Raporti i ngjarjeve, 20 gusht 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Mirditë/Informacion paraprak

Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njesia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.

Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati.

Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat.

Durrës/Goditje të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kundër shitjes në doza, të drogave të forta.

Shiste doza kokaine, në lokalet e natës, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine dhe automjeti me të cilin ky shtetas i shpërndante ato.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. H., 31 vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli në automjetin me të cilin lëvizte ky shtetas, në rrugën “Adria”,  shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza të cilat ky shtetas dyshohet se synonte t’i shiste në lokalet e natës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Port, Durrës/Vijon zbatimi i planit operacional të përbashkët të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Ambasadës së Mbretërisë të Bashkuar në Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Konstatohet dhe goditet një rast i tentativës për të futur në Shqipëri, pa deklaruar, sende me vlerë që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Procedohen penalisht 2 drejtues të autobusit ku u gjetën sendet.

Ndërkaq, Policia ka identifikuar pritësin e sendeve me vlerë, dhe vijon intensivisht punën për kapjen e tij.

Sekuestrohen një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, 2 celuarë dhe 2 pasaporta.

Në bazë të analizës së riskut dhe si rezultat i përdorimit të metodave bashkëkohore të kontrollit, që po kryhen në zbatim të planit operacional të përbashkët të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Ambasadës së Mbretërisë të Bashkuar në Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës goditën në hyrje të Republikës së Shqipërisë, një rast të tentativës për të futur në Shqipëri, pa deklaruar, sende me vlerë.

Nga kontrollet në vijë të dytë, në autobusin që kishte drejtues të parë dhe të dytë, përkatësisht  shtetasit E. N., 34 vjeç dhe F. R., 37 vjeç, u gjet një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për të dy këta shtetas, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Në vijim, si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi M. T., 59 vjeç, i cili dyshohet se do të priste bizhuteritë në Shqipëri. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Malësi e Madhe/Hetime proaktive intensive po kryhen për të identifikuar dhe arrestuar autorët e kultivimit të bimëve narkotike të asgjësuara gjatë megaoperacionit “Territor i pastër”.

Bashkautorë për kultivimin e 2464 bimëve narkotike, në fshatin Selcë, të asgjësuara nga Policia, më datë 03.07.2024, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Njëri prej tyre ishte shpallur në kërkim gjatë megaoperacionit, ndërsa tjetri u identifikua nga hetimi proaktiv njëmujor, i kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës.

Në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kapi dhe vuri në pranga shtetasit D. R., 57 vjeç, banues në Elbasan dhe S. K., 39 vjeç, banues në fshatin Hot.

57-vjeçari ishte shpallur në kërkim, më datë 03.07.2024, si autor i dyshuar i kultivimit të 2464 bimëve narkotike cannabis sativa, në fshatin Selcë, ndërsa shtetasi S. K. u identifikua si bashkautor në këtë veprimtari kriminale, si rezultat i hetimit proaktiv.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit/Në 7 muaj, 58 ekstradime dhe 80 arrestime me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe strukturat e saj të specializuara të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe hetimit të krimeve vazhdojnë të jenë të përqendruara në vendosjen përpara drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar. Duke rritur ndjeshëm shkëmbimet e informacionit dhe përdorimin e të gjithë formave dhe metodave të punës policore është mundësuar kapja dhe sjellja në Shqipëri, me qëllim vënien përpara drejtësisë, e shumë personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. 

Vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2024 janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë 80 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga të cilët 74 shtetas shqiptarë dhe 6 shtetas të huaj.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë, janë ekstraduar dhe transferuar drejt vendit tonë 58 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga të cilët 53 shtetas shqiptarë dhe 5 shtetas të huaj.

Sjellja në Shqipëri dhe vendosja në dispozicion të drejtësisë e personave të shumëkërkuar nga Prokuroria e Posaçme ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë muajit Gusht 2024. Falë punës profesionale, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe agjenci të ndryshme ligjzbatuese, është mundësuar arrestimi i personave të hetuar dhe të dyshuar për disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, për të cilët Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë vendimet për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe “Interpol Tirana” vijon me intensitet shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacionit me shtetet dhe organizatat partnere për personat e kërkuar nga drejtësia, krahas punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale.

Mesazhi i Policisë së Shtetit është i qartë: “Nuk ka krim, pa ndëshkim”.

Ksamil

Krijuan vendbazime për mjetet e tyre lundruese, pa lejen e organeve kompetente, procedohen penalisht 6 shtetas.

Në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë Detare, Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe me IVMT bashkia Sarandë, u hoqën 10 pedanë të vendosur në det, në Ksamil.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që kanë krijuar këto vendbazime, në kundërshtim me ligjin.

Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë Detare, Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe me IVMT bashkia Sarandë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se disa shtetas kishin vendosur pedanë në det, në Ksamil, për të krijuar vendbazime të pamiratuara për mjetet e tyre lundruese, kanë kryer menjëherë kontrolle në zonë, me qëllim goditjen e kësaj paligjshmërie dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Konkretisht, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, Ksamil, u hoqën 10 pedanë të vendosur në det, pa lejen e organeve kompetente, të cilat shërbenin si vendbazime për mjetet lundruese, kryesisht për Jet Ski-të.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, Sektori për Hetimin e Krimeve i Komisariati të Policisë Sarandë referoi materiale në Prokurori, ku nisi procedimin në gjendje të lirë për 6 autorë të dyshuar të vendosjes së këtyre objekteve, shtetasit D. M., S. D., F. H., S. P., E. M. dhe D. B..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë iu bën thirrje të gjithë shtetasve, të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi për zonat bregdetare dhe ato ujore, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet penale, si dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve në plazhet e zonës.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 26 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste. Për 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas. 1 shtetas është identifikuar për një rast të mëparshëm dhe është shpallur në kërkim.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 8 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 1 shtetas është ndaluar për një rast të mëparshëm në këtë fushë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-11 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Goditjet për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Ngacmimi seksual”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, është kapur dhe ndaluar.

1 shtetase e kërkuar për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, është kapur dhe për të ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 2 viktima dhe 1 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 13 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.