Raporti i ngjarjeve, 21 maj 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 72 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre në fushën e kultivimit, me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 11 raste. 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 23 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të falsifikimit. 1 shtetas është arrestuar dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim;

-3 raste të krimeve kibernetike. Për 2 po hetohet për të përcaktuar autorësinë, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të ngacmimit seksual. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i shpërdorimit të detyrës dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, për të cilat po hetohet për të zbardhur autorësinë;

-1 rast i përndjekjes, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i vetëgjyqësisë, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe marrjes së padrejtë të fëmijës, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të akuzuar për shkelje të fshehtësisë së votimit, janë ndaluar.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për raste të tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.