Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 109 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 78 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste, 9 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë arrestuar dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 27 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 1 shtetas të arrestuar;
-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, falsifikimit, vjedhjes së energjisë elektrike, vetëgjyqësisë, përndjekjes, fyerjes, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe moskallëzimit të krimit, me 11 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Është ndaluar 1 shtetase e kërkuar për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunim, dhe armëmbajtje pa leje.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për keqtrajtim të të miturit.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për futje të sendeve të ndaluara, në IEVP.
Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
-Q. Y., 67 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, pasi më datë 15.07.2025, rreth orës 20:00, në lagjen “Kushtrimi”, jashtë banesës së tij, ka djegur mbeturina dhe shkurre, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
-L. H., 45 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi F. D., 26 vjeç, se për motive të dobëta, e ka kanosur me fjalë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin A. B., 28 vjeç, banues në fshatin Dhërmi, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi T. K., 47 vjeç, pasi dyshon që ky shtetas i ka thyer xhamin e dritares së marketit dhe i ka vjedhur paketa të ndryshme cigaresh dhe një shumë parash.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban, Vlorë dhe Sarandë, referuan materialet në Prokurori dhe:
-arrestuan shtetasin H. R., 23 vjeç, banues në Belgjikë, pasi është konstatuar në rrugën “Butrinti”, Sarandë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin S. B., 22 vjeç, banues në Francë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në rrugën “Skënderbeu”, Sarandë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me pemët anësore të rrugës;
-arrestuan shtetasin E. K., 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Lungomare”, Vlorë, është konstatuar nga patrulla e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur;
-proceduan penalisht shtetasin A. D., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 15.07.2025, duke drejtuar pa lejen përkatëse motomjetin tip “Kaëasaki”, është përfshirë në një përplasje me dëme materiale, në rrugën “Sazani”, Vlorë, me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin F. S., 61 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik:
-arrestuan në flagrancë shtetasin K. O., 55 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Q. Gj., 55 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi në tejkalim të lejes së dhënë nga organet kompetente.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. M., 27 vjeç, pasi nga kontrolli fizik iu gjetën një mjet prerës thikë dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-D. X., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-L. M., 56 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar murin rrethues të punishtes së shtetasit L. H.;
-S. P., 72 vjeç, pasi bagëtitë e tij kanë dëmtuar perimet dhe pemët frutore në pronën e shtetasit T. B..
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin J. M., 27 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjetin që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. B., 50 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin K. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. N., 26 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
-E. N., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 36 vjeç, banues në Vashtëmi, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë refruan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. M., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se për motive të dobëta është konfliktuar me një 53-vjeçar dhe e ka dëmtuar lehtë atë, me mjet prerës thikë. Mjeti prerës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. E., 41 vjeç (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), banues në Mëmëlisht, pasi dyshohet se ka përndjekur 2 shtetase, motra.
Gjithashtu, shpallën në këkim shtetasin G. Ç., 39 vjeç, banues në Çëravë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin U. C., pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. K., 51 vjeç, banues në Maliq, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim N. N., 33 vjeç banues në fshatin Kaçinar, pasi Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku procedimi penal për shtetasin D. P., 34 vjeç, banues në fshatin Rrubik, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin I. P., 40 vjeç, banues në fshatin Rraboshtë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Sh., 69 vjeç, banues në Has, pasi në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen R. K., 24 vjeçe, banuese në fshatin Dajç, Lezhë. Si pasojë janë dëmtuar shtetasja R. K. dhe një pasagjere, të cilat ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Sh., 36 vjeç, banues në fshatin Manati, pasi në lagjen “SMT”, për motive të dobëta, ka thyer me grusht xhamin e parë të automjetit në përdorim nga shtetasi A. M., 24 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit B. Gj., 40 vjeç, banues në Rrëshen, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për dy raste:
-më datë 15.07.2025, është dërguar pa shenja jete në qendrën shëndetësore Mamurras, një shtetase 16 vjeçe, banuese në fshatin Shpërdhet, Kurbin, e cila ishte me aftësi të kufizuara dhe vuante nga disa sëmundje. Dyshohet se ajo ka humbur jetën për shkaqe natyrale;
-më datë 15.07.2025, është dërguar në spitalin e Kurbinit, shtetasja R. Z., 21 vjeçe, banuese në fshatin Adriatik, e cila dyshohet se ka konsumuar një sasi medikamentesh. Ajo u transportua në QSUT Tiranë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Kurbin/Informacion paraprak
Më datë 16.07.2025, në Fushë Milot, shtetasi D. H., 72 vjeç, banues në Fushë Milot, dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri është përphapur në një sipërfaqe toke me shkurre dhe barishte të thata.
Shtetasi D. H. ka pësuar djegie në trup dhe është asfiksuar. Ai u dërgua për mjekim në spitalin e Kurbinit, por humbi jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/Gjatë 48 orëve të fundit, vihen në pranga 9 shtetas dhe procedohen penalisht 7 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 20 vjeç, të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Blloku 33”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, kapën dhe vunë në pranga shtetasen e shpallur në kërkim L. K., 42 vjeçe, për të cilën Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-F. Sh., 62 vjeç, pasi dyshohet se ka penguar lëvizjen në një pjesë të rrugës “Ismail Qemali”, duke vënë mjete rrethanore;
-K. K., 66 vjeç, pasi dyshohet se ka zënë një hapësirë publike në rrugën “Ndre Mjeda”, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin A. Gj., 58 vjeç, pasi vodhi 1 motor elektrik;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. A., 39 vjeç, sepse gjatë një konflikti të çastit me një 38-vjeçar, i ka dëmtuar këtij të fundit, automjetin, me automjetin e tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin A. B., 44 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” që i kishte caktuar Gjykata, për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”;
-arrestuan shtetasin B. F., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ka kanosur djalin e tyre;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. M., 48 vjeç, pasi nga një pajisje në biznesin e tij, në rrugën “Kujtim Laro”, dyshohet se gjenerohen zhurma që prishin qetësinë në zonë.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. R., 39 vjeç, pasi kishte zënë në kundërshtim me ligjin, një hapësirë publike në rrugën “Kol Koçi”, të cilën e shfrytëzonte si lokal;
-shpallën në kërkim shtetasin A. F., 43 vjeç, pasi dyshohet se ka marrë xhiron ditore të kompanisë ku punonte. Punohet për kapjen e 43-vjeçarit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Xh., 89 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e zjarrit që ka ndezur në fshatin Prezë, për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe shkurre.
Specialistët e qarkullimit rrugor;
-arrestuan shtetasit F. S., 23 vjeç dhe L. C., 23 vjeçe, pasi u kapën duke drejtuar mjete, pa leje;
-arrestuan shtetasit N. T., 38 vjeç dhe O. L., 24 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. J., 57 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 57-vjeçari i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Me datë 14.07.2025:
-shtetasi I. L. kallëzoi se ishte larguar nga banesa, vëllai i tij, shtetasi P. Sh., 44 vjeç, i cili sipas deklarimit të shtetasit I. L., vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij;
-shtetasja V. K. kallëzoi se i kanë marrë portofolin, të cilin e kishte harruar në një ambient publik, në bulevardin “Zogu i Parë”. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ëve të rastit;
-është paraqitur për mjekim, në spital, shtetasja D. M., 41 vjeçe, e cila dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht, lehtë, në dorë, gjatë procesit të punës në një rrobaqepësi.
Me datë 15.07.2025:
-shtetasja V. H., kallëzoi se ishte larguar nga banesa, djali i saj, shtetasi L. H., 38 vjeç. Punohet për gjetjen e tij;
-shtetasi S. B., 45 vjeç, kallëzoi se në Rrugën e Dibrës, është goditur me grushte, nga 3 shtetas të paidentifikuar prej tij. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave;
-është paraqitur për mjekim, në spital, shtetasi I. S., 53 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht, gjatë punës në një firmë ndërtimi. 53-vjeçari, pas asistencës mjekësore, kaloi në banesë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan me iniciativë shtetasin V. M., 48 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij 17 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, në fshatin Berdicë, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr dhe si pasojë është djegur një magazinë jofunksionale në pronësi të shtetasit A. K., 47 vjeç.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 48 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, pas publikimit në një portal, të një videoje me ankesën e një shtetaseje, për ngacmin nga një shtetas, në plazhin e Velipojës, kanë kryer verifikimet dhe kanë identifikuar shtetasin që shfaqet në video, A. R., 77 vjeç, banues në Koplik. Materialet procedurale për rastin u referuan në Prokurori, për vlerësim juridik.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. G., 41 vjeç, banues në Fier, pronar i një subjekti në plazhin e Darëzezës, pasi nga kontrollet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike, u konstatua se kishte vënë në bregdet, pa lejen përkatëse, 62 çadra dhe shezlongë, të cilët u hoqën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. R., 25 vjeç dhe A. P., 50 vjeçe, pasi dyshohet se për motive pronësie, kanë shqetësuar njëri-tjetrin, nëpërmjet thirrjeve telefonike;
-S. Gj., 34 vjeç, banues në Kolonjë, pasi dyshohet se zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturinat, ka dëmtuar hambarin me jonxhë të një shtetasi tjetër.
Më datë 15.07.2025, në plazhin e Darëzezës, ka humbur jetën, dyshohet për shkak të arrestit kardiak, shtetasi B. Ç., 48 vjeç, banues në Ballsh. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.