimëve narkotike, me autorë ende të paidentifikuar.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 9 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 17 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 7 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 31 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 18 raste- 9 shtetas janë vënë në prang, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 41 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 3 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është kapur;
-4 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kompjuterike. Njëri prej tyre, me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i falsifikimit, largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit dhe kontrabandës nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale: “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, “Moskallëzimi i krimit”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 22 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 32 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 39 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 15 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.