Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Plane të posaçme veprimi janë hartuar dhe kanë nisur zbatimin, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tri aktiviteteve me pjesëmarrje të lartë, që do të zhvillohen në kryeqytet gjatë ditës së sotme dhe gjatë fundjavës. Planet synojnë gjithashtu të lehtësojnë trafikun, të orientojnë qytetarët dhe të garantojnë sigurinë publike.
Në këtë kuadër, informojmë qytetarët se:
-do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00;
-më datë 18.10.2025, gjatë aktivitetit “Maratona Fan Run”, nga ora 09:00 deri në 11:00, do të kufizohet lëvizja në segmentin nga sheshi “Nënë Tereza” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
-më datë 19.10.2025, gjatë aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në zonat/segmentet rrugore: sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga “George Ë. Bush”, rruga “Abdi Toptani”, bulevardi “Zog I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardi “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Lek Dukagjini”.
Gjithashtu, informojmë se për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, itinerari i mjeteve të transportit urban, do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, nga ora 08:00 deri në 16:00, të datës 19.10.2025.
Më tej, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjikë dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Informojmë se qarkullimi i mjeteve të Emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e lartpërmendura.
Policia e Tiranës fton qytetarët që të shmangin lëvizjen me mjete, në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë, në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin S. Ç., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, pasi dyshohet se me motomjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin Y. Z., 76 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 57 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. C., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase 30 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-J. B., 48 vjeç, A. V., 54 vjeç dhe A. K., 49 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-A. K., 43 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 37-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 31 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin H. D., 43 vjeç, banues në fshatin Peshtan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 45 vjeç, banues në Fier, pasi dje, në fshatin Zharrëz, motomjeti që drejtonte, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasja L. N., 46 vjeçe. Si pasojë është dëmtuar 45-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. S., 57 vjeç, banues në Librazhd, pasi dje, në fshatin Thanasaj, automjeti që drejtonte është përplasur me një motomjet. Si pasojë është dëmtuar një 11-vjeçar, pasagjer në motomjet, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 35 vjeç, banues në Fier, pasi nga verifikimet rezultoi se aktiviteti ekonomik që administronte, nuk ishte fiskalizuar dhe as licencuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj ekzekutuan masën “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
R. S., 39 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë infermier dhe Sh. M., 62 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë mjek, në një qendër shëndetësore, pasi nga hetimet dyshohet se më datë 13.09.2025, kanë regjistruar në mënyrë fiktive në librin e shërbimit, shtetasin E. K. (i arrestuar më datë 13.09.2025, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në Përmet, pasi u konstatua duke transportuar me automjet, lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Mjeti dhe lënda drusore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur:
-një 17-vjeçar, banues në Libohovë, pasi në aksin rrugor “Sofratik-Libohovë”, u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
-një 14-vjeçar, banues në Këlcyrë, pasi dje, në lagjen “Gur”, Këlcyrë, u konstatua duke drejtuar automjetin kamioçinë, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr dhe si pasojë është djegur magazina në pronësi të shtetasit Sh. H..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në Trush.
Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që dyshohet se u përdor gjatë konfliktit si dhe municion luftarak.
Në vijim të hetimeve që po kryhen për dokumetimin e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në fshatin Trush, ku 3 shtetas dyshohet se qëlluan në ajër, me armë zjarri dhe me armë gjahu, për të kanosur fqinjin e tyre, shtetasin P. N., për motive të dobëta, bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit në pronësi të shtetasit kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje, të cilën autorët e dyshuar e kishin fshehur afër banesës së tyre.
Arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Dy ditë më parë policia sekuestroi dy armë gjahu dhe vuri në pranga shtetasit Ç. M., dhe D. M.,(babë e bir), gjithashtu, u shpall në kërkim dhe djali tjertër shtetasi E. M., në territorin në pronësi të shtetasit Ç. M.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizon operacionin policor të koduar “Dentistry”.
Zbulohet se në një klinikë dentare në “Don Bosko”, kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara.
Sekuestrohen 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Arrestohet administratori i klinikës (shtetas turk).
Vihen në hetim koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një subjekt (klinikë stomatologjike) në zonën “Don Bosko”, kryheshin krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit/jetës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizuan operacionin “Dentistry”.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç.
Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. Sh., 31 vjeç, E. T., 31 vjeç dhe A. B., 26 vjeçe, pasi gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin K. Sh. dhe pasagjerë shtetasit E. T. dhe A. B., u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa;
-M. Sh., 29 vjeç dhe S. T., 26 vjeç, pasi posedonin sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. C., 58 vjeç, pasi ka kallëzuar një 57-vjeçare, se shtetasi A. C. ka shkelur urdhrin e mbrojtjes që ajo kishte ndaj tij, duke e kërcënuar dhe fyer.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. P., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin L. P., 56 vjeç, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Shkodër
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasja K. N., 60 vjeçe, banuese në Shkodër, dje, duke drejtuar një biçikletë elektrike, në segmentin rrugor “Shkodër-Prekal”, ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar lehtë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. P., 56 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin S. J., 28 vjeç.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Goditi me sende të forta, për motive të dobëta, 2 shtetas, kapet dhe vihet në pranga, 37-vjeçari.
Sekuestrohet arma me fishekë manovër, me të cilën dyshohet se 37-vjeçari qëlloi në ajër, gjatë konfliktit.
Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 08:30, se në lagjen nr. 15, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi K. K., 37 vjeç, kishte goditur me sende të forta, shtetasit B. Xh., 66 vjeç dhe A. Xh., 61 vjeç (kushërinj), shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K..
37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, 2 të dëmtuarit po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Fier/Vijojnë kontrollet dhe puna operative, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Kapet në Fier, një shtetas i implikuar në 2 qarqe, Tiranë dhe Korçë, në transportimin e kundërligjshëm të emigrantëve.
Për këtë veprimtari kriminale, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit, Tiranë, me 4 vjet burgim, ndërsa nga Policia e Korçës është arrestuar në vitin 2021.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i punës operative dhe koordinimit të informacioneve me policitë e Tiranës dhe Korçës, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim, P. L., 38 vjeç.
Në vitin 2023, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Për të njëjtën veprimtari kriminale, ai është arrestuar nga Policia e Korçës, në vitin 2021.
Veprimet procedurale të mëtejshme me këtë shtetas do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin R. I., 39 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe i ka kanosur ata, me mjet prerës (thikë). Të dëmtuarit u pajisën me urdhër mbrojtjeje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-R. M., 19 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 14-vjeçare;
-për një 15-vjeçar, pasi dyshohet se ka vjedhur një celular dhe një shumë lekësh, në automjetin e një 26-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. Ç., 58 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksdentin në një objekt në ndërtim, në Kune, Shëngjin, me pasojë vdekjen e shtetasit A. Z., bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë kryen veprimet për rastin, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin:
-S. T., 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Ky shtetas ishte drejtues teknik në firmën që po kryente punimet për ndërtimin e pallatit, ku gjatë punës, dyshohet se aksidentalisht, humbi jetën punëtori, shtetasi A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin ndaluan shtetasin Sh. R., 41 vjeç, banues në Mamurras, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Pas konsultimit me prokurorin, ky shtetas do të procedohet në gjendje të lirë.
–
Lezhë/Informacion praprak
Rreth orës 05:00, në afërsi të kryqëzimit të Gjadrit, automjeti me drejtues shtetasin F. Z. dyshohet se ka aksidentuar shtetasin N. N., rreth 46 vjeç, këmbësor.
46-vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.
DVP Tiranë
Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 32-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, 26-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Arrestohet vëllai i 32-vjeçarit, pasi iu gjet në banesë dhe u sekuestruan, 1 armë zjarri pistoletë, municion, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
26-vjeçari vijon të marrë mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin:
-G. M., 32 vjeç, banues në Domje.
Gjithashtu, u arrestua vëllai i 32-vjeçarit, shtetasi J. M, 36 vjeç, pasi në vijim të veprimeve hetimore, u krye kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri, municion luftarak, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Streha”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Kishte fshehur në banesën e tij, në fshatin Vinjoll, 7 kilogramë e 350 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, arrestohet 62-vjeçari. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas e posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në doza.
I arrestuari, me precedent për disa vepra penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Streha”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B. Z., në fshatin Vinjoll, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kilogramë e 350 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilën dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen në doza.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi B. Z., 62 vjeç, banues në fshatin Vinjoll, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.