Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 126 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 89 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 2 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste. 3 shtetas janë arrestuar, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 28 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 30 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundështimit të punonjësve me funksione publike. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të përndjekjes. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të prishjes së qetësisë publike. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shkatërrimit të rrjetit elektrik, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të arrestuar;
-1 rast i falsifikimit, për të cilin po punohet për të përcaktuar autorësinë;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të arrestuar;
-nga 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, vetëgjyqësisë, shpifjes, pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, braktisjes së fëmijës së mitur, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ngacmimit seksual dhe trafikimit të mjeteve motorike, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2, të akuzuar bashkëpunëtor për 1 vrasje me paramendim dhe rrëmbim/mbajtje peng personi.
1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, pasi është ndaluar sepse ishte shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor të paidentifikuar. Për raste të tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim P. Sh., 57 vjeç, pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin F. Ll., 47 vjeç, banues në Vaun e Dejes, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor “Shkodër-Velipojë”, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. N., 21 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. M., 40 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. N., 45 vjeç, banues në Velipojë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë së Rendit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-G. V., 38 vjeç, banues në fshatin Vrithë, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, në subjektin e tij tregtar, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike;
-L. Q., 59 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 08:50, në lagjen “Partizani”, shtetasi Y. D., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti ka përplasur shtetasin Sh. B., 72 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë.
Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi Sh. B., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, në kujdesin e mjekëve.
Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., 54 vjeç, banues në Peshkopi, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje, në një pronë publike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen R.R., 40 vjeçe, banuese në Bulqizë, pasi për motive të dobëta ka goditur me sende të forta në kokë një 56-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 40 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
S. R., 62 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
A. B., 28 vjeç, banues në Devoll, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 28-vjeçari dhe nipi i tij i mitur, pasagjer në automjet.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin N. Z., 34 vjeç, banues në fshatin Arrëz, pasi u kap duke transportuar një sasi lëndë drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shamoll, se ka konstatuar mungesën e një shumë lekësh, në banesën e tij. Nga veprimet e para hetimore nuk janë konstatuar dëmtime apo lëvizje të orendive në banesë. Po punohet për verifikimin e rastit.
Pogradec/Më datë 16.07.2025, shtetasja V. P., 91 vjeçe, ka tentuar të vetëvritet, duke dëmtuar damarët e dorës, me mjet prerës. Aktualisht po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë,për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. K., 18 vjeç dhe një 17-vjeçar (vëllezër), banues në Durrës, pasi janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasit B. Sh., 27 vjeç dhe G. Sh., 20 vjeç, të dy banues në Durrës. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Xh. K. dhe G. Sh, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin E. C., 21 vjeç, banues në fshatin Sukth i Ri, dhe shpallën në kërkim shtetasin I. D., 26 vjeç, banues në Katund Sukth, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur orendi në banesën e shtetases E. M., 49 vjeçe, banuese në Katund Sukth.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Ch., 33 vjeç, banues në Krujë, pasi ka goditur me grushte shtetasin F. M., 54 vjeç, banues në Prizren, e ka kanosur dhe e ka mashtruar për pagesën e një automjeti që ka shitur për llogari të 54-vjeçarit.
Durrës/Më datë 16.07.2025, rreth orës 23:00, në lagjen nr. 13, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i katit të katërt të një shtëpie pushimi, një 15-vjeçar, shtetas polak. Ai ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në rrugën “Anastas Durrsaku”, në lagjen nr. 1, automjeti me drejtues shtetasin I. B., 22 vjeç, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. Gj., 74 vjeç.
Shtetasi S. Gj. ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
22-vjeçari është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar rrethanat e këtij aksidenti.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-K. R., 50 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-P. R., 70 vjeç, G. R., 62 vjeç dhe N. R., 57 vjeç, për veprën penale “Projektimi, mbikqyrja, zbatimi ose kolaudimi paligjshëm i ndërtimeve”, si dhe për shtetasin S. N., 48 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. R., 31 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka përndjekur shtetasen M. V..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. A., 36 vjeç, banues në fshatin Drenovë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë, një shtetas 67 vjeç.
Dje, kallëzoi shtetasja V. K., se më datë 14.07.2025, ishte larguar nga banesa, bashkëshorti i saj, shtetasi J. K., 41 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit B. H., 34 vjeç dhe J. M., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër, pasi dje, u konstatuan nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke pritur një grup emigrantësh të cilët dyshohet se do t’i transportonin kundrejt pagesës, në drejtim të qytetit të Shkodrës, që të kalonin ilegalisht kufirin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Xh. Gj., 61 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të lëvizur automjetin që e kishte parkuar gabim;
-A. D., 33 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, pasi ka zaptuar një sipërfaqe toke.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., 26 vjeç, banues në fshatin Luzat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht një 27-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 16-vjeçar, banues në Libohovë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe send të fortë, një 13-vjeçar, banues në Libohovë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, pasi më datë 15.07.2025, në fshatin Kutal, në vendin e quajtur “Braçovë”, është krijuar një vatër zjarri dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme. Punohet për dokumentimin ligjor të rastit.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. I., banues në Gjirokastër, pasi dje, në lagjen “18 shtatori”, automjeti që ai drejtonte, pa leje drejtimi, është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja janë shkaktuar dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shpallën në kërkim shtetasin A. M., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 29-vjeçare. Punohet për kapjen e tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. D., 29 vjeç, pasi shfaqet në një fotografi të postuar në një portal, duke bërë veprime të turpshme, në rrugë.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 vunë në pranga shtetasin B. P., 40 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur 1 celular.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen I. K., 45 vjeçe, pasi dyshohet se duke u larguar nga banesa, ka braktisur fëmijën e saj të mitur. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin K. S., 33 vjeç, pasi dyshohet se bashkë me 2 shtetas, kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, një 34-vjeçar. Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë:
-në kuadër të megaoperacionit “Koordinata”, arrestuan shtetasin H. C., 42 vjeç, pasi në tokën në pronësi të tij, u gjetën të kultivuara 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies;
-arrestuan shtetasin A. E., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-shpallën në kërkim shtetasin S. S., 22 vjeç, pasi në dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një 20-vjeçar. Punohet për kapjen e 22-vjeçarit.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-I. S., 27 vjeç, pasi në aksin rrugor “Vorë-Fushë Krujë”, automjeti që drejtonte, është përplasur me 2 automjete të tjera. Nga përplasja janë dëmtuar 3 pasagjere në njërin prej automjeteve, të cilat pasi kanë marrë asistencë mjekësore, janë larguar në banesa, jashtë rrezikut për jetën;
-E. Ç., 25 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen S. A., 19 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me këtë aksident, 25-vjeçari u ndëshkua me gjobë 44 000 lekë, si dhe me bllokim të automjetit.
Me datë 16.07.2025:
-shtetasi J. C., 30 vjeç, kallëzoi se para 2 muajsh, ishte larguar nga banesa, nëna e tij, shtetasja M. A., 57 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj;
-shtetasi A. K., 30 vjeç, kallëzoi se ishte kanosur në rrjete sociale, nga një shtetas i cili është identifikuar nga Policia, si rezultat i hetimeve. Po punohet për të dokumentuar me prova ligjore, autorësinë;
-është dëmtuar lehtë, dyshohet gjatë lojës me bashkëmoshatarët, në ambientet e kopshtit ku mësonte, një i mitur. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. V., 36 vjeç, banues në Kosovë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetas të mitur, të moshave 16 dhe 17 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë konstaturar duke drejtuar pa leje drejtimi, motomjete pa targa;
-referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për identifikimin e drejtuesit të një automjeti që dyshohet se mbrëmë, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, ka përplasur shtetasin L. D., 36 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, këmbësor, dhe është larguar. Shtetasi L. D. po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. N., 56 vjeç, banues në Laç, pasi po ndërtonte pa leje, një objekt, në një sipërfaqe toke në Laç, që pretendon se e ka në pronësi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.