Raporti i ngjarjeve, 2 prill 2026

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin E. B. alias E. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. A., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasja S. Q., se ai e ka kanosur nëpërmjet celularit dhe ka ndërruar bravën e banesës që ajo ka blerë, me pretendimin se prindërit e tij ia kanë shitur asaj, pa pëlqimin e tij;
-S. Xh., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëjetueses së tij;
-M. L., 60 vjeçe dhe M. D., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi kanë kanosur me fjalë njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-A. L., 59 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij, për motive të dobëta.
U kap shtetasi në kërkim D. S., 23 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për veprën penale “Dhuna në familje”. Pas komunikimit me Prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në Rrushkull, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur dhe fyer një shtetas të moshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, është paraqitur në spital, shtetasi K. B., 21 vjeç, i cili dyshohet se aksidentalisht, gjatë punës në restorant, është dëmtuar me thikë, në dorë, nga kolegu i tij. 21-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 46 vjeç, banues në fshatin Prishtë, Skrapar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe ka tentuar të godasë me sëpatë, babanë e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. V., 40 vjeç, banues në Dimal, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 39 vjeç, banues në Dimal, pasi ka shqetësuar nëpërmjet celularit, ish-bashkëshorten e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Shkodrës/Monitorim intensiv, me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, gjatë muajit Mars, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.

Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Shkodrës, konstatimit i rasteve të drejtimit të mjetit, në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, shkelje të cilat rezultojnë burime parësore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.

✅ Si rezultat i monitorimit, gjatë muajit mars, janë proceduar penalisht 33 shtetas, prej tyre:
-10 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi;
-23 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

✅ Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht:
-1335 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
-621 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
-396 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
-164 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
-245 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-42 drejtues automjetesh, për përdorim të aparateve telefonike;
-31 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
-1153 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

ℹ️ Kontrollet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në parandalimin e aksidenteve në veçanti dhe në sigurinë rrugore në tërësi .

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 58 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Maliq/Në Komisariatin e Policisë Maliq, ka kallëzuar shtetasja F. Xh., 60 vjeçe, banuese në fshatin Velitërnë, se kur është rikthyer në banesën e saj, dy ditë pasi ishte larguar, ka konstatuar se i mungonte një shumë parash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Korçë/Informacion paraprak

Mëngjesin e sotëm, në fshatin Bulgarec, Korçë, është gjetur pa shenja jete, në banesën e tij, ku jetonte vetëm, shtetasi G.(M). V., rreth 78 vjeç. Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
-Rr. Xh., 36 vjeç dhe R. A., 32 vjeç, pasi gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, iu gjet secilit, një sasi Kokaine;
-F. K., 51 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. F., pasi gjatë kontrolleve nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, iu gjetën sasi Kokaine. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., pasi dyshohet se ka kundërshtuar një punonjës të Policisë, për shkak të detyrës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-arrestuan shtetasin R. T., 29 vjeç, pasi iu gjetën 2 armë të ftohta;
-shpallën në kërkim shtetasin E. B., pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, i ka marrë një automjet, shtetasit D. L., dhe nuk ia kthyer më. Punohet për kapjen e shtetasit E. B. dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin S. K., 37 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Y. M., pasi 37-vjeçari ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka vjedhur një celular të cilën më pas e ka përvetësuar shtetasi Y. M.;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., pasi dyshohet se ka përndjekur shtetasen A. B.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. M. dhe S. K., pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive pronësie;
-T. Z., pasi dyshohet se ka kanosur një shtetase, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin V. M., 33 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin E. B., 19 vjeç, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin K. L. Si pasojë është dëmtuar shtetasi K. L. dhe pasagjerja në motomjetin e tij, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. C. dhe për një shtetas të mitur, pasi automjeti që drejtohej nga shtetasi M. C. është përplasur me motomjetin që drejtohej pa leje nga i mituri. Si pasojë është dëmtuar i mituri, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

-Më datë 01.04.2026, kallëzoi shtetasi A. J., se një shtetas që nuk e njeh, gjatë një konflikti verbal të çastit, e ka kanosur dhe i ka dëmtuar xhamin e automjetit. Punohet për identifikimin e këtij shtetasi dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë:
-vunë në pranga shtetasin A. B. alias A. S., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Lezhës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ky shtetas u ndalua në PKK Hani i Hotit, në dalje të RSh-së;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 67 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me shpullë, një shtetase 42 vjeçe.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin:
-arrestuan në flagrancë shtetasin B. G., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në një dyqan. Shuma e parave u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Z. L., 64 vjeç, banues në fshatin Fushë Kuqe, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur një shtetas 83 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Divjakë

Kapet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim, i dënuar me 4 vjet burgim, për kultivim të bimëve narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit në kërkim:

-D. S, 33 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor, Divjakë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet burgim, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të kryer 1 vit, 10 muaj e 4 ditë.

Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas u kryen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, me masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin N. B., 56 vjeç, pasi më datë 25.03.2026, është dënuar me 2 vjet burgim, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Nga ky dënim, 56-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 6 muaj burgim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. T., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. Xh., 55 vjeç, pasi qeni që mbante, ka kafshuar në këmbë, një 61-vjeçar.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-R. M., 17 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjet, pa leje drejtimi;
-K. M., 26 vjeç, pasi në aksin rrugor “Peqin–Elbasan”, automjeti që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. K., 35 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën;
-A. H., 49 vjeç, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur, ka dalë nga karrexhata në aksin rrugor “Rrajcë–Skënderbe”. Si pasojë është dëmtuar 49-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Elbasanit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. H., 47 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 18 vjeç, banues në fshatin Trush, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-D. P., 37 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi dyshohet se është larguar nga banesa, bashkë me fëmijën e mitur, pa miratimin e bashkëshortes së tij;
-A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi ka kallëzuar shtetasi P. H., 64 vjeç, banues në fshatin Mjedë, se kamerat e vendosura te banesa e 34-vjeçarit filmojnë edhe pronën e tij.
Më datë 01.04.2026, ka kallëzuar shtetasja A. V., 37 vjeçe, se është hapur një llogari në rrjetin social “TikTok”, ku postohen përmbajtje fyese dhe denigruese për të. Vijojnë hetimet mbi këtë kallëzim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe/Rreth orës 10:30, në fshatin Kalldrun, është gjetur në liqen, trupi i pajetë i shtetases Gj. K., 85 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëmbytur. Sipas kallëzimit të vajzës së saj, shtetasja Gj. K. ishte larguar nga banesa, dje paradite, dhe vuante nga skleroza.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale një tjetër fazë e operacionit kombëtar, të koduar “Operacionalja”, për kapjen e shtetasve në kërkim, me rrezikshmëri të lartë.

Tentoi të vriste me armë zjarri në Shkodër një 21-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Në pranga edhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” i kërkuari.

Sekuestrohet automjeti tip “Audi”.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës mbi vendndodhjen e një shtetasi me precedent për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje, si dhe i veprimeve operacionale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”, u ndalua në Tiranë shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.

Prokuroria e Shkodrës kishte lëshuar urdhër për ndalimin e tij, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

32-vjeçari akuzohet se më datë 16.01.2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. M., 21 vjeç.

Po gjatë operacionit u arrestua dhe shtetasi E. K., 27 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.

27-vjeçari u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi drejtonte automjetin me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” Tiranë, 32-vjeçari që ishte në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë/Ndalohen 3 shtetas të tjerë në kërkim, në vijim të operacionit të koduar “Catch”.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, shërbimet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë kësaj faze të operacionit “Catch”, lokalizuan dhe ndaluan 3 shtetas të shpallur në kërkim. Konkretisht:

-shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kapën shtetasin D. S., 55 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas kapën shtetasin E. M., 34 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, kapën shtetasin D. A., 26 vjeç, për të cilin, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Hidden line”.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 granatë, municion luftarak, 1 armë e ftohtë dhe 1 palë pranga.

Arrestohet në flagrancë 44-vjeçari që i posedonte në subjektin e tij (studio tatuazhesh), dyshohet me qëllim trafikimin.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, bazuar dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Hidden line”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Rr., 44 vjeç, banues në Durrës, si i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjatë kontrollit në subjektin e këtij shtetasi (studio tatuazhi), në lagjen nr. 4, Durrës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, 2 krehra dhe municion luftarak të kalibrave të ndryshëm, 1 armë e ftohtë (dorezë metalike), 1 palë pranga si të Policisë, mjete për pastrimin e armëve dhe 1 celular.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas i posedonte armët me qëllim trafikimin. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Berat/Mbante armë zjarri, armë gjahu dhe municion luftarak pa leje në magazinë, vihet në pranga 1 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat goditën një rast të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak.

Si rezultat i veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi B. T., 66 vjeç, banues në fshatin Galinë, Berat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në magazinën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri (pushkë), 1 armë gjuetie (çifte), si dhe municion luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë

Dogji automjetin e një shtetasi, me porosi të një 28-vjeçari, identifikohet dhe kapet 39-vjeçari (shtetas me precedent penal).

Punohet për kapjen e 28-vjeçarit, i cili dyshohet se e porositi krimin, për shkak të konflikteve për motive pronësie, me xhaxhanë e pronarit të automjetit të djegur.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit D. V., se i kishin djegur automjetin, në afërsi të banesës së tij, në fshatin Pluk, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë organizuan punën operacionale dhe veprimet hetimore për të përcaktuar autorësinë e rastit dhe për të sqaruar rrethanat.

Si rezultat, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i djegies, shtetasi M. B., 39 vjeç, banues në këtë fshat.

Gjithashtu, u identifikua shtetasi që dyshohet se porositi kryerjen e këtij krimi, A. Z., 28 vjeç, i cili nga veprimet hetimore, rezultoi se ka qenë në konflikt me xhaxhanë e shtetasit D. V., për motive pronësie. Punohet intensivisht për kapjen e 28-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni i koduar “Arratia”.

Kapet dhe ndalohet një 38-vjeçar në kërkim, i dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për shitje të lëndëve narkotike.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë të shtetasve të shpallur në kërkim, finalizuan operacionin e koduar “Arratia”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kap në fshatin Pluk, Lushnjë dhe u vu në pranga shtetasi:

-Andi Bakiasi, 38 vjeç, banues në Lushnjë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, që u godit gjatë operacionit të koduar “Tempulli”, në vitin 2024.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim.

Akuzohet se ka kultivuar bimë narkotike, në fshatin Qerret, kapet dhe vihet në pranga 63-vjeçari.

Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin gusht 2025.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim M. B., 63 vjeç, banues në fshatin Qerret, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka kultivuar në fshatin Qerret, 130 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin gusht të vitit 2025.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë / Vijojnë goditjet kundër krimeve ndaj pronës , arrestohen 3 shtetas për vjedhje të ndodhur në Vlorë dhe Sarandë

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve dhe si rezultat i veprimeve intensive hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 3 shtetasve të dyshuar për vepra penale kundër pronës.

Në lidhje me një rast vjedhjeje me dhunë, të ndodhur më datë 30.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen “1 Maji”, në qytetin e Vlorës, u arrestuan dy autorët e dyshuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë portofolin me një shumë parash shtetases J. K., 39 vjeçe, banuese në Vlorë.
Shtetasit e arrestuar janë:

-B. T., 18 vjeç;
-një 16-vjeçar;
të dy banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit ndaj tyre, specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjetën dhe sekuestruan shumën monetare të vjedhur, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu, më datë 30.03.2026, rreth orëve të pasdites, në qytetin e Sarandës, një shtetas ka vjedhur nga automjeti i shtetasit L. T. një çantë dore me sende personale.

Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar:
N. Ç., 66 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprën penale “Vjedhja”.