Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
PKK Port Durrës
Paraqiti në sportel, në dalje, dokumente bullgare false, arrestohet shtetasi turk.
Sekuestrohen pasaporta dhe karta e identitetit që paraqiti ky shtetas.
Në vijim të punës kundër paligjshmërive në kufi, që kryhet në bazë të analizës së riskut, si dhe pas kontrolleve dhe verifikimeve, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit vunë në pranga shtetasin turk Y. R., 35 vjeç, banues në Turqi.
35-vjeçari tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë dhe kartë identiteti bullgare, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.
DVP Vlorë
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve kapi dhe ndaloi shtetasin Sh. H., 32 vjeç, banues në Maminas, i cili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 23.10.2024, ka ndihmuar 5 shtetas indianë, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për rënien e një punëtori nga kati i katërt i një pallati në ndërtim, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin L. C., 42 vjeç, banues në fshatin Babicë e Vogël, me detyrë administrator i firmës që po kryente punimet për ndërtimin e këtij pallati, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. G., 70 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues në këtë firmë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se punëtori, shtetasi A. Sh., 27 vjeç, ka rënë aksidentalisht nga kati i katërt i pallatit në ndërtim, gjatë përdorimit të një makinerie për të cilën nuk ishte i trajnuar. 27-vjeçari po merr mjekim në Spitalin e Traumës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste. Janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste. 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve ekonomike. 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për vjedhje të mëparshme, janë ndaluar 5 shtetas, identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste. 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 shtetas të vënë në pranga. Gjithashtu, është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për këtë vepër;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprave penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mashtrimi në sigurime”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.