Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje kriminale në familje.
Kapet dhe vihet në pranga një 46-vjeçar që kishte ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij dhe i kanoste ata se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mark Bajraktari”, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj familjarëve të tij dhe po i kanoste ato me sëpatë, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë F. H., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, pasditen e djeshme, në rrugën “Mark Bajraktari”, ka ushtruar dhunë ndaj vëllait dhe bashkëshortes së vëllait të tij, si dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë.
Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sarandë
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Strike 7”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë.
U kap në flagrancë me armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do t’i shiste në qytetin e Sarandës, vihet në pranga 18-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një 20-vjeçar, si dhe procedohet në gjendje të lirë për shkak të moshës një 17-vjeçar, pasi dyshohet se kishin dijeni për këtë veprimtarinë kriminale.
Sekuestrohen arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 7”, për goditjen e një rasti në këtë fushë.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L. V., 18 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, i cili në momentin e ndalimit nga Policia udhëtonte me një motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën 1 armë zjarri pushkë, krehër dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi O. Xh., 20 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se kishin dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasit L. V.
Arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shkon 53 numri i shtetasve të vënë në pranga në kuadër të këtij megaoperacioni, në nivel qarku.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera me intensitet nga Policia e Durrësit, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2”, si dhe i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që prodhojnë dhe/ose shesin lëndë narkotike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës ndaluan shtetasin E. C., 32 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, pasi nga hetimet dyshohet se është implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tropojë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Tropojë, operacioni policor i koduar “Dubrava”.
Iu gjetën në automjet dhe në banesë, armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe lëndë narkotike cannabis sativa, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari.
Sekuestrohen pistoleta, municioni, droga dhe automjeti i 29-vjeçarit.
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, për goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukeses operacionin policor të koduar “Dubrava”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Rr. M., 29 vjeç, banues në fshatin Bujan.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Dubrava”, shërbimet e Policvisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin Rr. M., në të cilin gjetën 1 armë zjarri pistoletë, muncion luftarak dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit, gjetën një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, 3 karikatorë dhe municion luftarak.
Pistoleta, municioni, droga dhe automjeti që drejtonte 29-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
DVP Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të këtij Komisariati, kapën dhe ndaluan shtetasin E. U., 34 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se më datë 17.02.2024, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes se tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. H., 26 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. F., 20 vjeç, banues në fshatin Qarr, Fier, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. B., banues në Ballsh, pasi ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij, në fshatin Panahor, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë dëmtuar disa pemë ulliri, në tokën e një shtetasi tjetër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 2 shtetas të kërkuar për vepra penale në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Ka ndodhur një tentativë për vrasje, me 1 shtetas të vënë në pranga.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas ështëë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër është shpallur në kërkim 1 shtetas.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të prishjes së qetësisë publike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Dhunimi i varreve”, me autor/ë ende të paidentifikuar;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të mitur të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
Për raste të mëparshme të veprave penale:
-“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetas;
-“ Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas.
16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Kanë ndodhur4 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.