Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Tentoi të dilte nga Shqipëria, nëpërmjet PKK Morinë, duke qenë në kërkim për një tentativë për vrasje me armë zjarri, kryer një vit më parë, vihet në pranga 48-vjeçari.
Si rezultat i verifikimeve, koordinimit të punës dhe të informacioneve, me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, për një shtetas të ndaluar në tentativë për të dalë nga Shqipëria, ndërkohë që ishte në kërkim si autor i dyshuar i një tentative për vrasje me armë zjarri, të kryer një vit më parë, në Durrës, Komisariati i Policisë Durrës vuri në pranga shtetasin F. K., 48 vjeç, banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tantativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vitin 2023, dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, në rrugë, në lagjen nr. 8, shtetasi F. K. ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi F. Sh.. Nga të shtënat nuk pat shtetas të dëmtuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni polior i koduar “Kredia”.
Iu merrnin qytetarëve, nëpërmjet mashtrimit, kartat e identitetit dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimeve nga disa shtetas se mjetet e tyre të identifikimit ishin përdorur nga shtetas të tjerë, për të aplikuar për kredi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i punës së shpejtë hetimore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. H., 28 vjeç, banues në fshatin Vidhisht, dhe F. S., 29 vjeç, banues në Patos.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet mashtrimit, iu merrnin qytetarëve, kartat e identitetit, dhe i përdornin ato për të aplikuar për kredi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, një shumë parash dhe disa fatura.
Vijon puna hetimore për të dokumentuar raste të tjera të mashtrimit që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Komisariati i Policisë Berat arrestoi në flagrancë shtetasin D. Sh., 28 vjeç, banues në fshatin Gjoroven, pasi u konstatua se lëvizte me automjet, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për vjedhje.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. A., 25 vjeç, banues në Berat, pasi në biznesin e tij për riparim automjetesh, kishte punësuar një shtetas, pa e siguruar në organet tatimore.
Komisariati i Policisë Kuçovë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. K., banues në Kuçovë, pasi u konstatua se në banesën e tij, kishte kryer punime ndërtimi, pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin E. Ç., 23 vjeç, banues në fshatin Barç, pasi u kap në bulevardin “Republika”, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Komisariati i Policisë Pogradec arrestoi në flagrancë shtetasin D. M., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin F. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin J. B., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal.
Gjithashtu po nga këta specialistë u arrestua shtetasi R. C., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të motomjetit të tij shërbimet e Policisë i gjetën një përforcues grushti, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:
-R. D., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të tij shërbimet e Policisë i gjetën një përforcues grushti, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-A. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” si dhe dyshohet se ka vjedhur një monopatinë elektrike. Gjatë kontrollit fizik të 28-vjeçarit shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu po nga këta specialistë u ndalua shtetasi K. A., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një shtetase, pa dëshirën e saj.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
-O. K., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. L., dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale;
-H. K., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, është përplasur me një automjet tjetër dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale;
-E. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-K. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Rrugën e Barrikadave, duke drejtuar motomjetin është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin R. A., 40 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 40-vjeçari dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
-A. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi në dalje të parkimit te sheshi “Skënderbej” është përplasur me mjetin me drejtues shtetasin E. A., dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 4 në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, 2 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim, për 2 vjedhjet e tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 29 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, me autorë të paidentifikuar;
-2 raste të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht për: mashtrim, tentativë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, kalim të kundërligjshëm të kufirit, dhunë në familje ose krime kundër mjedisit.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.