Raporti i ngjarjeve, 22 dhjetor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Fier-Një tjetër shpërndarës droge, në pranga, si rezultat i aksioneve të kryera në vijim të megaoperacionit “Tempulli”.30-vjeçari i arrestuar u kap në flagrancë në një lagje të qytetit, me doza kokaine me vete dhe në automjet, si dhe me një shumë parash të përfituara nga shitja e dozave.Sekuestrohen dozat, paratë, automjeti me të cilin kryhej shpërndarja dhe 5 celularë.Nga kontrollet intensive në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura te inteligjenca policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, konstatuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.Për rastin u arrestua në flagrancë, në lagjen “8 shkurti”, shtetasi E. K., 30 vjeç, banues në Fier.Gjatë kontrolleve fizike dhe në automjetin e 30-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e tyre dhe 5 celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. 

DVP Elbasan/Vijojnë kontrollet për të goditur veprimtaritë kriminale që janë fokus i megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.Bazuar në inteligjencën policore, goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike.Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, një sasi metadoni dhe një sasi kanabisi në formë çokollate.Vihet në pranga 55-vjeçari që dyshohet se posedonte armën e zjarrit dhe metadonin, procedohet penalisht 26-vjeçari (nipi i tij) që dyshohet se shpërndante doza lëndësh narkotike.Si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe një rast të shitjes së lëndëve narkotike.Në vijim të veprimeve për këto raste u vu në pranga shtetasi D. Ç., 55 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. M., 26 vjeç (nipi i 55-vjeçarit), banues në të njëjtën banesë, në Elbasan.Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi metadoni, të cilat dyshohet se i posedonte 55-vjeçari. Gjithashtu, 26-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis në formë çokollate.Pistoleta, metadoni dhe kanabisi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.      

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 49 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste– 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste- 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 3 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufirit shtetëror, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 3 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Shkatërrimi i pronës”, për të cilin vijojnë hetimet;

-nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Dhunimi i banesës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, është kapur dhe ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.