Raporti i ngjarjeve, 18, 19, 20 nëntor, 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vau i Dejës, Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Polinomi”.

Goditet një grup kriminal i dyshuar për disa raste në fushën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, të kryera gjatë vitit të fundit.

Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 2 të tjerëve, të identifikuar tashmë nga Policia.

Këta shtetas, autorë të dyshuar të: djegie së 4 automjeteve, 4 vjedhjeve në banesa në Vaun e Dejës dhe 2 vjedhjeve në banesa në Shkodër.

Si rezultat i një pune të mirëfilltë hetimore, të kryer intensivisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me qëllim zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale që përfshijnë djegien e disa automjeteve dhe vjedhjen e shumave të parave dhe sendeve personale, në 6 banesa në Vaun e Dejës dhe në Shkodër, të kryera gjatë vitit të fundit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Polinomi”.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit R. G., 24 vjeç dhe G. D., 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi F. J., 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga hetimet rezuloi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:

-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;

-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. 

DVP Durrës/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli”, kundër veprimtarive kriminale të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në zona kryesisht me frekuentim të lartë nga të rinjtë.

Vihen në pranga 2 shtetas që shitnin doza cannabisi, në lagje të ndryshme të Kavajës, si dhe mbanin armë të ftohta.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, automjeti që përdorinin të arrestuarit, për shpërdarjen, si dhe 2 shkopinj bejsbolli.

Në vijim të punës së përditshme të Policisë, kundër veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, punë e cila kryhet në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, goditën një tjetër rast të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa, në lagje të ndryshme të këtij qyteti.

Për këtë rast u vunë në pranga shtetasit S. K., 20 vjeç dhe A. U., 22 vjeç, të dy banues në Kavajë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë, teksa lëviznin me automjet, në Qerret, me një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në disa doza, me qëllim shitjen. Dozat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe me 2 armë të ftohta (shkopinj bejsbolli) që u gjetën në brendësi të këtij automjeti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. 

DVP Lezhë/ Vijon zbatimi i planeve operacionale “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në të gjithë territorin e qarkut. 

-Në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është goditur një tjetër rast i përshtatjes së lokalit, për përdorim dhe shitje të drogave.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë  1 tjetër, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine, në lokal. Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit. 

Gjithashtu është vënë në pranga një shtetas tjetër që është kapur në flagrancë në Laç, me doza kanabisi.

Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.

-Në Lezhë, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për vepra penale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të krimeve ndaj personit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, vijojnë kontrollet e shtuara në të gjithë qarkun, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat i kontrolleve:

-në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, janë goditur 2 raste të veprimtarive në fushën e narkotikëve.

•Në Fushë Gjormë, është evidentuar një lokal i përshtatur për përdorim dhe shitje të drogave. Në vijim të veprimeve për këtë rast është shpallur në kërkim pronari i lokalit, shtetasi K. L. 36 vjeç, banues në Kurbin, janë arrestuar në flagrancë shtetasit M. S. 27 vjeçe, banuese në Krujë (menaxhere e lokalit), S. S. 32 vjeç banues në Kurbin dhe R. K., 33 vjeç banues në Lezhë, si dhe u procedua penalisht në gjëndje të lirë shtetasi J. S., 37 vjeç, banues në Kurbin.

Gjatë kontrollit në lokal, kontrollit fizik të këtyre shtetasve si dhe kontrolleve në automjete e banesat e tyre, janë gjetur dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.

•Në qytetin e Laçit është arrestuar në flagrancë shtetasi G. K., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur disa doza lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Dozat e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjete dhe 6 celularë, që përdoreshin nga këta shtetas.

-Në Lezhë, në kuadër të megaoperacionit policor “Sundimi i ligjit”, janë kapur dhe ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit:

 M., 32 vjeç, banues në Balldre, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, pasi gjatë kontrollit në biznesin e tij (servis automjetesh), është gjetur një armë zjarri pistoletë;

E. M., 17 vjeç, banues në Lezhë, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, pasi në muajin gusht të këtij viti, në bashkëpunim me vëllanë e tij, pas një konflikti të çastit, në Gjadër, ka plagosur me armë zjarri shtetasin D. Gj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. G., 17 vjeç, banues në Kosovë, pasi në PKK Muriqan, në dalje, i ka paraqitur punonjësit të Policisë Kufitare, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, me të dhënat e një shtetasi tjetër, me të cilin ai kishte ngjashmëri.

Në Komisariatin e Policisë Pukë është paraqitur shtetasi P. Gj., i cili ka kallëzuar se kur në banesë nuk ka patur njeri, persona ende të paidentifikuar janë futur në banesë dhe i kanë vjedhur para dhe një sasi mjalti. Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të vjedhjes.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

I vodhën me dhunë varësen e floririt dhe celularin një shtetasi, si dhe i hoqën lirinë duke e mbajtur me forcë në automjet, për disa orë, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve Policisë, identifikohen 3 autorët e dyshuar.

2 prej tyre u kapën dhe u vunë në pranga, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së njoftimit se tre shtetas i kishin vjedhur me dhunë varësen e floririt dhe celularin, si dhe e kishin marrë forcërisht në automjetin e tyre, një 18-vjeçar, duke i hequr lirinë për disa orë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: A. A., 30 vjeç, A. D., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi R. A., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, në rrugën “Loni Ligori”, në Unazë të Re, i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt dhe celularin, një 18-vjeçari, si dhe e kanë marrë atë me forcë në automjetin e tyre, duke i hequr lirinë për disa orë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Vihen në pranga 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin G. A., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, dy grirëse metalike dhe qese farmaceutike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. R., 67 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasen A. A., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur dy aparate celulare në një dyqan, në Rrugën e Durrësit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën shtetasin në kërkim R. D., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin B. H., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, pasi dyshohet se ka vjedhur një celular në një lokal, në Fushë Krujë.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

– U. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, si dhe nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për kryerjen e testit të alkoolit;

– G. M., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Kastriotët”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen N. A., 67 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit:

– A. H., 45 vjeç, banues në Valias, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje, në banesë;

– L. P., 49 vjeç, banues në Laknas, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre;

– B. M., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se është njëri nga autorët e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në rrugën “Donald Trump”, në Kamëz, ku shpërtheu lëndë plasëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Berat

Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit” që ka si qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe të atyre që posedojnë armë zjarri, pa leje.

I dënuar me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:

Kristi Greku, 34 vjeç, banues në Berat.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të  Përgjithshëm Tiranë ka konvertuar dënimin e vendosur nga Gjykata e Belgjikës, për këtë shtetas, dhe e ka dënuar atë, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal shqiptar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Shitnin doza kokaine në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës, vihen në pranga 3 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine në automjet.

Sekuestrohen doza të lëndës narkotike kokainë dhe automjeti që përdornim këta shtetas, për këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e një shtetasi që dyshohet se bashkëpunonte me 3 të arrestuarit, për të shitur dozat e kokainës.

Në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, në ambiente të ndryshme.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas shpërndanin lëndë narkotike, në qytetin e Shkodrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar tip “Renault” në të cilin ishin 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik ndaj tyre dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë poseduesit e dozave të kokainës, shtetasit:                                               

Sh. E., 21 vjeç, S. Q., 20 vjeç dhe  K. S., 17  vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas shitnin doza lënde narkotike kokainë, në qytetin e Shkodrës, bashkë me shtetasin Xh. C., 21 vjeç, banues në Shkodër, i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 197 shtetas, konkretisht: 81 shtetas janë vënë në pranga, 104 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste- 15 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 4 shtetas të tjerë, të kërkuar për veprimtari kriminale në këtë fushë, janë kapur dhe ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 9 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste- 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 27 raste, 11 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 10 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 17 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 15 raste- 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-10 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 8 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim dhe 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale:

-“Heqja e paligjshme e lirisë”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Kallëzimi i rremë”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

“Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-“Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-në fushën e krimeve kompjuerike, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Dhunimi i banesës” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

5 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për vjedhje të energjisë elektrike, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, janë kapur dhe vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 16 aksidente, si pasojë e të cilave 4 shtetas kanë humbur jetën dhe 17 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 40 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 25 shtetas janë vënë në pranga dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.