Raporti i ngjarjeve, 14 maj 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Policia e Shtetit

Prej orëve të para të mëngjesit, strukturat e Policisë së Shtetit janë përfshirë në një operacion të përbashkët me Policinë italiane, të koduar “Car Wash”.

Operacioni, i iniciuar dhe aktualisht në zhvillim në Itali, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e pjesëtarëve të një organizate kriminale për trafikim lëndësh narkotike.

Si rezultat i punës hetimore, shkëmbimit të informacioneve dhe veprimeve të tjera operacionale, të përbashkëta me Policinë italiane, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Car Wash”, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe U. B., 36 vjeç, banues në Dibër, vëllezër, si dhe shtetasit E. P., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe B. G., 31, banues në Vlorë.

Të 4 këta shtetas akuzohen nga autoritetet në Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Vijojnë kërkimet, kontrollet dhe veprimet e tjera operacionale, të koodinuara me Policinë e Italisë, me qëllim lokalizimin dhe vënien në pranga të 4 shtetasve të shpallur në kërkim.

Shkodër/Vijon me intensitet megaoperacioni “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjenden në pyllin e Shporit dhe asgjësohen 236 fidanë cannabisi.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i kultivimit të tyre.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Shkodër vuri në pranga shtetasin G. Ç., 29 vjeç, banues në fshatin Shpor.

29-vjeçari dyshohet se është autor i kultivimit të 236 fidanëve cannabis sativa (në tokë dhe në kubikë), që u gjetën nga Policia, në territorin e pyllit të Shporit.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.

PKK Tre Urat

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me lëndë narkotike me vete (sasi dhe vaj cannabisi), arrestohet 42-vjeçari nga Gjermania.

Sekuestrohen lënda narkotike dhe furgoni që drejtonte i arrestuari.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, Policia Kufitare e PKK Tre Urat, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër, vunë në pranga shtetasin gjerman D. J., 42 vjeç.

Në dalje të vendit, në furgonin që drejtonte 42-vjeçari u gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një sasi vaji cannabisi.

Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër

Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, operacioni policor “Vendtakimi”.

U kapën në flagrancë gjatë shitblerjes së 3.8 kilogramëve cannabis sativa, vihen në pranga 3 shtetas (blerësi, shtetas malazez).

Në pranga dhe nëna e njërit prej të arrestuarve, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për të siguruar lëndën narkotike.

Sekuestrohen lënda narkotike, 2 automjete dhe 6 celularë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e për Hetimin e Trafiqeve dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, gjatë këtij operacioni, arrestuan në flagrancë shtetasit V. Y., 58 vjeçe dhe K. Y., 28 vjeç (nënë e bir), shtetasin S. F., 63 vjeç, si dhe shtetasin nga Mali i Zi, I. D., 35 vjeç.

Në fshatin Kullaj, shtetasit K. Y. dhe S. F. u kapën në flagrancë, teksa i shisnin 35-vjeçarit, rreth 3.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, për sigurimin e së cilës dyshohet se kanë bashkëpunuar me shtetasen V. Y.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Durrës

-arrestoi në flagrancë shtetasin E. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë dhe ka kanosur me mjet prerës (sëpatë), një 26-vjeçar;

-arrestoi në flagrancë shtetasin A. M., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur kapakët e disa pusetave në territorin e spitalit të Durrësit.

Posta e Policisë Manzë arrestoi në flagrancë shtetasin A. F., 32 vjeç, banues në fshatin Shkafane, pasi u kap duke vënë baste sportive, me celular, në lokalin e tij.

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasit G. K., 22 vjeç dhe J. B., 41 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur.

Në Komisariatin e Policisë Durrës, ka kallëzuar shtetasja A. M., 55 vjeçe, banuese në Durrës, se prej 3 ditësh, kishte humbur kontaktet me vëllanë e saj, shtetasin A. M., 58 vjeç, banues në Durrës. Po punohet për gjetjen e këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Porkurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 44 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 11 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-2 raste të falsifikimit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për mashtrim dhe për falsifikim monedhash, është kapur dhe ndaluar.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 10 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.