Raporti i ngjarjeve, 20 shtator 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vau i Dejës/Vijojnë megaoperacionet “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”. Goditen një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet një 36-vjeçar, pasi kishte kultivuar 462 bimë narkotike, në pronën e tij, në fshatin Hajmel. Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i këtij fshati, për shpërdorim detyre. Në pranga dhe një 50-vjeçar, sepse gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me municion luftarak. Në vijim të megaoperacioneve kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke përdorur dronë për monitorim ajror, kanë konstatuar se në mes të një parcele me misër në fshatin Hajmel, ishin kultivuar 462 bimë kanabisi. Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Rr., 36 vjeç, banues në fshatin Hajmel, i cili po kujdesej për bimët narkotike, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Hajmel, shtetasin F. K., 69 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi M. N., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij, ngjitur me pronën e 36-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste- 6 prej tyre në fushën e narkotikëve, 5 me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër është vënë në pranga 1 shtetas. Për rastet e tjera në këtë fushë, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 3 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë;
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.