Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vijon me intensitet operacioni “Para drejtësisë”, arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe një person i kërkuar për mashtrim.
Policia e Shtetit, në kuadër të masave të marra për zbatimin e operacionit “Para drejtësisë”, vijon me intensitet shkëmbimin e informacionit me vendet e organizatat partnere për arrestimin, ekstradimin, sjelljen drejt Shqipërisë dhe vendosjen në dispozicion të organeve të drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga bashkëpunimi i “Interpol Tirana” me “Interpol Abu Dhabi” është bërë e mundur më datë 20.08.2024 arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind Cekaj. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin penal të datës 18.10.2023, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit, grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal.
Pas hetimeve ka rezultuar se, shtetasi Erlind Cekaj, në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur “IT PumaTS/SM Company”, të lidhur me kompaninë “Milton Group”, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese dhe vepronin në mbarë botën. Ky rrjet drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, etj.
Rrjeti kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese, si “Absolut Global Markets”, “AurumPro”, “Finaxis”, etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e Bashkimit Europian, duke u shkaktuar atyre dëme financiare që arrijnë në miliona euro.
Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende, si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria, nën koordinimin e “Eurojust”.
Shkodër/Vijon intensivisht megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat i kontrolleve në terrene shumë të vështira malore, asgjësohen 2848 bimë cannabisi.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të 74 prej këtyre bimëve, në vendin e quajtur “Lugu i thive”.
Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në terrene shumë të vështira malore në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin Gj. Sh., 48 vjeç, pasi dyshohet se ka kultivuar 74 bimë cannabisi, në vendin e quajtur “Lugu i thive”. Punohet për kapjen e 48-vjeçarit. Gjithashtu, këto shërbime gjetën dhe asgjësuan në territoret e njësive administrative Pult, Shosh dhe Postribë, 1986 bimë të tjera cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shkrel, 508 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësisë administrative Shllak, 182 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësisë administrative Luf-Qerret, 98 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.
Memaliaj
Vijojnë intensivisht hetimet për të zbardhur vrasjen e shtetasit F. A, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore e nxjerrë përpara përgjegjësisë penale të gjithë personat e implikuar në këtë rast.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor dhe të drejtuara nga Prokuroria e Gjirokastrës me prokurorin e çështjes Bledar Bala, vihen në pranga 2 shtetas, babë e bir.
Njëri nga të arrestuarit, bashkëpunëtor për kryerjen e vrasjes, ndërsa djali i tij ka përkrahur autorin e krimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për vënien në pranga të autorit tjetër të vrasjes, i cili u identifikua që dje nga Policia, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura gjenealitetet e tij.
Në vijim të veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore, të kryera nga një grup i posaçëm hetimor, menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të shtetasit F. A., 72 vjeç, rreth orës 06:40, të datës 20.08.2024, në përroin e fshatit Zhapokikë, shtetas i cili dyshohet se është vrarë me mjet prerës, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër arrestoi në flagrancë shtetasit:
-S. A., 71 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
-B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 71-vjeçari ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin O. B., 42 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. T., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin J. C., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin H. A., 32 vjeç, banues në Angli, pasi në rrugën “Nikola Tupe”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me dy automjete të parkuara, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Komisariati i Policisë Berat arrestoi në flagrancë shtetasin D. Sh., 28 vjeç, banues në lagjen “Çlirim”, pasi gjatë natës, dyshohet se ka vjedhur një sasi Metadoni, në ambientet e Poliklinikës Qendrore, Berat.
Komisariati i Policisë Kuçovë arrestoi në flagrancë shtetasin Ll. N., 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 mjet prerës (thikë) dhe 2 përforcuesë grushti.
Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin J. G., 60 vjeç, banues më Kuçovë, pasi në fshatin Mbreshtan, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit mbi automjetin që drejtonte, automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjere në këtë automjet.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. Sh., 36 vjeç, banues në Skrapar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 00:50, në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”, dyshohet se një automjet ende i paidentifikuar ka aksidentuar shtetasin këmbësor, L. D., 63 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkaq, grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Bashkëpunimi midis Interpol Tirana dhe Interpol Athina mundëson arrestimin dhe ekstradimin e një të kërkuari nga Greqia në Shqipëri
Më datë 20.08.2024, pas një bashkëpunimi intensiv dhe shkëmbimi informacioni mes Interpol Tirana dhe Interpol Athina u realizua arrestimi dhe ekstradimi nga Greqia i shtetasit Kujtim Demiri.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë 06.01.2018, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin e datës 01.02.2010, e ka dënuar me 15 vjet burg, për veprën penale “Trafikikimi të miturve”, parashikuar nga neni 128/b/2 , i Kodit Penal.
Sipas vendimit, shtetasi Kujtim Demiri ka marrë nga Shqipëria në Greqi fëmijën e mitur H.S i datëlindjes 12.06.1993 dhe e ka shfrytëzuar për të lypur në Greqi nën ushtrimin e dhunës.
Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana vazhdojnë angazhimin për sjelljen në Shqipëri dhe vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste. Për 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas, është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 2 shtetas të shpallur në kërkim janë ndaluar, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike- me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për 1 rast vijojnë hetimet për të zbardhur autorësinë, ndërsa për raste të tjera në këtë fushë, 1 shtetas është ndaluar dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprimeve në kundërshtim me vendimet e gjykaatve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i krimeve kibernetike dhe 1 rast i trafikimit të mjeteve motorike, me autorë të paidentifikuar;
-1 rast i shpërdorimit të detyrave, për të cilin vijojnë hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë;
-nga 1 rast i veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, me nga 1 shtetas të vënë në në pranga;
-1 rast i veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, është ndaluar.
1 shtetase e kërkuar për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, është ndaluar
Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 8 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për raste të tjera, 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.