DVKM Korçë
Kapshticë
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Gjirokastër, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke, se ditën e sotme, nga ora 13:00 deri në orën 16:30 (me orën greke), do të bllokohen rrugët e Egnatias (qyteti i Kosturit) për lëvizjen e mjeteve të rënda (kamionë), për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Ndërsa veturat dhe autobusët do të lejohen të qarkullojnë.
DVKM Korçë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për respektimin e orarit të përcaktuar sa më sipër, në lidhje me kufizimin e lëvizjes për mjetet e rënda.
Kakavijë
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.
DVP Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për shtetasin Dh. M., 49 vjeç, banues në fshatin Mborje, me detyrë administrator i një firme ndërtimi, pasi dje, në lagjen nr. 4, Korçë, punëtori i firmës, shtetasi M. D., 58 vjeç, gjatë punës për rindërtimin e një kishe, ka rënë nga shkallët dhe për pasojë është dëmtuar. Nga verifikimet rezultoi se 58-vjeçari ishte punësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Dh. M.
Kolonjë/Më datë 18.12.2025, në fshatin Taç Lart, shtetasi I. I. dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve deri te hangari në pronësi të tij, është djegur baza ushqimore për bagëtitë që mbante aty.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier ndaluan shtetasin në kërkim E. I., 20 vjeç, banues në fshatin Sheqishte, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier:
-arrestuan shtetasin A. K., 60 vjeç, banues në Lushnjë, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur një shtetase 36 vjeçe, këmbësore, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. 36-vjeçarja po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. Th., 36 vjeç, banues në fshatin Daullas, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin x., 26 vjeç. Nga aksidenti është dëmtuar 26-vjeçari, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
–
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në fshatin Frakull e Madhe, ka humbur jetën në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi Th. M., 62 vjeç.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin B. P., 74 vjeç, banues në Shirq, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Velipojë-Shkodër”, me automjetin që drejtonte dyshohet se ka përplasur shtetasin F. K., 67 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë, shtetasi F. K. ka humbur jetën, në spital.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasi L. M., 82 vjeç, banues në fshatin Bërdicë e Mesme, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, është rrëzuar dhe si pasojë është dëmtuar lehtë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. F., pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. M., 67 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike;
-F. B., pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 24 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit O. M., 28 vjeç dhe L. D., 36 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasin J. I., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur disa pajisje, në një banesë në fshatin Shënavlash, si dhe se ka tentuar të vjedhë në një banesë tjetër. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që dyshohet se ka përdorur 44-vjeçari, gjatë kryerjes së vjedhjeve. Punohet për kapjen e tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. P., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 31 vjeçar;
-K. Z., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetas, mbi pagimin e çmimin të automjetit që i ka marrë;
-I. M., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 34-vjeçar;
-V. S., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 65-vjeçar.
Dje, kallëzoi shtetasi V. S., se ishte larguar nga banesa, nëna e tij, shtetasja M. Sh., 59 vjeçe, e cila sipas deklarimit të këtij shtetasi, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e 59-vjeçares.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në automjetin ku qëndronte, u gjetën sasi Cannabisi dhe Kokaine, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. Z., 32 vjeç dhe A. Z., 36 vjeç, të dy pronarë subjektesh dhe banues në fshatin Drenovicë, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin, për motive konkurrence;
-P. Z., 33 vjeç, A. V., 35 vjeç dhe Y. I., 50 vjeç, të tre banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. K., 52 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. M., 28 vjeç, R. M., 79 vjeç, K. N., 36 vjeç dhe P. N., 64 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të katërt banues në Skrapar, për dyshohet se motive pronësie, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, fizikisht dhe me sende të forta.
Dimal/Informacion paraprak-Rreth orës 08:40, tek ura e Salillarit, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit Th. K., 93 vjeç, i cili dyshohet se është mbytur në lumin Osum. Nga këqyrja paraprake e trupit të 93-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin italian, N. P., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, një automjet të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Automjeti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. C., 30 vjeç, banues në Kurbin, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar një motomjet pa targa.
Dje, te Komisariati i Policisë Kurbin, kallëzuan:
-3 shtetas, se shtetasi N. Ll., 58 vjeç, iu kishte pushtuar tokën. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë, për vlerësim;
-shtetasi A. Z., se në ambientet e biznesit të tij, është vjedhur pajisja DVR. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Dibër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. Sh., 56 vjeç; H. Sh., 61 vjeç; R. Sh., 64 vjeç; B. Sh., 70 vjeç; dhe B. Sh., 62 vjeç, të gjithë banues në Peshkopi, pasi dyshohet se, për motive pronësie, janë konfliktuar dhe kanë kanosur me fjalë shtetasit T. D., 50 vjeç, dhe E. D., 38 vjeçe.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 19.12.2025, rreth orës 03:20, në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij. Si pasojë, pati vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Tiranë/Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizon operacionin policor të koduar “Reputacioni”.
Blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorë, se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë fushë (në të cilën kishte punuar më parë), arrestohet 27-vjeçari.
Dokumentohet se nga shitja në klinika dentare, e produkteve të blera nëpërmjet mashtrimit, 27-vjeçari ka përfituar rreth 12 000 euro.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana
Arrestohet në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri, një 31-vjeçar i akuzuar si bashkautor i kultivimit të mijëra bimëve narkotike, në disa fshatra të qarkut Lezhë, këtë vit.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Podgoricës, u kap në Mal të Zi dhe u ekstradua në Shqipëri shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, M. D., 31 vjeç, i lindur në Lezhë.
Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi M. D. akuzohet se ka kultivuar, në bashkëpunim me shtetasit e identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë, Lezhë, të cilat janë përpunuar më pas me qëllim shitjen.
Shitja e lëndës narkotike u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit “Vakumi”, të cilat sekuestruan në fshatin Balldre, në muajin prill të këtij viti, 3 thasë me rreth 34 kg cannabis.
DVP Tiranë/Vijon plani i posaçëm operacional i koduar “Fireworks”, për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit.
Konstatohet se në 3 markete, në Kombinat, në Kamzë dhe në Krujë, mbaheshin në mënyrë të paligjshme sasi fishekzjarresh dhe kapsollash, me qëllim shitjen.
Gjatë kontrolleve, u konstatua gjithashtu një automjet, brenda të cilit u gjetën sasi fishekzjarresh, procedohet penalisht drejtuesi i automjetit, si dhe shpallet në kërkim porositësi i tyre.
Arrestohen 3 pronarët e subjekteve dhe sekuestrohen kuti me lëndë piroteknike.
✅ Shkon në 7 numri i rasteve të kësaj paligjshmërie, të goditura që prej inicimit të planit të posaçëm operacional.
Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen përditë, në kuadër të planit operacional “Fireworks”, në subjekte që mund të tregtojnë pa autorizim lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 3 markete në këtë paligjshmëri.
Për këto 3 raste u arrestuan shtetasit K. K, A. B. dhe F. Sh., pasi në marketet e tyre, përkatësisht, në Rrugën e Qelqit, Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, dhe në fshatin Hasan, Krujë, u gjetën kuti me lëndë piroteknike, që mbaheshin me qëllim shitjen.
Ndërkohë, nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u procedua penalisht shtetasi E. B., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi E. P., 20 vjeç. Në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. B., u konstatua një sasi e konsiderueshme fishekzjarresh, të cilat dyshohen se janë porositur nga shtetasi E. P. Punohet për kapjen e 20-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.
