Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Shrooms”.
Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A. U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Luxury cars”.
Trafikonin në Shqipëri, automjete të vjedhura në Itali, dhe i pajisnin me dokumente false, me qëllim shitjen, procedohen penalisht 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 automjete të vjedhura, me vlerë rreth 280 000 euro.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për disa shtetas të përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë finalizuan operacionin policor të koduar “Luxury cars”.
Në kuadër të operacionit, nisi procedimi penal për shtetasit F. M., 33 vjeç, banues në Lezhë dhe F. D. alias B. T., 32 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura në shtete të ndryshme, kryesisht në Itali, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete, me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete tip “Mercedes Benz”, të dyshuara të vjedhura, me vlerë rreth 280 000 euro.
Në drejtimin e Prokurorisë Vlorë vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të trafikimit të automjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Berat/Hetimet e kryera prej 1 muaji, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizojnë operacionin policor antidrogë të koduar “Lidhjet”.
Të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi në qytetin e Beratit, vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen një sasi cannabisi, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu dhe 4 celularë.
Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve që kryhen vazhdimisht, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, pas një muaji hetime me metoda proakive, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, finalizuan operacionin policor të koduar “Lidhjet”.
Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit H. A. (A.), 56 vjeç, A. A., 29 vjeç dhe E. A., 20 vjeç, përkatësisht babai dhe 2 djemtë e tij, si dhe shtetasi E. G., 38 vjeç, lidhje shoqërore e tyre, të gjithë banues në Berat.
Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi, në zona të ndryshme të qytetit të Beratit.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një sasi cannabisi, të ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu që posedoheshin pa leje dhe 4 celularë.
Materialet procedruale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 13”.
Qëndronte në Shëngjin, me dokumente ukrainase false, ndërkohë që kërkohej nga Italia, si bashkëpunëtor për trafikimin e 110 kilogramëve kokainë, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Sekuestrohen dokumentet false.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 13”, kapi dhe vuri në pranga shtetasin S. B., 39 vjeç.
Autoritetet gjyqësore në Itali i kanë caktuar 39-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, pasi dyshohet së në bashkëpunim me të tjerë, ka trafikuar nga Belgjika, në Itali, 110 kg lëndë narkotike kokainë.
Në momentin e arrestimit, në Shëngjin, shtetasi S. B. kishte me vete dokumente ukrainase, të dyshuara të falsifikuara, të cilat ia sekuestroi Policia.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 51 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. Për 4 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 8 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve kibernetike, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, falsifikimit, vjedhjes së energjisë elektrike, ushtrimit të prostitucionit, dhunimit të banesës, pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale dhe kanosjes për shkak të detyrës, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.