Raporti i ngjarjeve, 16,17,18 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 182 shtetas, konkretisht: 47 shtetas janë vënë në pranga, 125 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste. 13 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 22 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 31 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 6 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të falsifikimit. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 19 raste, 8 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, për të cilin vijojnë hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave;

-1 rast i veprës penale “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, për të cilin vijojnë hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Shtytja e të miturve në krim”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Fyerja” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetase u vunë në pranga dhe 6 të tjera u proceduan në gjendje të lirë, për ushtrim dhe/ose shfrytëzim për prostitucion.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të mbetura në tentativë, me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, u ndalua.

1 shtetas i kërkuar për veprat penale “Pornografia”, me të mitur, dhe “Falsifikimi kompjuterik”, u ndalua.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 17 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas kanë humbur jetën dhe 22 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 40 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 16 shtetas janë vënë në pranga dhe 27 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për shkeljet e tjera.