Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në flagrancë shtetasin F. S., 58 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi të paligjshme, në biznesin e tij, në fshatin Katund i Ri.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. R., 32 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Komisariati i Policisë Cërrik referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. B., 41 vjeç, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi të paligjshme.
Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. B., 65 vjeç, pasi ka dëmtuar me send të fortë (gurë), xhamin e automjetit në pronësi të shtetasit P. A., për motive të dobëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Cërrik/Informacion paraprak-Rreth orës 08:00, në fshatin Mollas, është gjetur i pajetë në banesë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi Sh. Gj., 37 vjeç, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Thanë ndaluan në dalje, shtetasin R. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pajovë, Peqin, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin E. H., 54 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasit K. Sh., 24 vjeç dhe S. F., 28 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq, pasi gjatë kontrollit në lokalin në pronësi të 28-vjeçarit, u kapën në flagrancë duke luajtur lojëra fati, me celularë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularët.
Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. M., 20 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. P., 18 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde narkotike canabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Dibër
I shpallur në kërkim për dy vepra penale në fushën e narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët e seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, kapën dhe ndaluan shtetasin I.V., 35 vjeç, banues në fshatin Staravec.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet burg për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, dhe “Kultivim të bimëve narkotike”, i cili ka për të vuajtur dhe 1 vit e 4 muaj burg.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.
Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në bashkëpunim me DVKM Korçë, operacioni i koduar “Shufrat”, për goditjen e një rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 56 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, kamioni ku ishte fshehur lënda narkotike dhe 1300 euro.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit: D. H., 68 vjeç dhe A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë (babë e bir).
Në PKK Kapështicë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion me drejtues shtetasin A. H dhe pasagjer shtetasin D. H. Gjatë kontrollit, në pjesën e tavanit të rimorkios së kamionit u konstatuan të montuara 44 shufra metalike, në të cilat ishin fshehur sasi lënde narkotike cannabis sativa, me peshë totale 56 kilogramë.
Në vijim të veprimeve procedurale u shpall në kërkim shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet si posedues i lëndës narkotike dhe bashkëpunëtor në trafikimin e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 102 shtetas, konkretisht: 29 shtetas janë vënë në pranga, 66 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. Janë vënë në pranga 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.
Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të vetëgjyqësisë. 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim;
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Goditjet për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufirit, falsifikimit, trafikimit të automjetit, prishjes së qetësisë publike, dhunimit të banesës dhe përvetësimit të sendit të vjedhur, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.