Raporti i ngjarjeve, 22 korrik 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 127 shtetas, konkretisht: 32 shtetas janë vënë në pranga, 82 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga, dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë arrestuar.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 22 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 21 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-7 raste të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 3 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të vetëgjyqësisë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të krimeve kibernetike, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për 2 rastet e tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, me 2 shtetas të arrestuar’

-nga 1 rast i kanosjes për të mos kallëzuar dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufirit, ushtrimit të prostitucionit, pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, veprimeve në kundërshtim me vendimine  gjykatës, veprimeve të turpshme dhe trafikimit të mjeteve motorike, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, të kërkuar përkatësisht për pendjekje dhe për dhënie ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Kanë ndodhur 11 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 14 shtetas.

Janë kryer 19 vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëra prej tyre me autor/e të paidentifikuar. Për rastet e tjera 8 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 20 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Shëngjin, jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit O. F., 31 vjeç, A. S., 24 vjeç dhe E. B., 26 vjeç, pasi ka kallëzuar shtetasi N. K., 56 vjeç, banues në Kosovë, se këta tre shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Shëngjin, kanë goditur me grushte atë dhe dy familjarët e tij;
-shpallën në kërkim shtetasin E. U., 23 vjeç, pasi dyshohet se i ka vjedhur celularin shtetasit D. Sh.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-P. P., 60 vjeç, banues në Laç, pasi ka ndërtuar një objekt metalik, pa lejen përkatëse;
-P. P., 65 vjeç, banues në Skuraj, pasi në pronën e tij, u konstatuan 2 automjete të ngarkuara me lëndë drusore, pa dokumentacion. Automjetet dhe lënda drusore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. K., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, shtetases L. K., e cila është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset V. K., 40 vjeçe dhe V. Ll., 49 vjeçe, banuese në Rubik, pasi ka kallëzuar shtetasja K. P., 61 vjeçe, banuese në Rubik, se këto dy shtetase e kanë fyer dhe kanosur në rrjetin social “Tik Tok”, si dhe kanë publikuar video të saj.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Shëngjin, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan shtetasin A. L., 37 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë ndaj gjyshërve të tij, si dhe iu ka dëmtuar derën e banesës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin I. P. allias I. A., 26 vjeç, banues në fshatin Turan, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrestit në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Korçës.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. F., 46 vjeç, banues në fshatin Dvoran, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti është përplasur me një pemë. Nga përplasja është dëmtuar lehtë 46-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi N. O., 41 vjeç, banues në fshatin Selcë e Poshtme, se ka konstatuar një gropë të hapur në vendin e quajtur “Varezat ilire”. Nga kontrolli në këtë vend nuk janë konstatuar dëmtime të varrezave apo monumenteve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Xh. B., 28 vjeç, banues në fshatin Podgorije, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Korçë/Më datë 20.07.2025, rreth orës 23:00, në lagjen nr.6, ka humbur jetën, në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi M. L., 83 vjeç.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. D., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se dje, në lagjen “Kiras”, ka thyer xhamin e një automjeti të parkuar dhe ka dëmtuar një llambadar të xhamisë në këtë lagje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. M., 41 vjeç, dhe E. A., 28 vjeç, pasi kanë kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. S., 28 vjeç, banues në Koman, pasi dyshohet se ka goditur me grusht, shtetasin E. V., 21 vjeç, për motive të dobëta.

-Më datë 20.07.2025, ka kallëzuar shtetasi A. M., 34 vjeç, se i kanë vjedhur një shumë parash, në banesën e saj, në lagjen “Mark Lula”, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve vunë në pranga shtetasin A. H., 33 vjeç, banues në Tepelenë, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin K. R., 22 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi u konstatua duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa dokumentacion;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. A., 43 vjeç, banues në Ksamil, pasi në aksin rrugor “Buz-Luftinjë”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin I. L. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 3 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. A., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 18.07.2025, për shpalljen në kërkim të shtetasit E. Zh., 65 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, në tokën e shtetases V. Ç., bëjmë me dije se ky shtetas është kapur dje, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Kakavijë, në hyrje. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për këtë shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shpallën në kërkim shtetasin Xh. Ç., 27 vjeç, pasi në rrugën “Ali Demi”, dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht, me një 21-vjeçar. Punohet për kapjen e 27-vjeçarit, si dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 shpallën në kërkim shtetasen T. D., 33 vjeçe, pasi dyshohet se i ka vjedhur një shumë parash, një shtetaseje, si dhe e ka kanosur atë, për të tërhequr kallëzimin për vjedhjen. Punohet për kapjen e 33-vjeçares, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 50 vjeç, pasi dyshohet se gjatë punimeve të ndërtimit në një pallat në administrim të tij, ka rrëshqitur nga skela, punonjësi, shtetasi S. T., 42 vjeç, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 46 vjeç, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka zënë një hapësirë publike, në rrugën “Vasil Tomara”, për ta shfrytëzuar si lokal.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-E. C., 58 vjeç dhe Sh. Z., 53 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
-A. M., 43 vjeç, sepse pasditen e djeshme, në rrugën “Andon Frashëri”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin I. B., 55 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën, sot, në spital.

Dje, kallëzuan shtetasit:
-M. K., 55 vjeçe, se ishte kanosur në rrjete sociale, nga një shtetas, për t’i dhënë para, në mënyrë që të mos i publikonte foto të saj. Si rezultat i hetimeve, Policia e ka identifikuar autorin dhe po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit;
-M. M., 28 vjeçe, se i kishin hapur një llogari në rrjete sociale, me kredencialet e saj. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ëve të rastit;
-Xh. Q., 34 vjeç, se foshnja e tij ka humbur jetën, në spital, si pasojë e neglizhencës në trajtimin mjekësor. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin e mëtejshëm.

Informacion paraprak/Me datë 22.07.2025, rreth orës 00:50, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A. U., 23 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar lehtë me një mjet prerës gjatë një konflikti. 23-vjeçari pas marrjes së asistencës mjekësore kaloi për në banesë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.