Raporti i ngjarjeve, 19 shkurt 2026

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 26 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Ky shtetas akuzohet se më datë 03.12.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me send të mprehtë shtetasin H. Sh..

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. S., 65 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. F., 67 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, është përfshirë në aksident me 2 automjete të tjera. Nga aksidenti janë dëmtuar pasagjerët e automjetit me drejtues shtetasin I. F., të cilët po marrin mjekim në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak ndaluan shtetasin M. G., 63 vjeç, banues në Shijak, pasi Gjykata e ka dënuar me 18 ditë burgim, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Gjithashtu, ndaluan me iniciativë shtetasin në kërkim S. Ll., 30 vjeç, banues në Shijak, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin A. M., 52 vjeç, banues në Durrës (i arrestuar më datë 17.02.2026), pasi nga hetimet rezultoi se në datat 24.01.2026 dhe 25.01.2026, ka vjedhur nga 2 automjete, materiale pune dhe sende personale, me vlerë rreth 2500 euro.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. B., 19 vjeç, banues në Shenavlash, pasi dyshohet se ka qëlluar në ajër, me armë zjarri të dyshuar pistoletë. Vijojnë hetimet për rastin;
-S. V., 41 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-S. B., 58 vjeç, banues në Tiranë, A. M., 55 vjeç, banues në Tiranë, dhe Gj. K., 32 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjekë në spitalin e Durrësit, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Y., se është paraqitur në spitalin e Durrësit, për ndihmë mjekësore, pasi kishte dëmtime në këmbë, por këta mjekë e kanë neglizhuar trajtimin e tij mjekësor.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, për ngjarje aksidentale, pasi në fshatin Synej, është djegur automjeti në pronësi të shtetasit A. D., dyshohet për shkak të një defekti teknik.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. S., 34 vjeç, banues në Peshkopi, sepse është paraqitur në Portin e Durrësit, në hyrje, me një automjet që rezultoi i shpallur në kërkim nga Interpol Roma, më datë 05.12.2025, pasi ishte vjedhur në Itali. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasen R. D.(S)., 54 vjeçe, pasi Gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. K., 20 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit N. H. dhe A. M., pasi kanë shqetësuar shtetasin S. A., nëpërmjet telefonit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Nj. P., pasi dyshohet se është konfliktuar verbalisht me një punonjës të qarkullimit rrugor, për shkak të zhvendosjes së automjetit të tij;
-punohet për kapjen e shtetasit E. H., pasi dyshohet se ka kanosur me mesazhe në celular, ish-bashkëjetuesen e tij;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi kallëzoi shtetasi E. Xh. se është konfliktuar verbalisht me shtetasin E. Q..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin K. D., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin A. Rr., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin N. T., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin P. V., 38 vjeç, pasi në rrugën “Teodor Keko”, dyshohet se duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Pas përplasjes, automjeti i 38-vjeçarit ka marrë flakë. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., pasi dyshohet se automjeti që drejtonte është përplasur me një autobus. Si pasojë u dëmtuan 2 pasagjere, të cilat pasi morën mjekim u larguan në banesë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen V. D., pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte ka aksidentuar shtetasin A. Sh., 34 vjeç, këmbësor, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. P., 37 vjeç, pasi në autostradën “Tiranë-Durrës”, dyshohet se duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen dhe më pas ka marrë flakë. Si pasojë është dëmtuar 37-vjeçari, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Më datë 18.02.2026 është dërguar në spital, një shtetas 62 vjeç, i cili dyshohet se ka konsumuar Fotoksinë, në banesë, në fshatin Petrelë. Pavarësisht ndihmës mjekësore, 62-vjeçari ka humbur jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. Z., 42 vjeç, M. Z., 78 vjeç dhe H. Z., 67 vjeçe, banues në Vlorë, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi ka kallëzuar shtetasi E. F., 39 vjeç, banues në Vlorë, se këta shtetas e pengojnë që të kryejë punime në pronën e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kapën shtetasin L. Sh., 26 vjeç, banues në Sarandë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë”. Pas konsultimit me prokurorin u vendos që ky shtetas të ndiqet në gjendje të lirë.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive përkatëse në Vlorë dhe Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasen T. C., 49 vjeçe, banuese në Tepelenë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-G. Ç., banues në Gjirokastër, pasi nuk i ka paguar detyrimet tatimore, për 7 muajt e fundit, një shtetaseje te huaj që e kishte punësuar;
-K. C., banues në Gjirokastër, pasi nuk i ka paguar sigurimet shoqërore, gjatë viteve 2003-2015, një shtetaseje që e kishte punësuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin M. D., 32 vjeç, banues në fshatin Nartë, Gramsh, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit M. Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Ky shtetas u kap në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, duke transportuar me një mjet kamionçinë, dru për zjarr, pa dokumentacionin përkatës. Sasia e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Fier-Lushnjë”, ku humbi jetën shtetasi S. M., 73 vjeç, informojmë se specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan drejtuesin e automjetit, shtetasin G. Sh., 52 vjeç, banues në Fier.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin E. S., 30 vjeç, banues në Fier, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin ⁠B. M., 55 vjeç, banues në Fier, pasi ka vjedhur produkte në një market.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në Komisariatin e Policisë Fier është paraqitur shtetasja L. Y., 30 vjeçe, banuese në Fier, e cila ka kallëzuar se i kanë vjedhur portofolin me një shumë parash. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasja E. H., 44 vjeçe, banuese në fshatin Pirë, Lushnjë, e cila ka kallëzuar se është larguar nga banesa, vajza e saj 16 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Policisë Rrugore:
-arrestuan në flagrancë shtetasit M. Gj., 31 vjeç dhe E. K., 33 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. N., 48 vjeç dhe E. B., 27 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. Ll., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Dje, kallëzoi shtetasja D. K., 25 vjeçe, se në një llogari false në rrjete sociale, postoheshin fotografitë e saj. Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.

Informacion paraprak/Rreth orës 09:40, shtetasi M. P., 27 vjeç, me profesion elektricist, gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë të energjisë elektrike në fshatin Rrilë, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën dhe si pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. D., 22 vjeç, banues në fshatin Radostinë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Xh. S., 59 vjeç, dhe A. N., 56 vjeç, të dy banues në Fushë Arrëz, pasi dje, është paraqitur në spitalin e Pukës, shtetasi E. C., 59 vjeç, banues në Fushë Arrëz, i cili dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht në dorë, gjatë prerjes së pemëve në tokën e shtetasit A. N., me makineri të shtetasit Xh. S.

Dje, ka kallëzuar shtetasja F. N., 41 vjeçe, se më datë 17.02.2026, i kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e saj, në fshatin Bardhaj. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Prokuroria, operacioni i koduar “Audienca”.

Zbulohet se në një magazinë në Tiranë, mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, suplemente të skaduara dhe të kontrabanduara.

Sekuestrohen mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore.

Shpallet në kërkim administratori i subjektit (shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina), si dhe procedohen penalisht 2 punonjës.

Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.

Punohet për kapjen e 53-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë arrestuan në flagrancë shtetasin G. S., 62 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal shpallën në kërkim shtetasin E. P., 40 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike, ka kanosur ish-bashkëjetuesen e tij. Punohet për kapjen e 40-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale.

Arrestohet një 39-vjeçar që u konfliktua me një shtetas, për motive të dobëta, dhe mbante me vete 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë.

Sekuestrohet pistoleta.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në ambientet e një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u kap shtetasi A. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të fshehë në një lulishte, armën e zjarrit pistoletë që mbante me vete.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ishte konfliktuar me shtetasin B. J., 30 vjeç, banues në Vlorë, në ambientet e një lokali, për motive të dobëta.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. Sh., 39 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua në flagrancë, ndërsa pistoleta me municiom u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke reaguar me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.

DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni i koduar “Foleja 5”.

Ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Don Bosko”, arrestohen 2 shtetase nga Kazakistani.

Procedohen penalisht 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.

Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari dhe 4 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar “Foleja 5″.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetaset nga Kazakistani M. A., 34 vjeçe dhe A. A., 37 vjeçe, pasi nga hetimet rezultoi se ushtronin prostitucion, në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Don Bosko”.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.