Raporti i ngjarjeve, 20 qershor 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Statment”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi R. A., 34 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Ky shtetas, duke qenë i punësuar në një kompani nga e cila kryente depozita të ndryshme bankare, mashtronte duke depozituar shuma më të vogla parash se shumat reale. Nëpërmjet mashtrimit, ky shtetas ka përvetësuar 27 000 euro dhe në vendin e tij të punës, ka paraqitur dokumente (mandate) të dyshuara të falsifikuara.Materialet i kaluan Prokurorisë.
Korçë/Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt midis disa shtetasve, të ndodhur në lagjen nr. 17, Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, vijuan veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore u ndaluan shtetasit: M. J., 18 vjeç (i dëmtuari nga konflikti i djeshëm) dhe A. B., 40 vjeç, banues në Korçë. Nga veprimet e thelluara hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, disa ditë më parë, dyshohet se kanë goditur fizikisht njërin nga shtetasit e shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e djeshme, konkretisht A. D., 27 vjeç, banues në Korçë dhe dyshohet se i kanë hequr lirinë një shtetasi tjetër, ku për arsye hetimore, nuk mund të jepen të dhëna të tjera. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasve S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste-2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste-3 shtetas janë vënë në pranga, 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 4 janë shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 4 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste – 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, 1 shtetas është vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgyqësia”, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 7 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.