Raporti i ngjarjeve, 15 tetor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Elbasan/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Kapet në Belsh dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

38-vjeçari akuzohet nga Gjykata e Firences, për trafikim të lëndëve narkotike.

Falë informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve me Interpol Tiranën, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar O. B., 38 vjeç, banues në Belsh.

Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për vijimin e procedurave të ekstradimit. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet italiane, për ekstradimin e 38-vjeçarit.

Durrës

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i një hetimi disamujor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacioni policor të koduar “Skema”.

Hetimi i iniciuar nga Prokuroria identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Nga kjo veprimtari kriminale dëmi ekonomik ndaj shtetit, përllogaritet rreth 3 milionë euro.

Ekzekutohen masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Durrësit, për 4 shtetas. Shpallen në kërkim 3 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”.

Pas një hetimi disamujor, me metoda proaktive, me objektiv zbardhjen e një skeme mashtrimi që kryhej nga administratorët dhe punonjësit e disa subjekteve ekonomike me aktivitete në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve mbështetëse, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Durrësit dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, ekzekutoi këto masa sigurie:

“Arrest në burg” për shtetasin I. A., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasen A. P., 36 vjeçe, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasin A. M., 34 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

“Detyrim paraqitjeje” për shtetasen B. Ç., 34 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të këtij operacioni, u shpallën në kërkim shtetasit I. V., 35 vjeç, R. S., 22 vjeç dhe L. T., 19 vjeç, të tre me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Nga hetimet dyshohet se administratorët e subjekteve, shtetasit R. S., I. A., A. M. dhe L. T., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë me masa sigurie, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

PKK Morinë

Tentoi të fuste në Shqipëri, sende me vlerë (monedha floriri), pa i deklaruar, procedohet penalisht 56-vjeçari (shtetas kosovar).

Sekuestrohen monedhat.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar automjeti tip “BMË”, me drejtues shtetasin kosovar F. A.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur 15 monedha floriri, të cilat ai po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar F. A., 56 vjeç, banues në Prizren,  Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. I., 23 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, banues në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Border 12”.

U kap duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 2 shtetas të huaj që synonin kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi, vihet në pranga 22-vjeçari.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Delta Force, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Border 12”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi V. Gj., 22 vjeç, banues në Shkozet, Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Delta Force, në aksin rrugor “Qeparo-Kuç”, duke transportuar me automjetin tip “Volksëagen”, kundrejt pagesës, 2 shtetas të huaj që synonin kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 1 celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasit:

  1. Sh., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, si dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë). Gjithashtu, ai ka kundështuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit në Komisariat;

Xh. Y., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin Sh. M., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Më datë 14.10.2024, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ka kallëzuar shtetasja F. V., 38 vjeçe, se në orët e para të mëngjesit të kësaj datë, është larguar nga banesa, nëna e saj, shtetasja Xh. V., 66 vjeçe, e cila sipas deklarimeve të 38-vjeçares, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Po punohet për gjetjen e 66-vjeçares.

Sot, në mëngjes, në rrugë, në lagjen nr. 11, Durrës, është gjetur pa shenja jete, shtetasi Xh. M., rreth 50 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja e trupit të këtij shtetasi nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se ai e ka humbur jetën prej shkaqeve natyrale. Po hetohet për të dokumentuar ligjërisht rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

PKK Rinas

Posedonte 3 dokumente sllovene false, arrestohet në dalje të Shqipërisë, 27-vjeçari, banues në Kosovë.

Sekuestrohen pasaporta, karta e identitetit dhe leja e drejtimit që kishte me vete ky shtetas.

Gjatë punës së kryer në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë, kaluan për kontrolle të detajuara, në vijë të dytë, shtetasin S. L., 27 vjeç, banues në Kosovë.

Nga kontrollet dhe verifikimet rezultoi se ai kishte paraqitur në sportel, një pasaportë sllovene, të dyshuar të falsifikuar, dhe se kishte me vete një kartë identiteti dhe një leje drejtimi, gjithashtu sllovene dhe të dyshuara false.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, 27-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer më shumë se një herë, si dhe u sekuestruan më cilësinë e provës materiale, 3 dokumentet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Pukë

Përndoqi 1 muaj, në rrugë dhe në rrjete sociale, një 17-vjeçare, arrestohet menjëherë pas kallëzimit të së miturës, 47-vjeçari.

I arrestuari, me precedent për të njëjtin krim.

Menjëherë pasi një shtetase 17 vjeçe ka kallëzuar në Prokurorinë e Shkodrës, se përndiqej nga 1 shtetas, prej rreth 1 muaji, në rrugë dhe në rrjete sociale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë organizuar punën për lokalizimin dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat, për këtë rast u vu në pranga shtetasi Z. P., 47 vjeç, banues në Pukë, për të cilin Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”. Nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se 47-vjeçari ishte shtetas me precedent për të njëjtin krim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 39 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste. Për 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për 4 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas. 1 shtetas tjetër i kërkuar për trafikim të lëndëve narkotike, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes/tentativës për vjedhje, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera në këtë fushë, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe 2 raste të vetëgjyqësisë, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë. 4 shtetas, me masa sigurie për këtë veprimtari kriminale, janë kapur nga Policia e Tiranës.;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, për të cilin vijojnë hetimet, për të përcaktuar autorësinë;

-1 rast i veprave penale “Trafikimi i të miturve” dhe “Prishja e qetësisë publike”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i: krimeve kibernetike, shpërdorimit të detyrës, trafikimit të mjeteve motorike, shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë dhe njoftimit të rremë në organet e rendit, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 6 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.