Raporti i ngjarjeve, 15,16,17 qershor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Vlorë/Në zbatim të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni i koduar “Strike 14 “, për goditjen e një rasti në fushën e mbajtjes pa leje të armëve.

Lëvizte me armë zjarri, vihet në pranga 27-vjeçari. Ky shtetas u kap në flagrancë pasi kishte qëlluar në ajër, me armën e zjarrit.  

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov me krehër me municion luftarak dhe një mjet prerës biçak, që iu gjetën 27-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.  

Në zbatim të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, finalizoi operacionin e koduar “Strike 14 “, për kapjen e tij.

Si rezultat, u arrestua shtetasi A. S., 27 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, pasi kshte qëlluar me armë zjarri në vendin e quajtur “Kuzum Baba”, në lagjen “Partizani”, duke rrezikuar banorët e zonës. 

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. S. i është gjetur 1 armë zjarri kallashnikov me krehër me municion luftarak dhe 1 mjet prerës biçak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Tiranë

Dëmtoi fshirëset e xhamave të 30 automjeteve, në disa zona të Tiranës, procedohet penalisht autori i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimeve të depozituara nga disa shtetas, për një person që iu kishte dëmtuar fshirëset e xhamave të automjeteve, pasi kanë identifikuar autorin e dyshuar, e kanë shoqëruar atë në komisariat për sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. Xh., 62 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Shkodër

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbasditen e djeshme në lagjen “Ndoc Mazi”.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes në tregun e rrobave të përdorura ku si pasojë e zjarrit të rënë u shkaktuan dëme të shumta materiale.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera rezultoi se dy të mitur 9-vjeçarë që kanë qenë duke luajtur në afërsi të tregut, dyshohet se kanë shkaktuar zjarr në tregun e rrobave të përdorura.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kukës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 34 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. C., 34 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”. 

Më datë 15.06.2024, në lagjen nr. 3, Kukës, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi E. K. ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin A. C., i cili e ka goditur me sende të forta, shtetasin E. K..

Si pasojë, shtetasi A. C. është dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe ndodhet në spitalin e Prizrenit, në kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi i arrestuar E. K. është dëmtuar me sende të forta dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

•Menjëherë pas 2 denoncimeve për raste vjedhjesh, Komisariati i Policisë Elbasan, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, organizoi punën dhe si rezultat, identifikoi dhe vuri në pranga autorët e këtyre 2 rasteve, konkretisht:

-shtetasin E. M., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi mëngjesin e djeshëm, ka vjedhur 1 celular, në banakun e lokalit në pronësi të shtetasit E. F., në fshatin Labinot. Celulari u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;

-shtetasin M. F., 60 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka vjedhur 1 biçikletë, në banesën e një 72 vjeçari, në lagjen “5 Maj”.

•Sektori i Qarkullimit Rrugor referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-B. B., 50 vjeç, banues në Cërrik, pasi ditën e djeshme, në qytetin e Elbasanit, me automjetit që drejtonte, ka përplasur shtetasen F. H., 60 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën;

-K. K., 18 vjeç, pasi pasditen e djeshme, në aksin rrugor “Qukës-Skroskë”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar lehtë 18-vjeçari;

-H. Q., 40 vjeç, banues në Librazhd, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dragostunjë, automjeti që ky shtetas e drejtonte në gjendje të dehur, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit, ka dalë nga rruga. Si pasojë është dëmtuar 40-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve;

-një 15-vjeçar, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Marinëz, Belsh, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një automjet tip “Volksëagen”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/ Evidentohet dhe goditet një rast i kontrabandimit në Shqipëri të produkteve të konsumit, me qëllim shitjen.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 4”.

Transportonte me kamionë dhe trajl sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 63-vjeçari.

Policia identifikon administratorin e biznesit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat dhe vijon punën për kapjen e tij.

Në pranga dhe 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Në hetim për të njëjtën vepër penale, një punonjës i tretë i kësaj dege.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha produktesh ushqimore dhe detergjentë, 2 kamionë, 1 trajl dhe 4 celularë.

Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 4”, gjatë të cilit:

– U vunë në pranga shtetasi N. G., 63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja A. A., 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi A. V., 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

– U shpall në kërkim shtetasi A. M., 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. A., 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.

Gjatë operacionit, shtetasi N. G. u kap në PKK Qafë Botë, duke futur në Shqipëri, me mjete të rënda (kamionë dhe trajl), sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara. Ndërkaq, 52-vjeçari u shpall në kërkim, pasi dyshohet se këto mallra transportoheshin për llogari të biznesit që ai administronte.

Arrestimi i shtetasve A. A. dhe A. V., si dhe procedimi i 43-vjeçarit u bënë pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.

Punohet për kapjen e shtetasit A. M., dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.

Durrës/ Vijon megaoperacioni kombëtar antidrogë “Tempulli 3”.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 30-vjeçar që shiste lëndë narkotike.

30-vjeçari tentoi të largohej me vrap kur pa punonjësit e Policisë.

Sekuestrohet një sasi kanabis  që 30-vjeçari do ta shiste në zonën e Nishtullës, Durrës.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e  Narkotikëve në DVP Durrës, bazuar në inteligjencën policore  se një shtetas në lagjen nr.7 në Durrës, shiste lëndë narkotike, organizuan punën dhe falë veprimeve operacionale  kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin:

L. Sh., 30 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas kur konstatoi  punonjësit e  Policisë tentoi të largohej me vrap dhe hodhi në tokë qesen me lëndë narkotike, por nuk mundi dot të largohej pasi u kap dhe prangos nga forcat Shqiponja.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën atij, një sasi lënde narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

•Komisariati i Policisë Vau i Dejës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. P., 33 vjeç dhe M. K., 43 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një 22-vjeçar.

•Komisariati i Policisë Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. K., 55 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kallëzuar një 25-vjeçare, se ky shtetas e ka përndjekur.

•Më datë 16.06.2024, shtetasi M. B., 68 vjeç, ka kallëzuar se më datë 14.06.2024, është larguar nga banesa, djali i tij, shtetasi A. B., 30 vjeç. Punohet për gjetjen e 30-vjeçarit.

•Më datë 16.06.2024, shtetasi A. Th., 51 vjeç, ka kallëzuar se janë vjedhur 18 karrige në pronësi të biznesit që ai administron, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 189 shtetas, konkretisht: 50 shtetas janë vënë në pranga, 123 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste, 8 prej tyre, raste kultivimi, me autorë ende të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 23 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 25 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 17 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 15 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 14 raste- 7 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të veprës penale “Veprime në kundërshim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve shtetërorë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vënies së basteve sportive, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefokike”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale falsifikimi i dokumenteve dhe marrja e padrejtë e fëmijës, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Për 1 rast të veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të shpallur në kërkim.

Për 1 rast të veprave penale “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”, janë kapur.

1 shtetase e kërkuar për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, është kapur dhe për të ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 22 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas kanë humbur jetën dhe 34 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 48 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 19 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 29 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.