Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 68 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, 2 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë arrestuar.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është arrestuar dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 21 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje. 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 16 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të vetëgjyqësisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të fyerjes, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 2 raste të shpërdorimit të detyrës dhe prishjes së qetësisë publike, secili me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i shkaktimit të vetëvrasjes, mbetur në tentativë, pastrimit të produkteve te veprës penale dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i krimeve kibernetike, për të cilin po punohet për të identifikuar dhe kapur autorin/ët;
-nga 1 rast i falsifikimit, përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, neglizhencës në trajtimin mjekësor dhe shtytjes së të miturit në krim, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas të kërkuar për dëmtime të tjera me dashje dhe prishje të qetësisë publike.
Është ndaluar 1 shtetase e kërkuar për shkaktim të vetëvrasjes dhe shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për dhënie ndihmë emigrantëve, për kalim të kundërligjshëm të kufijve.
Është ndaluar 1 shtetas i kërkuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Sh., 62 vjeç, pasi dyshohet se ka penguar lëvizjen në një pjesë të rrugës “Ismail Qemali”, duke vënë mjete rrethanore.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. A., 39 vjeç, sepse gjatë një konflikti të çastit me një 38-vjeçar, i ka dëmtuar këtij të fundit, automjetin, me automjetin e tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin B. F., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe ka kanosur djalin e tyre;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. M., 48 vjeç, pasi nga pajisje në biznesin e tij, në rrugën “Kujtim Laro”, dyshohet se gjenerohen zhurma që prishin qetësinë në zonë.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin A. F., 43 vjeç, pasi dyshohet se ka marrë xhiron ditore të kompanisë ku punonte. Punohet për kapjen e 43-vjeçarit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Xh., 89 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e zjarrit që ka ndezur në fshatin Prezë, për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe shkurre.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin F. S., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar një motomjet, pa leje.
Më datë 14.07.2025:
-shtetasi I. L. kallëzoi se ishte larguar nga banesa, vëllai i tij, shtetasi P. Sh., 44 vjeç, i cili sipas deklarimit të shtetasit I. L., vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij;
-shtetasja V. K. kallëzoi se i kanë marrë portofolin, të cilin e kishte harruar në një ambient publik, në bulevardin “Zogu i Parë”. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ëve të rastit;
-është paraqitur për mjekim, në spital, shtetasja D. M., 41 vjeçe, e cila dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht, lehtë, në dorë, gjatë procesit të punës në një rrobaqepësi. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. H., 53 vjeç, dhe E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi në cilësinë e investitorit dhe administratorit të një subjekti ndërtues, këta shtetas u konstatuan në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, në lagjen “10 Korriku”, rruga “Ibrahim Avdullai”, Vlorë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin I. M., 27 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë, pasi më datë 14.07.2025, është konstatuar nga patrulla e Policisë, në Ksamil, se me automjetin e tij shkaktonte zhurma, duke prishur qetësinë publike.
Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij. Autopsia mjekoligjore do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. A., banues në Shkodër, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi ushtronte aktivitetin në një vend për parkimin e automjeteve, pa e paregjistruar në organet tatimore.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasja malazeze M. S., 42 vjeçe, se në Pulaj Plazh, Velipojë, i ka humbur një celular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-M. D., 72 vjeç, dhe P. L., 63 vjeç, të dy banues në fshatin Dom, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-M. D., 51 vjeç, banues në fshatin Qafë-Mali, pasi u kap duke transportuar një sasi drush për zjarr, të dyshuar të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
–
Në vijim të informacionit të dhënë dje, për ngjarjen e ndodhur në fshatin Dobraç, ku shtetasi S. J. kanosi fqinjin e tij, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë, bëjmë më dije se:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale që po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në drejtimin e Prokurorisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. J., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit S. J., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak dhe shuma parash të valutave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit pistoletë të dyshuar të përdorur për kanosjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. E., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-I. M., 36 vjeç dhe E. V., 40 vjeç, të dy banues në fshatin Romanat, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se në gjendje të dehur, kanë kanosur shtetasin S. T., 53 vjeç, banues në fshatin Romanat;
-B. K., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin G. H., 29 vjeç, banues në Durrës.
Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi N. P., 50 vjeç, banues në Durrës, se më datë 12.07.2025, është larguar nga banesa, vajza e tij, shtetasja N. P., 17 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.
Në Komisariatin e Policisë Kavajë ka kallëzuar shtetasja V. M., 70 vjeçe, banuese në Kavajë, se është larguar nga banesa e saj, nipi, shtetasi J. Sh., 11 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit D. K., 22 vjeç, banues në Patos dhe K. K., 40 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrolleve fizike iu gjetën sasi të vogla Kokaine ose Cannabisi që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin A. C., 55 vjeç, banues në Gërmenjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. M., 53 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka goditur me grushte, një shtetas 43 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen Sh. C., 41 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj.
Më datë 14.07.2025, kallëzoi shtetasi Xh. M., se më datë 13.07.2025, ishte larguar nga banesa në Fier, djali i tij, shtetasi K. M., 43 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arresuan në flagrancë shtetasin H. H., 21 vjeç, banues në Korçë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-G. T., 65 vjeç, banues në Ankara, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me një pemë. Nga përplasja është dëmtuar lehtë 65-vjeçari;
-R. K., 31 vjeç, banues në Turan, pasi me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar lehtë shtetasin Gj. O., 50 vjeç, këmbësor.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasja L. L., 51 vjeçe, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga biçikleta që drejtonte bashkëshorti i saj, shtetasi Y. L., 60 vjeç, dhe për pasojë është dëmtuar lehtë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-T. M., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente;
-V. M., 29 vjeç, banues në Shtyllë, pasi u kap duke transportuar një sasi lënde drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin J. M., 47 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit Q. R., 64 vjeç, dhe H. R., 62 vjeçe, banues në Gështenjas, pasi dyshohet se i bllokuar rrugën nëpërmjet së cilës hyn në banesë, një 43-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin I. K., 50 vjeç, banues në Bilisht, pasi dyshohet se para një viti i ka marrë borxh, një shumë parash, një 62-vjeçari, dhe e ka mashtruar për kohën e shlyerjes.
Korçë/Më datë 13.07.2025, ka kallëzuar shtetasi L. K., 72 vjeç, se kanë tentuar të vjedhin në banesën e tij, gjatë kohës që aty nuk ka patur njeri. Vijojnë hetimet për rastin.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 28 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, shtetasi L. B. dyshohet se duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur shtetasin Xh. R., 62 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili ka humbur jetën në spital.
Gjithashtu, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-I. XH., 18 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
-S. M., 34 vjeç, pasi në rrugën “Beharedin Mitarja”, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi S. M..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd:
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen D. S., 58 vjeçe, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina, dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimë të egra;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dyshohet se për shkak të një shkëndije në kabinën elektrike, ka rënë zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe shkurre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit R. R, 35 vjeç dhe Sh. I., 65 vjeç, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit D. B., 55 vjeç dhe G. L., 57 vjeç, pasi dyshohet se kanë dëmtuar portën e jashtme të banesës së shtetasit Xh. B., për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat:
-kapën shtetasin e shpallur në kërkim, T. N., 65 vjeç, pasi më datë 01.07.2025, humbi jetën shtetasi R. H., dyshohet gjatë punimeve të ndërtimit në një pallat, për llogari të firmës që administronte 65-vjeçari. Pas konsultimit me prokurorin e rastit, për shtetasin T. N. nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 36 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. D., 41 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike, ka kanosur ish-bashkëshorten e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 29 vjeç, banues në Berat, pasi kryente aktivitet ekonomik (rafting) të paregjistruar. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se dhe kishte punësuar në këtë aktivitet, 2 shtetas, pa i siguruar.
Mesditën e djeshme, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte, në lagjen “Çlirim”, shtetasja G. Gj., 38 vjeçe, (me probleme të shëndetit mendor). Si pasojë, 38-vjeçarja humbi jetën. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat e rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
DVP Kukës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Koçanaj, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe dy familjarëve të saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M. dhe N. C., pasi dyshohet se kanë kryer punime ndërtimi, pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.