Raporti i ngjarjeve, 16 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Botulinum toxin”, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produktit mjekësor “Botulinum toxin”, i njohur si “Botox”, nga klinikat estetike.

Kontrollet e autorizuara nga Gjykata e Tiranës, gjetën në paligjshmëri 30 klinika estetike.

Vihet në pranga administratori i subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të, klinikat. Në pranga dhe administratoret e 2 klinikave.

Procedohen penalisht administratoret e 5 klinikave, si dhe punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të 3 administratorëve.

Sekuestrohen medikamente Botox-i.

Si rezultat i veprimeve policore dhe hetimore, të kryera në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar për veprat “Kontrabanda me mallra të licencuara”, kryer në bashkëpunim, “Kontrabanda nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, dhe të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh,  në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, finalizoi operacionin policor të koduar “Botulinum toxin”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhënë në kuadër të këtij operacioni, u kryen kontrolle në 30 subjekte private (klinika estetike). Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.

Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë shtetasit M. K., Xh. M. dhe D. Sh. Shtetasi M. K. është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xh. M. dhe D. Sh. janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt.

Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. T., J. B., J. Z., L. C., K. B. dhe E. Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. F., K. B. dhe A. F. B., të gjithë adminstratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim A. K., 23 vjeç, banues në Kukës, pasi Gjykata e Kukësit e ka dënuar me 10 ditë burgim, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Sektori i Policisë Rrugore Kukës arrestoi shtetasin M. L., pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. E. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Komisariati i Policisë Tropojë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ç. A., banues në fshatin Llugaj dhe A. U., banues në fshatin Cerrnicë, pasi kanë kryer punime të paligjshme për ndërtimin e dy objekteve të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Tuneli”.

Ndalohet një 36-vjeçar i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar 7 shtetas dhe janë sekuestruar 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Shkencore, ka vijuar punën për identifikimin e shtetasve të implikuar në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në një magazinë në rrugën “Hamdi Pepa”.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Mirditë

Dyshohet se kanosën me armë zjarri, pronarin e një karburanti, pasi e dhunuan në ambientet e biznesit të tij, për motive të dobëta, identifikohen 2 shtetasit dhe punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Pas kallëzimit të një 49-vjeçari, se në ambientet e karburantit që kishte në pronësi, në Mirditë, ishte dhunuar dhe kanosur me armë zjarri, nga 2 shtetas të cilët kishin refuzuar të paguanin për furnizimin e automjetit të tyre me karburant, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta, janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. M. alias K. B., 29 vjeç dhe A. S., 28 vjeç, ky i fundit, aktualisht në kërkim nga Policia e Tiranës, për një tentativë për vrasje.

Me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorëve, po kryhen kontrolle intensive, si dhe po hetohet për të përcaktuar itinerarin e lëvizjes së automjetit të këtyre 2 shtetasve, pas largimit nga karburanti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 122 shtetas, konkretisht: 37 shtetas janë vënë në pranga, 65 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 20 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste. Për 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 11 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 3 shtetas, janë shpallur në kërkim 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste- 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të krimeve ekonomike, me 1 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për kontrabandim dhe tregtim të paligjshëm të produktit mjekësor “Botulinum toxin”, janë arrestuar 3 shtetas, janë shpallur në kërkim 3 shtetas dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 6 shtetase.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes, 2, me autorë të paidentifikuar, rasti tjetër me 2 shtetas të shpallur në kërkim. Për një vjedhje të kryer më parë, është vënë në pranga 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste, njëri prej të cilave me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar për këtë krim, i dënuar me burgim, është ndaluar;

-2 raste të ngacmimeve seksuale, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të prishjes së qetësisë publike, me 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të arrestuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Fyerja” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjatë një operacioni policor në Durrës, u arrestua 1 shtetas dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë, të akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Gjatë një operacioni policor në Tiranë, u vunë në pranga 15 shtetas të akuzuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.