Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Elbasan/Vijojnë me intensitet të lartë megaoperacionet “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”.
Policia e Elbasanit finalizon brenda 12 orëve, 2 operacione policore që goditën tentativa për të trafikuar drejt RMV-së, lëndë narkotike dhe armë zjarri.
✅Operacioni “Bags” rezultoi me arrestimin e një 28-vjeçari që transportonte 2 qese me 27.3 kg cannabis.
✅Operacioni “Entrance” rezultoi me arrestimin e 2 shtetasve që posedonin me qëllim trafikimin, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Si rezultat i 2 hetimeve me metoda proaktive, të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca e Policisë së Elbasanit, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, dhe të ndjekura në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, finalizuan brenda 12 orëve, 2 operacione policore, kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.
-Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Bags”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll, automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. A., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në këtë automjet u gjetën 2 qese me rreth 27.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, sasi e cila dyshohet se do të trafikohej nga shtetasi E. A., drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë 28-vjeçari dhe u sekuestrua sasia e lëndës narkotike.
-Në kuadër të operacionit “Entrance”, në hyrje të qytetit të Elbasanit, u lokalizua dhe u ndalua për kontroll, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M., 21 vjeç, dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë. Në këtë automjet u gjet 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, si dhe u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, pas një pune intensive hetimore, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, vjedhja e ndodhur më datë 09.02.2024, në një dyqan celularësh, në rrugën “Myslym Shyri”.
Shpallet në kërkim një 43-vjeçar, si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 09.02.2024, në një dyqan celularësh, në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vijuar hetimet e thelluara për identifikimin e autorit të rastit.
Si rezultat i punës intensive hetimore, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Afrim Dulaj, i ditëlindjes 02.11.1980, banues në Tiranë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për:
-shtetasin A. Q., 19 vjeç, banues në Tepelenë, pasi ditën e djeshme, dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës (biçak), një bashkëmoshatar të tij;
-një 17-vjeçar, banues në Gjirokastër, pasi ditën e djeshme, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një bashkëmoshatar të tij.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
U kap në flagrancë duke vënë baste sportive, në lokalin e tij, si dhe fshihte të ardhurat nga këto aktivitete, arrestohet 57-vjeçari.
I arrestuari, i dënuar më parë për të njëjtën paligjshmëri.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në lagjen “Naim Gjylbegu”, viheshin baste sportive, më celular, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kapën në flagrancë dhe vunë në pranga pronarin e këtij lokali, shtetasin Sh. V., 57 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, celularin e të arrestuarit, me faqe online aktive për vënien e basteve sportive.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. B., 48 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi u kap në afërsi të fshatit Stajkë, duke transportuar inerte, aktivitet për të cilin nuk kishte licencën përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Kamëz
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”.
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza, afër një shkolle profesionale, në Kamëz.
Sekuestrohen doza lënde narkotike kanabis, gati për shitje, pako me letra që shërbejnë për konsumimin e lëndës narkotike dhe 3 mjete prerëse.
Vihet në pranga 20-vjeçari që kryente këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në doza, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat, në rrugën “OSBE”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi K. H., 20 vjeç, banues në Kamëz.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të një shkolle profesionale, në Kamëz.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me kanabis, pako me letra për përdorimin e lëndës narkotike dhe 3 mjete prerëse, që iu gjetën 20-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 68 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste– 1 shtetas është vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, me autorë ende të paidentifikuar. Vijojnë hetimet per zbardhjen e këtyre rasteve.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 10 raste, 6 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale në fushat e falsifikimit, kalimit të kundërligjshëm të kufijve dhe vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Përndjekja” dhe “Trafikimi i të miturve”, janë ndaluar.
Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.