Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Fier/Finalizohet operacioni i koduar “The end”.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka ekzekutuar vendimin e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive mbi një llogari bankare me 30 000 euro që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale të kryera nga një 30-vjeçar.
30-vjeçari, i arrestuar në Greqi, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”.
Në kuadër të një hetimi të kryer për disa muaj, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem Fier, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në zbatim të vendimit të kësaj prokurorie, ka vendosur sekuestro preventive mbi një llogari bankare me shumën 30 000 euro, në emër të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Fier.
Vijon puna hetimore për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi, që mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mobilieri”.
Kanosi pronarin e një mobilierie, për t’i dhënë 4000 euro, arrestohet në flagrancë, teksa merrte paratë në mobilieri, 55-vjeçari.
Gjithashtu, punohet për kapjen e një 23-vjeçari që dyshohet se ka bashkëpunuar me të arrestuarin, për të kanosur pronarin e mobilierisë.
Sekuestrohen shuma e parave, 2 celularë, si dhe 2 automjete dhe 1 motomjet në përdorim nga 2 shtetasit e implikuar në këtë rast.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm, pas denoncimit të një 50-vjeçari, se kanosej nga 2 shtetas, për t’iu dhënë 4000 euro, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan kryen një hetim proaktiv, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mobilieri ”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, teksa merrte shumën e eurove, në mobilierinë e 50-vjeçarit, shtetasi P. B., 55 vjeç. Gjithashtu, si bashkëpunëtor për rastin, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 23 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Kavajë
Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur, në mënyrë të përsëritur, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas kallëzimit nga një shtetase 15 vjeçe, se babai i saj kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, gjatë 4 viteve të fundit, menjëherë kanë organizuar punën për verifikimin e këtij kallëzimi dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u vu në pranga shtetasi B. R., 48 vjeç, banues në Golem, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në kuadrin e një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, ka finalizuar operacionin e koduar “Medusa”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit:
-A. Sh., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”;
-B. K., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë iu gjetën rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 45 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për një vrasje të kryer më parë në Greqi, janë ndaluar nga Policia e Korçës, 2 shtetas.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fyerja”, “Braktisja e fëmijëve të mitur” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, është ndaluar.
Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.