Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Mirditë
Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Return”, në vijim të operacionit “Procesi”, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Mirditë, 4 ditë më parë. Shkon 190 kg sasia e lëndës narkotike në proces tharjeje, e sekuestruar gjatë kësaj goditjeje në njësinë administrative Kaçinar.
Gjenden të kultivuara, në fshatin Molaj, 130 bimë Cannabisi, si dhe zbulohen 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike. Sekuestrohet nga 2 ambientet, 82 kg lëndë narkotike, në proces tharjeje.
Nga hetimet dyshohet se njëri nga autorët e rastit të goditur rishtas, është shtetasi P. C., i arrestuar 4 ditë më parë. Ndërkaq, vijon puna për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këto raste.
Procedohen në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Molaj dhe një inspektor i pyjeve të zonës.
Në vijim të kontrolleve nga grupe të Komisariatit të Policisë Mirditë, në të gjithë territorin e njësisë administrative Kaçinar, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit dhe prodhimit të Cannabis Sativës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Return”.
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Molaj, janë gjetur të kultivuara 130 bimë narkotike, si dhe janë zbuluar 2 ambiente me çadra, të përshtatura për tharjen e 82 kilogramëve lëndë narkotike Cannabis Sativa. Si bashkautor për këtë rast, është identifikuar shtetasi P. C., i cili është arrestuar më datë 18.10.2024, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Procesi”, si rezultat i të cilit u asgjësuan, në fshatin Shtuf, 108 kg Cannabis Sativa, në procës tharjeje. Punohet për arrestimin e bashkautorëve.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit N. K. dhe N. T., përkatësisht kryetar i fshatit Molaj dhe inspektor i pyjeve të zonës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme.
Përmet/Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor antidrogë, i koduar “Miçan”.
U kap në flagrancë, duke prerë bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Miçan, vihet në pranga 49-vjeçari.
Asgjësohen bimët narkotike.
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për 4 muaj, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për sigurimin e provave për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Miçan, Komisariati i Policisë Përmet, në bashkëpunim me Sektorin Operacional për Përgjimet Ambentale e DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Miçan”.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë, duke prerë bimët narkotike që kishte kultivuar në vendin e quajtur “Fundi i Dërrasës”, shtetasi D. M., 49 vjeç, banues në fshatin Nikollarë, Skrapar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u asgjësuan nëpërmjet djegies, 43 bimët narkotike që kishte kultivuar ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rental”.
Ishte shpallur në kërkim pasi kishte marrë me qira 2 automjete, me anë të mashtrimit, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari.
Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rental”. Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Korçë, u bë e mundur kapja në Korçë dhe ndalimi i shtetasit H. K., 26 vjeç, banues në fshatin Bilisht.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi:
-më datë 27.09.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit A. K., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin A. K.;
-më datë 01.10.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit E. M., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin E. M..
2 automjetet që kishte marrë 26-vjeçari në këto 2 subjekte janë gjetur dhe janë sekuestruar nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ndaluan shtetasin në kërkim I. S., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin në kërkim K. Zh., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. P., 18 vjeç dhe V. S., 18 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin S. K.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Komisariati i Policisë Shkodër vuri në pranga shtetasin S. H., 45 vjeç, banues në Shkodër, pasi i duhet të vuajë dhe 1 vit burgim nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Shkodrës, për veprën penale “Vjedhja”.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. S., 59 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Bushat–Shkodër”, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur më automjetin me drejtues shtetasin K. P., 26 vjeç. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Mbrëmjen e djeshme, ka kallëzuar shtetasi P. H., 75 vjeç, se kanë tentuar të vjedhin në banesën e tij, në fshatin Mali i Jushit, sepse kur është kthyer në banesë, dhe ka gjetur të çrregullta, orendi dhe veshje. Punohet për verifikimin e kallëzimit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. Janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, për të cilat vijojnë hetimet, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve.
Janë evidentuar 11 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 6 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Ngacmimi seksual”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, me 1 shtetas të arrestuar.
Është vënë në pranga 1 shtetas i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mos deklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private, të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose ç’do personi që ka detyrim ligjorë për deklarim”.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.