Raporti i ngjarjeve, 20 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Komisariati i Policisë Lezhë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. M., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase dhe ka dëmtuar disa pemë në pronësi të saj.

Komisariati i Policisë Kurbin arrestoi shtetasin G. Z., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar vajzën e tij të mitur, si dhe se ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. N., banues në fshatin Dajç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Zbulohet një lokal i përshtatur për lojëra fati (baste sportive).

Arrestohet shtetasi F. K., 18 vjeç, banues në Durrës, organizatori i lojërave të fatit, procedohet në gjendje të lirë shtetasi F. K., 27 vjeç, banues në Durrës, pronari i lokalit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në një lokal në lagjen nr. 15, Durrës, viheshin baste sportive. Shtetasi F. K. e kishte përshtatur lokalin e tij, për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit (baste sportive), të cilën e organizonte shtetasi F. K., nëpërmjet  celularëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shpenzimet”.

Vodhi 2 500 000 lekë të rinj në fabrikën që administronte, një pjesë xhiro ditore dhe pjesën tjetër duke mashtruar se do të blinte një automjet për fabrikën, kapet dhe vihet në pranga 38-vjeçari.

Gjatë operacionit, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan kapi dhe ndaloi shtetasin A. B., 38 vjeç, banues në Elbasan.

Pas hetimeve, Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar ndalimin e 38-vjeçarit, pasi akuzohet se gjatë një viti, ka vjedhur në fabrikën për prodhimin e nënprodukteve të mishit, që administronte, 2 500 000 lekë të rinj. Shuma dyshohet se është vjedhur nga xhirot ditore, si dhe duke mashtruar se do të blinte një automjet për fabrikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Border 13”.

Transportonte 5 emigrantë që të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi, arrestohet 24-vjeçari.

Në pranga dhe 2 vëllezër, të cilët lëviznin me automjet tjetër, përpara automjetit ku ishin emigrantët, për të shmangur Policinë.

Sekuestrohen të dyja automjetet, si dhe 6 celularë.

Gjatë operacionit, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, arrestuan shtetasit B. P., 24 vjeç, banues në Krujë, A. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi B. P. u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Sarandë-Qeparo”, duke transportuar 5 emigrantë iranianë që synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Shtetasit A. B. dhe A. B. (vëllezër) u kapën duke lëvizur me automjet tjetër, përpara automjetit që drejtonte shtetasi B. P., për të shmangur kontrollet e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 102 shtetas, konkretisht: 37 shtetas janë vënë në pranga, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste. Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është ndaluar dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje. 2 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste. 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Dhunimi i banesës” dhe “Kallëzimi i rremë”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

17 shtetas u vunë në pranga dhe 2 shtetas u shpallën në kërkim, për krime kibernetike.

4 shtetas u vunë në pranga dhe 2 shtetas u shpallën në kërkim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

1 shtetas është ndaluar dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim, për shpërdorim të detyrave.

5 shtetase janë proceduar në gjendje të lirë për ushtrim të prostitucionit.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.